Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Fotografi

536
Sigal

Tregim

Aty nga viti 1960, ishte si zakon që nxënësit i çonin nëpër ekskursione në vende të ndryshme. Ne maturantëve të shkollës sonë na thanë se do të vizitonim uzinën e Ballshit. Morëm bukën me vete dhe pasi na hipën mbi dy kamionë “Zis” u nisëm duke kënduar gjithë rrugës. Koha ishte e keqe, por ne qemë të rinj e nuk e ndjenim të ftohtit. Kur mbërritëm atje, hymë në uzinë dhe siç e kanë të rinjtë, flisnim me zë të lartë dhe qeshnim vend e pavend. Kujdestari, duke menduar se mos punëtorët na e merrnin për keq, na tha vetëm një herë: “Djema, kujdes!” Dhe vetëm kaq. Vizituam uzinën, ku na shoqëronte dhe shpjegonte një përgjegjës turni, dhe pasi hëngrëm diku në një si kodër drekën që kishim marrë nga shtëpia, u kthyem. Përsëri duke kënduar e duke ngacmuar njeri – tjetrin.

Të nesërmen, na mbledhin të dy klasat dhe Drejtori i shkollës me sekretaren e Partisë, të nevrikosur, pasi i erdhën ashtu rrotull, na kërkuan shpjegime mbi qëndrimin tonë atje, pasi ne paskëshim manifestuar shfaqje të huaja, përbuzje për punën e nderuar të klasës punëtore dhe se kishim thënë, gjë që s`ishte fare e vërtetë, se si bëjnë këta të gjorët, mes kësaj balte. Atje baltë kishte dhe ndofta ndokush do ta ketë përmendur. Fjala vjen “Ec mirë, se na bëre me baltë” dhe asgjë me qëllim. Mirëpo hajde t`i mbushje mendjen asaj mësueses së punës me dru, sekretares që ishte dhe e pa martuar. Keni koncepte borgjezo – revizioniste e ku di unë, shkumëzonte e tërbuar ajo. Na keni turpëruar shkollën që e kemi pasur në pararojë etj. përralla si këto. Ne s`po kuptonin se ku donin të dilnin. Kur pyetëm se ç`kërkonin nga ne, përsëri sekretarja e nxirë në fytyrë, na tha se donin të dinin emrat e atyre që kishin thënë këto fjalë. Ne nuk kishim se ç`të tregonim, po edhe sikur, nuk do spiunonim shokët. Si e panë se kjo ishte punë që s`bëhet, pas nja dy ditësh, na sollën një ekip nga lart. Ata u treguan më me takt dhe mua që isha edhe sekretar i rinisë së klasës time, më tërhoqi mënjanë një burrë i pashëm, gjatosh e hollak, të cilin unë e kisha dëgjuar se herë pas here botonte fotografi artistike nëpër gazetat e kohës. Ai merrej me edukimin në Komitetin e Partisë, ku si duket ishte instruktor dhe ashtu si rrotull e rrotull, më tha se “Ju jeni të rinj dhe nuk është se bëni ndonjë gjë me qëllim. Edhe ne kemi gabuar në moshën tuaj. Por Partia do ta dijë të vërtetën. Se kështu edhe ju lehtësoheni edhe ajo fle e qetë.” Më vjen keq shoku…- i thashë – po unë duhet të gënjej që të flejë e qetë Partia? Ajo nuk na edukon që të themi të pavërteta. Besoj se edhe ju këtë bindje keni.” “Mirë or mirë, po ti ke përgjegjësi për sa ka ngjarë, pasi ke dhe një detyrë të rëndësishme. Do merren masa të rrepta për të gjithë në qoftë se vazhdoni të mbroni këta tipa. Ky është faj kolektiv dhe po kështu do ndëshkohet.” S`kisha ç`t`i thosha, veçse të prisja së bashku me të tjerët, për të parë se deri ku do shkonte inati i tyre. Ata, pa e zgjatur shumë, mblodhën Këshillin Pedagogjik dhe vendosën atë që deri atëherë, as ishte parë dhe as ishte dëgjuar: maturantëve të të dy klasave tona, t`u thyhet nota e sjelljes. Vajzat nisën të qanin, kurse ne djemve sepse na kapi një e qeshur.

