Suplementi Pena Shqiptare/ Ago Nezha: Balil Nezhë Dukati, i këndoi Xheraldinës: Manxhare leshëra tëndë/Qysh e shkele vëndin tënë

678
Sigal

 

Diçitura/këngëtaret e Dukatit që kënduan këngë për Mbretëreshën/Nga Ago Nezha

 

Ali Pashë Tepelena, në dasmën e djalit ku morën pjesë mbi 3000 vetë, ngriti një dolli me kupën e verës për shëndetin e kërcimtarëve lab

 

 Prof. Dr. Ago Nezha “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

 

Labëria është një minierë e madhe, që brenda vetes ka pasuri të rralla, si patriotizmin, atdhetarizmin, trimërinë, bujarinë dhe  mençurinë popullore dhe i ka dhënë kombit Shqiptar shumë gurë të çmuar në historinë e saj shekullore. Por një nga xhevahiret unike,  me shumë vlerë dhe të pavdekshme, që e kanë shoqëruar trevën e Labërisë, në tërë jetën dhe veprimtarinë e saj, është polifonia labe, pjesë e polifonisë Shqiptare. Polifonia labe, është një burim i kristaltë, që rrjedh nga malet e serta të kësaj krahine epike dhe lirike. Ajo, të tundon ndjenjat dhe shpirtin nga  harmonia rrëqethëse, që nuk ngopesh kurrë duke pirë në gurrën e saj të pashtershme dhe e ke vështirë ta shuash etjen, sepse ajo të shtohet e shumohet sa herë që e dëgjon. Kjo, është magjia e polifonisë labe. Në konstelacionin e yjeve të polifonisë shqiptare, kënga labe shndrit me një ndriçim vezullues, që ka ndezur flakë, çdo skenë të festivaleve, brenda dhe jashtë vendit. Ajo, ka përcjellë në shekuj ngjarjet madhore, si luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror. Ka përjetësuar në vargje, gëzimet, dashurinë, hidhërimet, trimëritë, besën, bukuritë natyrore dhe veprimtaritë shoqërore. Në këngët labe nuk mungon dhe humori, sarkazmat, romuzet, epitetet e metaforat që krijojnë një mozaik shumëngjyrësh. Kënga labe ngjan me një sorkadhe çapkëne që kërcen nga brigjet e Jonit përbri maleve Akrokeraune dhe ngjitet në vargmalet e Kurveleshit. Por kufijtë e saj nuk janë kyçur brenda trevës së Labërisë, ajo i ka kapërcyer kufijtë etnik duke u bërë pronë edhe e krahinës së Lunxhërisë, Zagorisë, të Dishnicës së  Përmetit, si dhe fshatrave për rreth, Malishovës, etj, duke zbritur si zonjë e rëndë në Mallakastrën e sipërme. Ky “inventar” tregon se kënga labe, rrok tërë universin e krahinës së Labërisë dhe më gjerë, duke e përcjell si një enciklopedi brezash, që kanë përjetësuar doket, zakonet, traditat dhe dukuritë e veçanta të personalitetit unikal të labit. Edhe kur nuk shkruhej e mësohej shqip, polifonia ishte një formë komunikimi mes njerëzve. Fillimisht, ajo ka lindur si nevojë për të transmetuar mesazhet, ndjenjat dhe marrëdhëniet e ndërsjella, mes grupeve minore, shoqërore. Kur dëgjon këngën e Kallaratit, monofoninë “Ç’u këput një këmbë mali”, të kënduar me mjeshtëri nga Zeqo Hoxha, apo treshen e Dukatit, si  “Atje te lisi në brinjë”, që ka në përbërjen e grupit, një marrës virtuoz si Bego Vangjeli,  kthyesin Leko Gjoleka dhe hedhësin Sulo Bozhani, kupton qartazi, se kënga labe, ka lindur në male, në vetminë e këtyre banorëve baritor, si një nevojë për të shprehur realitetin shoqëror, të një komuniteti të izoluar brenda rrethanave të kohës. Ajo, ka shkrepur si rrufe në dritën e vetëtimës. E më vonë, me shoqërizimin e jetës nga monofoni, kaloi në polifoni, që mori përpjesëtime e shtrirje të gjerë. Është e kuptueshme, se në male me bagëti, ku sundonte prona private, e kishin të vështirë të gjenin shokë e të bashkoheshin në evente jetësore, si në gëzime dhe hidhërime. Ndaj, ndjenjat të ndrydhura në vetminë e individit, shpërthenin mes këngës,  te një bari i vetmuar, apo një grup i vogël barinjsh, që kishin kooperuar bagëtitë sipas fqinjësisë së kullotave.

