Vendi im
Vendi im është një rrëfenjë
e vjetër sa bota,
është një shpat që zbret poshtë
në krahë të thyer shqiponje,
është një lumë lotësh
që derdhet në një det hidhërimi,
është një pranverë e hidhur dhe e mardhur.
Vendi im është ofshama ime që çpon qiejtë
është një tokë e thatë, e lënë djerrë,
një shpirt i mpiksur nga ngashërimi
në dritë qiriri,
është gjethja e ullirit që tundet fillikate në erë
mbi varret e vjetër, me gurët pa emër,
vendi im është një fshat i braktisur
me puse të heshtur dhe dyer të kyçur.
Vendi im është një poemë e pambaruar.
Eshtë bujtina në rrugën malore
e zbrazët, e verbët, pa njeri,
është vreshta e shkretuar, pylli i prerë rrafsh,
dhe kobi i tokës së braktisur,
është një emigrant me letrën e nënës
mbetur në xhep me fjalë premtimi,
është një kthim i vonuar nën një diell të verbuar.
Mjerisht vendi im është kthyer në plaçkë tregu
i atyre që duan aq shumë pushtetin
që zgjohen e ngrysen me të në shtrat,
është një orgji politikanësh pa skrupull
që dinë veç të premtojnë parajsën.
Por vendi im është dhe një lojë fëmijësh
që kapërcejnë litarin në rrugët e shpresës,
është dhe një ëndër e dielltë,
që shkon ngadalë në hapat e një vajze të re
me një gjoks të njelmët, të kërcyer,
është puthja e ëmbël e fqinjes së dashuruar
dhe dasma që do të bëhet në vjeshtë.
vendi im është dhe mbetet gjithnjë rrëfenjë
që më mban të robëruar gjithnjë…
Poetët vdesin si zogjtë
Arben Shehi shkoi të shuajë
dritën e tij një natë më parë.
Poetët bien si zogjtë,
të parët,
goditur nga rrufetë,
sepse ata janë më afër stuhisë dhe diellit,
poetët janë zemra zogjsh gjithë plagë,
prandaj bien të parët,
krahëthyer e përgjumur
në një vdekje të pambarimtë
dhe në një jetë që nuk shuhet.
Poetët vdesin të parët,
pasi ata kanë rrëmbyer zjarret dhe zërat qiellorë
prandaj dhe qielli i dënon ata,
poetët vdesin të parët nga cfilitja e madhe,
se gjithë jetën ata mbjellin dashuri!
Poetët shuhen nga loti dhe malli i gruas,
poetët të djegin zemrën dhe të lenë pa frymë
me vdekjen e tyre.
Poetët djegin gjithnjë me sytë e tyre të hapët e të lagësht…





















