Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Llojdia: Petro Marko dhe përse u kritikua romani : ”Stina e armëve”?

174
Sigal

1.Shënimet kritike pas botimeve të librave ishin të përhershme nëpër gazetat letrare apo politike dhe duhet thënë se kritika ishte gjëja më e mirë për të analizuar një vepër letrare. Edhe për romanin:” Stina e armëve” të Petro Markos” nuk mjaftuan 2 kolona të gazetës letrare:”Drita” duke vijuar më tej më kritikën e pambarimtë kundrejt një vepre letrare të një shkrimtari të njohur, mik i Heminguejit dhe luftëtar në brigadat internacionaliste në luftën e Spanjës. Shkrimtar me reputacion dhe emër të madh, që e kurthuan duke ja mbyllur të gjitha udhët e letrave. Asnjë udhë të jetës Petro Markos nuk i lanë, përveç ajrit të lirë. Po ju sjellim të plotë në 4 faqe kritikën letrare, që i është bërë romanit:”Stina e armëve” në gazetën letrare :“Drita”.Autori i kësaj kritike është anonim. Gazeta letrare , nuk ka vendosur asnjë emër. Sidoqoftë kryeredaktor i gazetës, ishte po një kritik: D.Sh.

2.E djelë, 10 korrik 1968.Autori i kritikës anonim.

Ja si fillon analiza e romanit të botuar nga një shkrimtar i njohur si Petro Marko:”Epopeja e lavdishme e luftës nacional-çlirimtare, me gjithë shumanshmërinë e çfaqjeve të heroizmit të masave popullore nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare, është një burim i pashtershëm frymëzimi për shkrimtarët tanë. Lufta e popullit me armë në dorë, lufta pa kompromis kundër pushtuesve dhe tradhtarëve, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare është vërtetë një stinë armësh ,në historinë e Shqipërisë. Vetëm duke dalë maleve me pushkë në krah, populli arriti të fitojë lirinë e pavarësinë e vërtetë.

Këtë luftë të madhe synon të paraqesë Petro Marko në romanin e vet të fundit; «Stina e Armeve».

Që në faqet e para të romanit, që nisin me një ditë të nxehtë gushti të vitit 1942, autori na njeh me gjendjen e vendit. Funeral i një gjeraku fashist të vrarë nga partizanët, në Vlorë, është ngritja e siparit për stinën e armëve. Një ngjarje e tillë na prezanton njëherazi edhe me pushtimin fashist e karakterin e tij, edhe me rezistencën popullore, aty nënvizohet se pushtonjësi kurrë nuk e ndjen veten të qetë dhe jepet paralajmërimi se në ditët që vijnë, pushtonjësi dhe të shiturit do ta kenë më keq. Autori na jep si hyjnë në këtë luftë njerëz të ndryshëm. Dhe kështu, në pjesën më të madhe të romanit, kemi ngjarje të rëndësishme për nga karakteri: formimin e çetave, beteja në male kundër fashistëve dhe milicëve, rritjen e luftës e të formacioneve luftarake të ushtrisë nacional-çlirimtare – ngjarje të një periudhe historike, që shkon deri në ditët para çlirimit të Tiranës në nëntor 1944. Siç shihet, ngjarjet në roman ndjekin kronologjikisht historinë e viteve të luftës, janë të vendosura saktësisht në vend e në kohë siç kanë ndodhur njëra pas tjetrës.

3.Duhet thënë se kritika në këtë pjesë të parë ka thënë fjalën e saj me profesionalizëm. Autori merret në roman me ngjarje të vërteta dhe vende të vërteta, i jep një rendësi të madhe krijimit të atmosferës së luftës dhe të tablove nga jeta në male. Dhe ai ia ka arritur qëllimit në përshkrimin e disa ngjarjeve me rëndësi, siç qe lufta e Gjormit në janar 1943, aksioni i një pjese të Brigadës në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm, disa prita kundra kolonave armike fashiste e naziste. Fund e krye në roman mbizotëron përpjekja me armë, lufta me vështirësitë, ideja e çlirimit të vendit nga pushtuesit dhe tradhtarët. 

4.Fillimi i kritikës.