Polifonia labe, është tepër e larmishme, e me një kolorit befasues.

Zona të ndryshme, kanë karakteristika të ndryshme. Disa fshatra të Labërisë këndojnë shtruar, me zë të ngadaltë, disa me ritëm të lartë dhe disa të tjera siç janë fshatrat e bregdetit, këndojnë furishëm si dallgët e detit dhe kënga shpërndahet si valët, që përplasen me njëra tjetrën në breg të detit. Ajo çka është e përbashkët te kënga Labe, është struktura, që ka katër zëra duke filluar me marrësin, vazhdon me kthyesin, hedhësin dhe së fundi me grupin e isos. Kjo është polifonia, që do të thotë zëra të përbashkët ose bashkim zërash. Disa pseudostudiues, të ashtuquajtur akademik, na e kanë emërtuar me termin komik ” Iso Polifoni”. Ky term është një plagjiaturë komerciale të disa tregtarëve të trashëgimisë kulturore.

Zërat e bukur të Labërisë, pëlqehen jo vetëm nga komuniteti vendas, por edhe nga të huajt. Nuk është rastësi, që kënga e Lapardhasë “Janinës ç’i panë sytë”, fitoi çmimin e Parë në festivalin Ballkanik të Ohrit, apo treshja e Dukatit, fitoi medalje Ari në festivalin e Kanës në Francë. E shembuj të tillë ka plot, që tregojnë për magjinë e polifonisë labe. Kënga labe, është një pasuri e çmuar në fondin e polifonisë Shqiptare. Polifonia labe, ka bërë jehonë në shumë vende të zhvilluara të qytetërimit botëror, për origjinalitetin, muzikalitetin natyror dhe veçoritë dalluese.

Afirmimi i këtyre vlerave të pazëvendësueshme, mori jetë me festivalet legjendë, gjigante të Gjirokastrës, që prezantoi dhuntitë e polifonisë, nga Jugu në Veri. Ky festival unikal, ka qenë një akademi e shpalosjes së vlerave të këngëtarëve virtuoz dhe grupeve madhështore me një kolorit gjithëpërfshirës, duke filluar nga zërat e magjishëm te instrumentet popullor, si fyejt e krahinave të Jugut, çiftelia e trevave të Veriut, sazet e Përmetit, etj. Me ardhjen e demokracisë u zhvlerësua kjo pasuri e madhe kulturore tradicionale. Ruajtja dhe promovimi i këtyre vlerave në ceremoni kombëtare e ndërkombëtare, është një kontribut i çmuar që kanë dhënë në vitet post komuniste shoqatat e polifonisë. Veçanërisht  “Shoqata Polifonia Shqiptare me kryetar Yzeir Llanaj, ka organizuar dhjetë festivale ndërkombëtare, prej të cilëve dy në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë dhe tetë nën siglën “Bylispolifonia “, që është një risi në traditën e folklorit Shqiptar. Organizatorët tradicional të këtij festivali, për tetë herë rresht, ngjan me një pallat  tetë katesh, që vazhdon të ngrihet në qytetin antik të Bylisit, nën kujdesin e Profesor Fatos Klosit dhe të Kryetarit të shoqatës z. Yzeir Llanaj. Ky festival tashmë tradicional i folkut shqiptar, ka promovuar shumë grupe me identitet të shprehur, nga krahina dhe fshatra me rrënjë në historinë e Labërisë. Bylispolifonia, është një simbol i thirrjes së kujtesës për të evokuar rrënojat e teatrit antik të Bylisit, për të ruajtur në kujtesën popullore vlerat unikale etnokulturore të trevës së Labërisë, të ndërthurura me ato të zonës së Mallakastrës. Në festivalin e Bylisit kanë marrë pjesë grupe me tradita folklorike që nisin nga zanafilla e festivaleve magjike të Gjirokastrës dhe grupe të rinjsh që duan ta ruajnë dhe transmetojnë polifoninë në breza.

