“Mimozat”
Në degëzat e njoma ngjyrë smeraldi,
toptha të artë hapin petalet…
Me shijen e ëmbël, porsi mjalti,
çdo zemër që prekin, jeton sa malet!
Poleni i butë me flladin vallëzon,
dhe lehtas puth çdo rreze dielli;
Aroma dehëse shqisat i zgjon,
prej dimrit të akullt, shkrin gjithë qielli…
Pluhurin e verdhë hedhur veladon,
që valëvitet përmbi barin e blertë…
Disa pikëza diamanti në tokë pikon,
e njom çdo copëz dheu të sertë.
Kështu vazhdon pjalmi i lumturisë,
në zgavrat e pranverës lulet të ngjizë;
Krekosur mimozat drejt kaltërsisë,
përjetësisë nga lart, t’i dhurojë filizë…
“Rri Larg…”
Më thanë të rri larg,
larg çdo vendi pa hapësirë…
Atje ku frymës i venë çark,
edhe shuajnë fjalën e lirë!
Të qëndroj larg çdo posti,
që kërkon pushtet të kamur;
Botëkuptimin nxjerr nga boshti,
me grykësi aspak të ndalur….
Sa më larg më thanë të rri,
larg atij që shtiret me dije…
Pa taban le çdo shtëpi,
kur thur dokrra dhe rri në hije!
Rri larg, sa më larg!
Tej portave të përgjumura…
Gjithë çelësat renditur qark,
po hapin shtigjet e humbura…
Më thanë të rri larg,
por kurrë vendin mos braktis;
Në nevojë t’i thur varg,
të nderuar për çdo fis…
Të ik larg, por jo nuk mundem;
Me zemër e mendje do jem afër…
Në më bëfshin të lëkundem,
si zjarri u shoftë çdo vatër!




