Por vërehet se shkrimtarit i është dukur e mjaftueshme vetëm kapja pas ngjarjeve, përshkrimi i tyre, atmosfera në të cilën ato zhvillohen. Në të vërtetë kuptimi i ngjarjeve historike në një vepër letrare zbulohet dhe ndriçohet nëpërmjet jetës së njerëzve, të karaktereve, që marrin pjesë në to, nëpërmjet botës së tyre mendore e shpirtërore. E vërteta jetësore në një roman do të dalë kryesisht nëpërmjet së vërtetës jetësore të heronjve, sepse bota e tyre e mendimeve,

veprimeve, ndjenjave do të zbulojë edhe kuptimin e domethënien e ngjarjeve, pra do të përcaktojë edhe vërtetësinë e tyre. Kësisoj, mund të thuhet se romani «Stina e armëve» para së gjithash shtron problemin e heronjve, sa i përgjigjen ata së vërtetës historike dhe, si pasojë, sa arrijnë ata të na zbulojnë drejt karakterin dhe kuptimin e atyre ngjarjeve heroike me të cilat merret romani.

…Në pjesën e parë të romanit (romani ka katër pjesë), që përbën thuajse një të tretën e veprës, autori na paraqet njëri pas tjetrit personazhe të kategorive të ndryshme. Nis me gjerakët fashistë, paraqet Niko Mjegulloshin, i cili që në moshë të re, në vend që të shkonte ushtar, u bashkua me tre vërsnikë të tij partizanë në mal. Njihemi me Ramiz Muratin, gjashtë vjet komit për shkak hakmarrjeje, që shpëton një të arrestuar nga karabinierët, Bashkim Likudhin, mësues që merrej me punë ilegale në qytet, njihemi me Luanin, komandant i një çete partizane dhe kushëri i Ramizit.Më tej autori na njeh me Nikollën, malësor nga Mirdita që vete milic në Tiranë, e pastaj e nisin për në Vlorë, njihemi me Vena Lugarin, studenteshë që lë familjen e pasur e të rehatshme, të tregtarit Fehim, që refuzon të shkojë në Itali, dhe futet në lëvizjen ilegale e më vonë në çetat partizane, më në fund njihemi me punëtorin topograf Miti, i cili transferohet nga burgu i Tiranës në atë të Vlorës dhe bashkë me disa të burgosur të tjerë politikë e ordinerë ia arrin të shpëtojë e të shkojë në çetë.

Si shohim, të tërë këta hyjnë në rrjedhën e ngjarjeve. Po me kë merret autori në vepër? Kë ndjek e kë ka vënë në qendër të romanit? Kjo është çështje me rëndësi për të nxjerrë kuptimin dhe rëndësinë e ngjarjeve heroike të romanit. Kjo çështje, njëherazi, ka të bëjë drejtpërsëdrejti me pasqyrimin me vërtetësi të viteve të luftës, të karakterit të saj, me faktorët, që përcaktuan rrjedhën e ngjarjeve dhe fitoren. Në këtë pikëpamje, romani ka të meta serioze dhe shtrembërime. Në qendër të romanit, sado që vepra merret me një mori personazhesh, mbetet Vera Lugari, e mbiquajtur Besë, «studentesha e re me brenga të mëdha në zemër». Ajo është një intelektuale e re, bijë e një tregtari të pasur, që sheh të fitojë sa më tepër para, që urren komunistët, është motër e një antikomunisti të tërbuar Asllan Lugarit. Pasi refuzon të shkojë në Itali, atë e shohim ilegale, bile organizatore! Drejton grupe të rinjsh, merr pjesë aktive, shkon në Vlorë, organizon demonstratë më 28 Nëntor dhe pastaj vete në çetë. Fati i Besës ndiqet në roman hap pas hapi, dhe ajo zë një vend qendror. Duke vënë këtë intelektuale nga një familje e pasur e reaksionare në qendër të luftës, që zhvillojnë njerëz të shtresave të ndryshme, pa treguar dialektikën jetësore të këtij personazhi, d.m.th. që kushtëzoi pjesëmarrjen e saj në luftë si u rrit e u edukua në luftë, romani bije në kundërshtim me realitetin. Dihet se gjatë luftës klasa punëtore, sado e vogël në numër, si dhe fshatarësia e varfër dhe e mesme ishin pjesë e Partisë, për këtë u shkruante Komiteteve Qarkore: «Vetëm pjesëmarrja sa më e gjerë e punëtorisë dhe fshatarësisë në luftë na siguron fitoren. Në radhë të parë luftëtarët tanë të jenë punëtorë, fshatarë, të rinj etj, që e duan atdheun, që e urrejnë armikun dhe e duan lirinë». Dhe me të vërtetë kështu ngjau.