Nuk ka grup në Labëri pa histori.

Një nga grupet që ka sjellë risi në këngën labe është grupi i Dukatit i drejtuar nga këngëtari virtuoz Fatosh Liko. Ai, është nderuar disa herë me çmime  duke filluar nga çmimi i Parë në vitin 2000, që është përsëritur edhe në festivalin e Bylysit, për interpretimin e këngës labe që ka përcjell emocion, dashuri, energji, entuziazëm, optimizëm dhe larmi zërash. Grupi i Dukatit i në vitin 1970, futi për herë të parë gruan në grupin e burrave si marrëse e këngës mësuesen Pika Ferruni dhe theu një tabu që nuk kishte ndodhur më parë se grupi i burrave dhe i grave ishin të veçuar. Kënga Labe këndohet pa muzikë. Për ta gjallëruar dhe instrumentalizuar këngën labe grupi i Dukatit futi Culën Dyjare, me mjeshtrin Bejo Vangjeli, që ka marrë disa çmime të para si në Festivalin e Gjirokastrës, ashtu edhe në festivalin e Lezhës me rastin e 500 vjetorit të vdekjes të heroit tonë kombëtar Skënderbeut, në Lushnjë me rastin e 50 vjetorit Kongresit të Lushnjës, etj.  Organizimi i festivaleve të polifonisë, është një sfidë denoncuese që i bëhet Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve kulturore shtetërore, që për 28 vjet nën demokraci, e kanë braktisur këtë thesar shekullor të popullit tonë, polifoninë dhe e kanë zëvendësuar me “ Festivalin e Miseve të Botës”. Një anakronizëm fyes për traditat dhe zhvlerësimin e pasurisë tonë popullore.

Kënga labe ka impresionuar shumë personalitete jo vetëm vendas por dhe të huaj. Polifonia labe është kënga e perëndive, që se ka humbur origjinalitetin edhe pse ka udhëtuar në thellësitë e shekujve, nga Kaonët, të cilët gjatë luftërave për të rritur optimizmin e luftëtarëve këndonin e hidhnin valle. Kur e dëgjon këngën labe menjëherë të kujton imitimin e natyrës, fëshfërimën e gjetheve të pyllit, gurgullimin e ujërave të lumenjve, zhurmat e erërave të malit, simfoninë e këmborëve dhe zileve dhe blegërimën e qengjave dhe vërritjen e kecave. Këtë e përligj dhe studiuesi i shquar Eqrem Çabej, që thotë se: “Melodia e këngës së vjetër labe është me burime baritore; ajo të kujton melodinë e përfituar nga tringëllima e këmborëve dhe zileve”.

 

Bajroni dhe vallja e ushtarëve të Ali Pashë Tepelenës

Ndërsa Bajroni, duke parë vallen e ushtarëve të Ali Pashë Tepelenës, shkruan: “Kërcimet e bukura…janë të pirrikes së moçme, sidoqoftë, kjo është valle burrash , kërkon aftësi të madhe në lëvizjet trupore, është fare e ndryshme nga romakja stupike, me të hedhura e të dredhura, e grekëve”. Në të gjitha gostitë dhe ceremonitë festive të pashallarëve, mbretit dhe udhëheqësve komunist, nuk mungonte pjesëmarrja e grupeve labe. Mjafton të evidentojmë disa evente siç është rasti i dasmës të djalit të Ali Pashë Tepelenës, ku morën pjesë mbi 3000 vetë, ku Aliu u emocionua së tepërmi dhe ngriti një dolli me kupën e verës për shëndetin e kërcimtarëve lab. Edhe në dasmën e Mbretit Zog, ku ishin të ftuar grupe këngëtarësh dhe valltarësh, nga Veriu dhe Jugu, grupi Lab, la mbresa për të pranishmit. Mbreti Zog, i tha Xheraldinës se sipas zakonit Shqiptar, kafen miqve duhet t’ua jap nusja. Dhe kështu u veprua. Kur u afroi tabakanë me kafe Xheraldina, njëri prej këngëtarëve dhe valltarëve virtuoz Balil  Nezhë Dukati, ai e uroi me këngë Xheraldinën, siç bëjnë rapsodët lab e improvizoi në moment, duke ju drejtuar me këto vargje: “

Manxhare leshëra tëndë

Qysh e shkele vëndin tënë,

Kaluar, apo në këmbë?

