Kam pasur rastin ta takoj nga afër Justinën, bashkë me mikun e saj të afërt, poetin Petro Marko. Me flokë të bardha, fisnike dhe si e dalë prej tjetër kohe. E kujtoj si “një çudi” takimi me Shkupin, në kohën kur isha gazetar te “Zëri i Popullit”. Doja të shkruaja për një prej luftëtarëve të Spanjës, Ramiz Varvaricën dhe miku im, Petro Marko, “më nxori nga sikleti”.
“Si në filma m’u duk ai takim. Petroja më tha: Merr një shishe raki te Goni, banakierja dhe unë e mora. Ishte natë dimri, ora 19:30-20:00 e natës dhe përfunduam në katin e parë të një spitali të Tiranës, në mos gaboj tek Infektivi. Petroja hapi një derë ku rrinin të sëmurë dhe atje shikoi një grua të vockël, që mund të ishte rreth 70 vjeçe, por shumë e fisme, me flokë të bardhë të shkurtër dhe shumë e pastër, me sy shumë të zgjuar e të mirë. Ishte hera e parë që i shihja at ë grua, Justina Shkupin. Miqësia dhe intimiteti mes Petro Markos dhe Justina Shkupit ishin lehtësisht të lexueshme. “Ndryshe nga ç’prisja unë, Petro nuk foli, por u dëgjua një zë i ngritur i kësaj zonje: ‘Petro, mos hyr! Turp të kesh! S’ke ardhur sot paradite!’, e shumë gjëra të tjera të tilla. Ndërsa Petroja reagoi, duke i thënë: ‘Mos më shaj, se kam ardhur me miq!’ dhe e përqafoi atë. Nuk po flisja. Gjithsesi Petroja qeshi me mua dhe tha: E kam mik këtë!’.
Një grua e fisme, e vogël në trup dhe që i pëlqente të pinte dhe dehej shpesh, Justina Shkupi ishte një grua e gjallë, plot humanitet. ‘Mjaftonte thjesht përmendja e emrit të saj, e të gjithë shqiptarët duhej ta njihnin, por për këtë njeri nuk ishte shkruar kurrë. Edhe pse ishte e vetmja shqiptare femër që kishte qenë mes dhjetëra antifashistëve të Spanjës.
Ai kujtoj me detaje takimin mes saj dhe Petro Markos, si dhe bisedën që bëri me vetë Shkupin.
Sa i thashë emrin Ramiz Varvarica, ajo lëshoi lot. Ishte një grua që jetonte e vetme, e pamartuar, një njeri që jeton me kujtime. Për çudinë time, hapi sirtarin e nxori një palë gërshërë e më tha: Me këto gërshërë ia pastronte dhe ia priste fashot motra! (shën.: Në Luftën e Spanjës, Justina Shkupit nuk i thërrisnin me emër, por i thoshin motra). Pyeta veten, si është e mundur që të ruante për 60 e ca vjet një palë gërshërë, që i ka pasur në Spitalin e Spanjës. Me këto gërshërë kishte mjekuar Ramiz Varvaricën, i cili ishte plagosur disa herë dhe ajo tregoi hollësi nga momentet, kur ai u plagos për herë të parë dhe për herë të dytë. Justina Shkupi ishte infermiere edhe për të tjerë, por këta ishin patriotët e saj, ata me të cilët rrinte përditë.
Mbi komodinën në kokën e krevatit, ku qëndronte në spital, Justina mbante një fotografi të vogël, në atë kohë të 30 viteve më parë, ku ishin bashkë të gjithë shqiptarët e Luftës së Spanjës e ku në qendër ishte ish-kryeministri Mehmet Shehu. “Filloi të më tregojë për secilin. Më foli për Ramiz Varvaricën dhe të tjerët, për këtë plejadë njerëzish, që kishin lënë universitetet jashtë Shqipërie apo si ishin shkëputur nga letërsia e me radhë”.
Pas vitit 1985, në Shqipëri kishte mbërritur një gazetare spanjolle, e cila dëshironte të shkruante diçka për vullnetarët shqiptarë në Spanjë. Gazetarja spanjolle pati një takim në hotel “Dajti” me poetin Petro Marko dhe e pyeti atë veçanërisht për Justina Shkupin. “Ajo gazetare e kishte parë me adhurim Petron dhe e kishte pyetur veçanërisht për Justina Shkupin: ‘Të lutem, zoti Petro, më tregoni ku ka shtatore, bust, apo ndonjë institucion dedikuar Justina Shkupit”, i kishte thënë ajo Petros. Kujtoj që Petro Marko, i vënë në siklet, i kishte thënë se “ka kaq shumë buste” dhe kishte sajuar një përgjigje, që të mos binte në sy dhe i ishte shmangur edhe ditën tjetër gazetares, pasi ishte vërtet e turpshme që për këta njerëz, për këta luftëtarë të lirisë nuk kishte asnjë monument, që të nderonte figurën e tyre. Është ende për t’u vërejtur se nuk ka akoma një shtatore apo ndonjë institucion shëndetësor, që të mbajë emrin e infermieres së njohur dhe luftëtares Justina Shkupi.
Në vitin 1974, Kristina Hoshi Koljaka krijoi një skulpturë për Justina Shkupin, por që mbetet e pa ekspozuar. Ndërsa shumë vite më vonë, një shkolle në Kombinat iu dha emri “Justina Shkupi”. Por vetëm kaq, asgjë tjetër nuk është bërë për të kujtuar emrin e kësaj gruaje të shquar shqiptare.