Suplementi Pena Shqiptare/ Mexhit Prençi: Drama “Shokët ” në Teatrin Popullor

396
Sigal

Kritikë teatrale, botuar ne gazetën “DRITA” 2 mars 1969,

Spektakli “Shokët”  në Teatrin Popullor në Tiranë përcjell mesazhe  kritikuese për dukuritë negative të shoqërisë e teatrit

DRAMA “SHOKËT” E DRAMATURGUT TË RI BASHKIM KOZELI NË TEATRIN POPULLOR

MEXHIT PERNCI

Në këto  shenime te shkurtëra, nuk më duket e nevojshme te merrem me analizën e dramës “Shokët” si vepër letrare, mbasi për këtë është shkruar më parë, por mund te theksoj se dramaturgu i ri Bashkim Kozeli, në këtë vepër të parë dramatike te tij, ngre probleme të rëndësishme: në raportin e kolektivit me  individin, lufta kundër egoizmit mikroborgjez dhe  vlerësimit të njëanshëm të  punës së tjetrit etj. Ndoshta kjo qe arsyeja që drama u vu në skenë nga dy teatro profesionistë dhe tani së fundi, në Teatrin Popullor në Tiranë.

Bashkim Kozeli

Spektakli  i shfaqjes “Shokët”,  në këtë teatër është një realizim i mirë. Në këtë spektakël trasmetohen me kthjelltësi idetë e dramës. Regjisori Pandi Stillu, është përpjekur që, me mjetet shprehëse teatrale të nxjerrë në shesh mendimet e autorit, duke i dhënë shfaqjes një frymëmarje të gjërë, gjallëri dhe jetë. E konsideroj vlerë edhe aktivizimin e aktorëve të rinj në këtë shfaqje dhe bashkëpunimin  aktorë profesionistë dhe amatorë, duke u besuar edhe role kryesore. Mendoj se  shfaqja pati gjallëri dhe freski, pikërisht nga kjo qasje regjisoriale, si një ndër faktorët kryesorë të suksesit. Regjisori Stillu, shquhet edhe në bashkëpunimin regjisor-aktor, duke bërë bërë punë të mirë për  identifikimin dhe evidentimin e figurës së aktorit në skenë. Kjo duket  në krijimin e mizanskenave. Regjisori nëpërmjet pyetjeve: kush je? çfarë bën? çarë qëllimi ke?; në një ngjarje, situatë dhe rrethanë e nxit aktorin ta ndërtojë vetë lëvizjen skenike që e çon aktorin në një interpretim të natyrshëm, të thjeshtë e me  detaje që e pasurojnë spektaklin  me mjete figurative shprehëse aktoriale, ngjizur me ato regjisoriale. Gjatë vënies në skenë të kësaj drame në Teatrin Popullor, regjia bashkë me autorin kanë bërë edhe ndryshime të tekstit. E shoh të arsyeshme të ndalem në këtë çështje. Në variantin e Teatrit të Vlorës,  vepra kishte dy linja kryesore, që me gërshetimin e tyre, evidentonin domethënien ideo-politke dhe shoqërore të dramës. Linja e parë kishte të bënte me luftën e kolektivit kundër egozmit dhe mendjemadhësisë së Sokolit, ndërsa linja e dytë trajtonte marrëdhënjet e dashurisë së Verës me Sokolin. Kjo e fundit ishte në funksion të linjës kryesore. Në variantin e Teatrit Popullor dramës iu shtua edhe një linjë e tretë, ajo e parashutisteve të reja. Përpjekjet e regjisurës për të futur   një linjë të tretë në dramë, ndonëse qëllimi ishte  i mirë për ta zgjeruar e pasuruar veprën në përmbajtje dhe ide, mendoj se ishin krejtësisht të pa nevojshme. Ajo nuk është futur  organikisht, por mekanikisht në strukturën e dramës dhe jo në funksion të idesë kryesore,  çka e ka zbehur  unitetin strukturor të saj,  që  nuk pranon as montazhin, as  subjekte dokumentare, që zvetënojnë forcën ideoartistike dhe emocionale të shfaqjes. Strukurën e dramës e ka dëmtuar edhe krijimi nga regjia i  një talboje të zgjatur  pas zgjidhjes së konfiktit, gjë që cënon vlerat artistike të dramës. Një problem tjetër në këtë shfaqje është edhe kuptimi i ngushtë  i termit “masë” në skenë. Ky problem është i dyfishtë. Ka të bëjë me autorin dhe teatrin. Mendoj se si nga dramaturgu ashtu edhe nga regjisori, ky problem nuk trajtohet drejt. Masa