Kaluar se s’dija vëndë,

*Lanen’ e pastë jot’ ëmë

Të dha në derë të rëndë…

U trete qiri në këmbë

Kafe miqve duke dhënë

Manxhare qostek sahati,

Njëzetë vjeçe te i jati,

Njëzetë vjeçe tek e jëma,

Në prag të derës e brenda!..

 *Manxhare = Magjarë = Hungarezë *Lanenë= Lanetin

Kjo këngë ka fituar qytetarinë dhe këndohet edhe në ditët e sotme në gjithë trevën e Labërisë. (Foto e grupit të Labërisë)

Magjia e polifonisë labe, ka prekur dhe impresionuar ndjenjat dhe mendjet e korifenjve të letrave shqipe, nga Jugu në Veri. Mjafton të sjellim në kujtesën tonë thënien e Nolit të madh, që kishte lënë amanet, kur të vdiste ta qanin me ligje labe. Ai, shkruante se: “ Shpërblimi më i mirë do të jetë një këngë prej labësh dhe labëreshash”. Por ato gra që i rrinin te koka e Nolit, të përlotura, nuk dinin gjë për këtë amanet. Akademiku kosovar Profesor Rexhep Qosja, Rilindës i kohës tonë, gjatë një vizite në trevat e Labërisë, u mrekullua jo vetëm me bukurinë natyrore të kësaj krahine historike, por dhe me bukurinë shpirtërore të këtyre njerëzve, e veçanërisht me magjinë e këngës Labe. Në përshëndetjen që i bëri Kuvendit të Dytë të Labërisë në Vlorë, më 21 maj të vitit 2001, ai ndër të tjetra theksoi se:  “Në të vërtetë Labëria, ashtu siç e përjetova unë, është Shqiptaria. Labëria shpirtërore, është Shqipëria natyrore, e kjo do me thënë Shqipëria etnike”. Dhe aty, vazhdon:

“Me këngën labe të djeshme e të sotme, jetojnë shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare. Askund më bukur se me këngën labe, u binda dhe vetë, nuk janë kënduar kosovarët dhe shqiptarët, kudo qofshin ata. Në to, Kosova heroizohet më madhërishëm se në çdo këngë tjetër popullore të krijuar në trevat shqiptare. Kënga e labërishtes është shembulli më i ndritshëm i vetëdijes së pandarë. i vetëdijes gjithëkombëtare shqiptare. Dhe kjo është e kuptueshme. Ajo është këngë e fuqisë morale, shpirtërore të Labërisë, e cila tash njëqind vjet është faktor kryesor kombëtar, që e lëviz historinë shqiptare të Labërisë, që është bërë thelbi shqiptar”. Këto citime, s’kanë nevojë për interpretime, se do ju prishej bukuria e fjalës së mençur të këtyre dy gjenive të popullit tonë. Të thëna kaq bukur, s’janë përshkruar e përkufizuar, nga asnjë studiues e specialist i folkut shqiptar. Ajo, që duhet theksuar në ditët e sotme, është ruajtja, pasurimi dhe transmetimi te brezi i ri, si një pasuri kombëtare, identitare për krahinat e ndryshme të popullit tonë. Dhe këtë mision, më mirë se Shoqata “Bylispolifonia”, nuk e bën askush në ditët e sotme.

 

 

II

KANINA – BALLKON I VLORËS

 

Nga prof.dr Ago Nezha “Mjeshtër i Madh”

 

Kanina – kroi i Profetit

E kryetarit të shtetit,

Të parit e të vërtetit,

Mendimthellit, fjalësherbetit.

 

Në ballkon të bukurisë

Nur i Aristokracisë,

Hijeshi e Labërisë,

I jep nder Shqipërisë.

