Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Veçse një ëndërr

97
Sigal

Veçse një ëndërr

Ja kështu, ti erdhe, ndenje, ike,
dhe sikur këtu nuk ishe kurrë!
S’erdhe si e dashur, por si mike
thjesht si vizitore tek një burrë.

Për takimin, tjetër ëndërr kisha,
tjetër doli, siç u ndodh në botë.
Ëndërrova në kulm të trëndafilta;
si një verë a trëndafil në gotë.

Dhe megjithatë them, faleminderit!
Ti më dhe një fluturim mbi një ëndërr.
Nëpër portën hapur prej ylberit
dhe s’ka gjë se ëndrra ishte zhgjëndërr

SERVILI VAJTON SHEFIN

Të mërkurën mbrëma

lajmin seç ta dhanë!

Të lesh telefonin,

zyrën në Tiranë.

 

Të lesh telefonin;

të shkosh nëpër ara.

Të shikosh në brazda

Mbin, apo s’mbin fara.

 

Dhe të mbathësh çizmet

përmbi gju të gjata;

ledh më ledh të bredhësh

gjer të zbresë nata…

 

Plaç moj ditë e zezë!

Plaç moj e mërkurë,

na rrëmbeve Zeqon,

burrin deli burrë!

 

Ishte yll i zyrës.

Fjala jote mjaltë,

s’ishe për ugare,

s’ishte për në baltë.

 

Si do hedhësh vaun,

kur të fryhet lumi

Mbetëm si jetimë,

s’do na zërë gjumi.

 

Ah, kjo zyrë e shkretë

si s’pëlcet së qari?

Iku pikë e burrit,

iku mendimtari.

 

Iku pikë e burrit;

iku po kush mbeti?

Ti ke qënë nderi,

kripa dhe lezeti.

 

Kush do të jetë nuri;

nuri i zyrës sonë!

Kush do bëjë teza

edhe konkluzione?

 

Kush do mbajë fjalën,

fjalën me aq peshë;

fjalën që buçiste

me njëqind rrebeshë?

 

Ç’i kish hije gazi

edhe zemërimi…

Ç’i kish hije balli

rrudhur nga mendimi!

 

Si nuk vumë kujen

lajmin kur ta dhanë:

të lesh telefonin,

zyrën në Tiranë!

 

Pranë teje ndodhem,

miku im i vjetër,

po do jem më shumë

pranë shefit tjetër!