Kjo ishte punë me shumë zarar, pasi sido që t`i kishe notat e tjera, me notën e sjelljes të thyer, përsërisje klasën. Hej, ç`kemi hequr nëpër familje. Ata u shqetësuan aq shumë sa nuk e merrni dot me mend.

‘Kot nuk e kanë marrë atë masë! Na turpëruat more faqezinj. Mor vagabondë. Edhe ky telash na duhej tani.’ E çfarë nuk na thanë. Por si duket, aty nga fundi i vitit shkollor, ata të drejtorisë a të seksionit të Arsimit, i vunë gishtin kokës dhe ashtu siç na ndëshkuan, ashtu dhe bënë një mbledhje ku na e hoqën dënimin.

Shumë vite më pas, si kishte rënë komunizmi, kur unë isha drejtor i Bibliotekës, më vjen ai fotografi i gjatë, por pak i kërrusur, tani pensionist dhe më kërkon që në njërën nga sallat tona t`i jepja mundësinë që të çelte ekspozitën fotografike me motive nga lufta për demokraci. E pashë që nuk më mbante mend dhe kjo qe normale. “Pa tjetër – i thashë dhe urdhërova punonjësit që ta ndihmonin. Kur të gjitha fotot u vendosën, ai erdhi dhe më tha se kishte dëshirë që ta shihja edhe unë, pasi ndofta mund të kisha ndonjë vërejtje a sugjerim. Zbritëm të dy dhe të them të drejtën ajo qe një ekspozitë mjaft e arrirë, pasi ai ishte mjeshtër i fotografisë artistike. Aty nga fundi, u ndala pak më gjatë tek një fotografi bardhë e zi me përmasa të mëdha. Tre fëmijë fshati, gjysmë të rreckosur dhe të pakrehur, qëndronin të përhumbur pas një gardhi dhe kishin tretur shikimin diku, në në pikë të papërcaktuar. U shtanga, se për mua ajo qe fotografi e njohur, pasi vite më parë qe botuar në një kopertinë reviste me diçiturën: “Me sytë nga e ardhmja.” Kurse tani, po ajo ishte, por autori e kishte titulluar tjetërsoj. Lexova: “Frikë nga diktatura.” Po ky, pyeta veten, në këtë moshë, përse duhet të veprojë kështu? Çfarë synon të arrijë me këtë? Ky nuk ka nevojë të fitojë besimin e askujt, se nuk i duhet gjë. Dhe nuk e mbajta dot të qeshurën. Ai i befasuar më pyeti: “Ç`ka për të qeshur zoti drejtor?” Unë butë dhe si me shaka iu përgjigja: “Ka shumë për të qeshur zoti… Për një qeshje të tillë, dikur na keni thyer dy klasave bashkë notat në sjellje, pas vizitës që bëmë në një uzinë që i kishte rrugët gjithë baltë. Kurse tani, duhet t`ua thyej unë notën në moral, pasi keni vendosur të ekspozoni me tjetër titull, këtë foton e bukur të këtyre fëmijëve që dikur shihnin nga e ardhmja plot shpresë e optimizëm dhe tani del se paskan pasur tjetër mendje; paskan urryer diktaturën.” Ai mbeti ngushtë dhe tha: “Ke të drejtë, duhet hequr. Pse ti ke qenë te ajo shkolla?.. Kemi bërë edhe ne gabime.” I hodha dorën në sup dhe përsëri miqësisht i thashë “Errare humanum est…” Ai, si u mendua një çast, shtoi: Ashtu është, por kjo e ka dhe një bisht nga mbrapa: “… perseverare autem diabolicum.” (këmbëngulja është djallëzore) E dija që ishte mjaft i kulturuar dhe doje s`doje do ta respektoja. Ndaj i thashë miqësisht: “Mirë or zoti… mirë. Por tani eja të dalim e të pimë nga një kafe.”