Jo nuk është puna vetëm se që në qendër të “Stinës së Armëve” vihet një e re intelektuale, ajo që ka më tepër rëndësi është se nuk jepet formimi i saj, shkaqet, ashtu siç nuk jepet edhe puna e madhe, që Partia ka bërë me njerëz të tillë, e jo

vetëm me njerëz të tillë. Autori qysh në fillim ka theksuar anën romantike të karakterit të Besës, dhe vijon kështu gjer në faqet e fundit. Pjesëmarrja e Besës në luftë nuk është diçka, që e dallon nga shokët tjerë të çetës, ajo qysh në fillim ishte një partizane e gatshme, e përgatitur, gjë që nuk na është shpjeguar aspak, del krejt e rastit dhe përsëri bije në kundërshtim me realitetin. Ne nuk e kuptojmë se çfarë e bën Besën të shkëputej nga rrethi i saj, si arriti të bëhej e ndërgjegjshme për luftën. Lufta Nacionalçlirimtare rriti, edukoi, kaliti njerëzit në zjarrin saj, ata nuk erdhën të përgatitur. Dhe e meta e përgjithshme e romanit është se shumica e heronjve janë dhe në statikë, jo në zhvillim e në rritje, pjesa më e madhe e partizaneve, që veprojnë në çetën në skuadrën e Besës dallohen vetëm për nga temperamenti. Figura e tyre, ndonëse heroike, mbetet në të njëjtin nivel gjatë gjithë romanit. Mungon heroi komunist, qoftë edhe figura e komisarit. Vërtetë aty flitet për komunistët, për komisarin. Më shpesh në komentet e autorit shohim fraza të tilla:

…«Partizanët suleshin si stuhi dhe në krye të tyre çante komisari, printe komandanti, ishin komunistët…».

Por në dhënien e figurës së komunistit, autori është larg. Dihet se organizata e partisë ka udhëhequr çdo veprim të formacioneve partizane. Kurse në roman veprimtaria e komisarit është kufizuar vetëm me marrjen e vendimeve dhe dhënien e urdhrave. Në fjalën e sh. Enver në Kongresin e parë të partisë thuhet: «…Komandanti dhe komisari përbënin komandën unike, ishin përgjegjës për punën dhe për drejtimin e çetës në luftë. Që këtu lindi në ushtrinë tonë roli i komisarit politik si edukonjës i reparteve partizane». Dhe më poshtë thuhet: «Roli i komisarit politik ka qenë vendimtar për sukseset e ushtrisë Nacionalçlirimtare».Në roman përmendet shumë herë roli i Partisë, por kjo gjë nuk jepet nëpërmjet figurave njerëzore, ndodh bile që partizanët si Xha Sulua, Nikolla etj edhe pas një kohe të gjatë në çetë nuk e kuptojnë përse mblidhen ata partizanë, që përbëjnë organizatën e Partisë. Organizata del si diçka e fshehtë, e largët, e pakuptueshme. Partia del si diçka e nënkuptuar qysh ne fillim kur shkon në Vlorë, Besa thotë: «Në Vlorë, ku të më dërgojë Partia».

Po kjo nuk paraqitet gjëkundi në faqet e romanit.

5.Vijon më tej kritika….Mungesa e pasqyrimit të rolit edukues të organizatës së Partisë, veç të tjerave, nuk shkakton vetëm shtrembërime në realitetin e luftës, por kushtëzuar nga realiteti objektiv, sjell paraqitjen statike, të pjesës më të madhe të personazheve. Kështu heronjtë’ kanë dalë në funksion të ngjarjeve e jo ngjarjet në funksion të heronjve. Siç thamë më lart, personazhet, sidomos ata të skuadrës se Mitit, dallohen më fort nga temperamenti, por edhe me këtë, cilido në veçanti është mjaft statik dhe të gjithë janë të ngritur sipas së njëjtës skemë. Dhe nëse romani nuk të lë pa mbresa, pa përshtypje, kjo ndodh jo pse janë krijuar tipa, heronj të gjallë. Nga romani dalin edhe përshtypje të tjera. Një vend me rëndësi zë Nikolla, malësori nga Mirdita. Nikolla është i vetmi personazh, që nuk qëndron në të njëjtin nivel si në fillim të romanit. Ai luftoi kundër partizanëve, por në një kthesë, i ndikuar nga ngjarjet, bashkohet me partizanët. Gjatë luftës shumë njerëzve të thjeshtë, të gënjyer iu hapën sytë, bile nga radhët e milicëve, autori ka dhënë shumë bukur ndjenjat e pastra të njeriut të thjeshtë, si u gënjye ai me shokë nga Kapedani, jep në vija të holla botën e tij të ngushtë. Ai jep po ashtu me forcë momentin e kthesës, në shtëpinë e një fshatari kur Nikolla vret dy oficerë fashistë për të shpëtuar nderin e gruas. Po më tej, pasi qëndron për një kohë në çetë ish milici dërgohet me mision nga Partia, për të organizuar lëvizjen partizane në Mirditë. Me fjalë të tjera, ky është personi, që lidh lëvizjen në dy krahina të vendit. Sado, që ai kaloi në anën e partizanëve nuk mund të pretendohet se ai do të qe, edhe në realitet, njeriu që i duhej Partisë, për një mision të tillë me rëndësi. Të lemë mënjanë faktin se ndryshimi në botëkuptimin e Nikollës jepet me forcë me anë komentesh të autorit. Vetë fakti, që ish milici i djeshëm, akoma pa kaluar në kudhrën e kalitjes komuniste, dërgohet me një mision të tillë është i pamotivuar artistikisht dhe çka është më e rëndësishme nuk i përgjigjet realitetit. Në të vërtetë edhe në Mirditë, Partia me kohë kishte organizatat e veta, formacione partizane e lidhje të tjera. Edhe në roman, aty këtu, lihet me kuptue se në Mirditë kishte partizanë të dalë në mal, por pastaj na del sikur Nikolla, dërgohet atje për t’i organizuar këta. (!)

