Emigracioni boshatis Shqipërinë! 69 mijë shqiptarë morën leje qëndrimi në BE gjatë 2025

Tendenca e emigracionit është përshpejtuar sërish vitin e fundit, sipas të dhënave indirekte nga Eurostat, që raporton lejet e qëndrimit të dhëna për herë të parë të dhëna nga vendet e Bashkimit Europian për shtetasit shqiptarë.

Sipas të dhënave të detajuara, në vitin 2025 u dhanë 68,653 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, me një rritje prej 4% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Sigal

Tendenca është e kundërt me 2024-n, kur lejet ranë me 14%.Vitet kur është shënuar rekordi vijojnë të mbeten 2022-shi dhe 2023-shi, me përkatësisht 79 mijë dhe 77 mijë leje.Sipas Eurostat, ritmet e emigracionit janë përshpejtuar që pas vitit 2015, që përkon me valën e re të kërkesave për azil, që në atë kohë arritën deri në 60 mijë në vit.

Pjesa më e madhe e të ikurve rezultojnë se ia kanë dalë të marrin leje qëndrimi në një shtet të BE-së (rënie të fortë shënoi vetëm 2020-a për shkak të kufizimeve të pandemisë).Ndonëse kërkesat për azil kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit, në rreth 15 mijë në vit, rritja e lejeve të qëndrimit tregon se shqiptarët kanë gjetur forma të reja për tu larguar, kryesisht përmes kontratave të punës.

Në 2025-m, sipas Eurostat, 46.3% e lejeve u dhanë për arsye familjare, 0.8% për edukim, 29.4% për punësim. Ritmet e larta të emigrimit dhe rënia e lindjeve kanë bërë që popullsia e vendit të reduktohet vazhdimisht, duke u bërë një pengesë reale për tregun e punës, konsumin dhe skemat e pensioneve. Më 1 janar 2026, sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë zbriti në 2.335.930 banorë, duke pësuar një rënie prej 1,16% krahasuar me 1 janar 2025.

Lejet e para të qëndrimit në BE u rritën me 10% në vitin 2025

Në vitin 2025, vendet e Bashkimit Europian lëshuan 3,9 milionë leje të para qëndrimi për shtetasit e vendeve jashtë BE-së, duke shënuar një rritje prej 10,1% (+355.350) krahasuar me vitin 2024.Punësimi ishte arsyeja kryesore për dhënien e lejeve të reja në BE, duke përbërë rreth një të tretën e të gjitha lejeve të para të qëndrimit të lëshuara gjatë vitit 2025, me 1,3 milionë leje ose 33,6% të totalit. Arsyet familjare renditeshin të dytat, me 1,1 milionë leje të para qëndrimi ose 28,1%, të ndjekura nga arsye të tjera, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, me 0,9 milionë leje ose 22,8%.

Pjesa e mbetur e lejeve të para të qëndrimit u lëshua për arsye që lidhen me arsimin, me 0,6 milionë leje ose 15,5%.Krahasuar me vitin 2024, lejet e para të qëndrimit për arsye punësimi u rritën me 16,1%, ato për arsye familjare me 14,1%, ndërsa lejet për arsye arsimimi u shtuan me 9,0%.