siç është vënë re ne disa  spektakle të teatrove të tjera,  po edhe në spektalin ”Shokët”,  është konceptuar vetëm nga ana numerike, se sa nëpërmjet figurave artistike. Kjo dobësi e dramës dhe shfaqjes “Shokët”,  është e theksuar veçanërisht në tablonë e fundit  të  variantit  të Teatrit Popullor. Ideja per të nxjerrë edhe rolin e vajzave ushtarke në çështjen  gadishmërisë, është realizuar duke futur në skenë një numër të madh vajzash. S’kemi këtu figura artistike, por një turmë. Në përgjithësi, gjatë tërë spektaklit është ndjekur kjo rrugë kur ka patur ndeshje midis Sokolit dhe kolektivit. Megjithatë në shfaqje del deri diku edhe roli i kolektivit në edukimin e Sokolit, siç e kërkonte edhe metoda e realizmit socialist. Në spektakin “Shokët”, shquaj përpjekjet pozitive të regjisorit Pandi Stillu, për  interpretimin realist të aktorëve. Kjo qasje regjisoriale duket  që në prirjet e regjisorit për t’i orientuar aktorët drejt interpretimit sa më të natyrshëm, larg ekzotikës e teatralitetit drejt teatrit realist të kohës sonë. Këto i shpreh edhe dekori i shfaqjes me  skenograf Tonin Shiroka i cili qe funksional, i thjeshtë, realist dhe i bukur, përveç skenave në shtëpi, të cilat ishin të ngarkuara  e natyraliste. Loja e aktorëve në përgjithësi prirej drej interpretimit realist. Mendoj se është punuar  mirë në këtë drejtim nga regjisori. Deklamacioni, pompoziteti, fryrja e figurave, kantilena  e mërzitshme dhe një farë natyralizmi, që ishin të pranishme në skenën e këtij teaarit po sfumoheshin  nga suksesi i lojës së  thjeshtë e realiste të aktorëve të rinj.  Guljem Radoja në rolin e Sokolit, hyri në lëkurën e personazhit, zbuloi domethënien ideoartistike të figurës dhe u përpoq të realizojë Sokolin egoist  e mendjemadh, që lufton për lavdi personale në fillim, por  gjatë zhvillimit të ngjarjeve, rrethanave e situatave, nën ndikimin e kritikave të shokëve të punës, dalëngadalë  fillon të ndryshojë, kupton vetveten se ku është dhe bën kthesën, e cila në tekst nuk është e motivuar, siç ndodhte edhe në veprat e dramaturgëve të tjerë. Interpretimi i Radojës  në tërësi ishte realist dhe i natyrshëm, por kishte edhe momente, kur nga sforcimi u pritej rruga  emocioneve. Mendoj se mund të kishte punuar edhe më tej me rolin për të evidentuar  momentet më të rëndësishme që t’i jepte personazhit ngjyrimet e duhura. Agroni, i Xhemil Taganit, qe një personazh i dashur për publikun. Tagani na e jep Agronin si shok të mirë, i cili të qorton kur ke të meta, por nuk të flak tutje. Antoneta Papapavli në rolin e Verës, intepretoi me sinqeritet dhe ngrohtësi. Ajo shpirtëzoi vajzën e shkathët  që kishte dëshirë dhe pasion të bëhej parashutiste; vajzën që i rrihte zemra për dashuri, e cila di të dashurojë dhe të mbajë qëndrim edhe ndaj të dashurit,  kur është çështja për të mirën e gjithë shqiptarëve.  Dy personazhe simpatikë Gjyshja dhe Njaziu, Marika Kallamata mjeshërisht skalit figurën e gjyshes, ndërsa Dhimitër Pecani shpirtëzon figurën e Njaziut. Të dy u duartrokitën fort nga publiku Luan Qerimi luajti figurën e Komisarit si njeri i pjekur, i sjellshëm  dhe me qartësi  gjykimi. Ndërsa Qenan Toro në rolin e Lamanit, hyri thellë te peronazhi  e  me art dha  domethënien  ideo-artistike të personazhit. Në përgjithësi, edhe aktorët e tjerë interpretuan me nivel të mirë si pjesë integrale e këtij spektakli.

***

Spektakli “Shokët”,  në Teatrin Popullor në Tiranë,  përcjell mesazhe  kritikuese për dukuritë negative të shoqërisë e teatrit dhe evidenton dukuritë e vlerat pozitive  si kumte  për ndryshim  e progres.