E vërteta është se lëvizjen partizane kudo e ka udhëhequr partia, në forma të organizuara sipas kushteve e rrethanave konkrete. Lidhur me këtë fakt në roman kemi edhe një pasqyrim të njëanshëm të ngjarjeve. Lufta e çetave në zonën ku zhvillohen ngjarjet del si luftë e partizanëve nga njëra anë dhe italianëve e milicëve të dërguar nga krahinat e tjera të vendit, nga ana tjetër. Në fakt dihet se edhe atje ku zhvillohen ngjarjet e romanit, çetat kanë luftuar me reaksionin e vendit, po kjo nuk paraqitet gjëkundi. Edhe ndaj dy heronjve të tjerë, autori mund të kish nxjerrë më në pah disa karakteristika, që do t’i përgjigjeshin më mirë realitetit. Vërtetë romani nuk pretendon se ka për personazhe njerëz reale, me emra të vërtetë, por prapë së prapthi, ai përmend ngjarje, vende dhe formacione partizane reale.

Kështu ndodh me një hero si Luani, që është në fillim komandanti i çetës së Mallakastrës dhe pastaj komandanti i atij formacioni partizan, që vajti në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm, pra një hero i njohur. Paraqitja skematike e këtij heroi nuk i përgjigjet realitetit, pale njëherë Luanin personazh kryesor, për vërtetësi, në roman duhet të kishte dalë më mirë në pah figura e tij. Në përgjithësi në roman ka shumë komente të autorit, Nganjëherë ato duken si fluturime lirike, shprehje plot epitete, por nga kjo zor se ka përfituar paraqitja realiste e luftës dhe e njerëzve. Të marrim p.sh. Vetëtimën, figura e të cilit zë një vend të mirë në roman. Paraqitja legjendare e panevojshme, nëpërmjet komentesh të autorit, gjuha patetike me të cilën karakterizohet ky personazh (si dhe personazhe të tjerë – Ramizi), e ka dëmtuar mjaft figurën e Vetëtimës. Një hero legjendar, duhej paraqitur, si hero që dalin gjithmonë nëpërmjet aksioneve. Aksione legjendare bën Vetëtima në faqet e para të romanit?

…Nga fundi i romanit duket me qartë rendja pas ngjarjeve: Romani copëtohet shumë dhe personazhet ndahen, e në më të shumtën, bien një nga një. Duke rënduar sidomos këtë pjesë me episode, disa herë të panevojshëm dhe pa vend siç është rasti me infermieret amerikane, romani kthehet në një kronikë ngjarjesh.

Pasqyrimi më i saktë dhe interpretim më i drejtë i fakteve historike dhe i realitetit të luftës do të ndihmonte edhe për rritjen e nivelit artistik të romanit, i cili në tërësi nuk të kënaq. Shtrembërime të tilla si ato lidhur me personazhet Besa, Nikolla, lidhur me pasqyrimin e rolit të organizatës së Partisë në formacione luftarake etj e dëmtojnë mjaft këtë roman. Veç kësaj, romani ka ndofta edhe çështje të tjera për të cilat mund të diskutohet…

Këtu përfundon kritika e autorit anonim për romanin :”Stina e armëve” të shkrimtarit Petro Marko, më pas erdhën ditë më të zymta dhe më të trishta për shkrimtarin e madh.