 

Kanina – “Nderi i Kombit”,

Që shkëlqen prej medaljonit,

Kanina e mençurisë,

Mirënjohje e Labërisë.

 

Zoti vetë e ka qëndisë

Si simbol të trimërisë,

Djep’ i Donik’ Kastriotit,

E pikturuar prej zotit.

 

Çfarë ka lindur Kanina?

Trimëresha edhe trima,

Me kryetrimen Rugjina,

Që shkrepte si vetëtima.

 

Kanina – ballkon i Vlorës,

E qëndisur prej kurorës,

Deti i zgjat dallgët e dorës,

Spërkatur me parfumin e dëborës.

 

Kanina – kurorë e malit,

Djepi i Ismail Qemalit,

Ç’ emër që i dha vatanit

Përtej detit e oqeanit!

 

Kanina – qytet kështjellë,

Bij e bijat ndriçojnë diell,

Plot heronj e heroina,

Ka me se mburret Kanina!

 

 

FOTOGRAFIA

Nga gjyshi, Prof. Dr. Ago NEZHA, 

që nipin e ka aq shumë xhan

 

Sa futemi në dhomë, na del fotografia,

E si engjëll i bukur na përshëndet,

Ç’ buzëqeshje të ngrohtë na fal Elia,

Ç’ ëmbëlsirë mjaltore me sy na jep.

 

Elia i vogël në krahët e mamit

dhe në krahët e babit sa shpejt po rritet,

po bëhet burrë nipi im i xhanit,

Jua ndriçon jetën si rreze drite.

 

Fluturuan  muajt, u mbush një vit,

Ja 12 Shkurti, ai u bë i madh

Nga urimet tona trimi u rrit,

Si sheleg i përkëdhelur në livadh.

 

Nga zemra i nisim dhe 100 vjet të tjera,

Me mami Isidën e babi Karlon i gëzuar,

Në qiellin e lumturisë mbjelltë pranvera

E fluturoftë krahëhapur si zog i shkruar.

 

Buzëqeshja e Elisë 

Djalit të vajzës që sot mbush 7 vjeç –

 

Buzëqeshja jote – një rreze drite

Që vjen në zemër e më ngroh,

Mua, Gjyshit më bën mbret të kësaj dite,

O Elia i bukur, o ylli që shoh!

 

Dhe ditët rrëshqasin, ikin vitet

Si zogj fluturojnë, pa i kuptuar,

Si gonxh’ i freskët Elia rritesh,

Zbukurohesh nga syth i ëmbëlsuar.

 

O Elia, o shpirt i vogël i gjyshit tënd,

O muza e poezisë në moshë të bardhë,

Si Isidën e Karlon, nga Qielli i nëntë

Si gjerdan margaritari na ke ardhë…

 

 

AGO NEZHA

 

Takim i pa harruar

Grimcëza malli…

 

U mblodhën veteranët e bujqësisë,

Ngarkuar shpinën plot me kujtime,

Ata që i dhanë dritë Shqipërisë,

Dhe s’e njohën fjalën përfitime.

 

 

U mblodhën vlonjatët e Sheshit Flamurit,

Që ëndrrat rinore fushave i lanë,

Që jetën ja kushtuan misrit e grurit,

Që popullit, bukë e begati i dhanë.

 

 

U mblodhën në lokal si dikur në arë,

Drejtues të talentuar ekonomie,

Agronomë, zooteknikë, veterinerë e kryetarë,

Mbuluar me thinjat që bukur u bëjnë hije.

 

 

Shumë shok nga rreshti janë larguar,

Kur bëhet apeli asnjë nuk mungon,

Fëmijët e tyre i kanë zëvendësuar,

Sot i kujtojmë me veneracion.

 

 

Çifti i humorit, Qaniu e Kamberi

E kanë mbjellë dikur humorin si grurë,

Sot mungon kripa, por është sheqeri,

Humori brilant i tyre s’vdes kurrë.

 

Na mungojnë sot specialistë e kryetarë,

Njëri prej tyre është dhe Ruzhdiu,

Por kanë lënë prapa trashëgimtarë,

Që koha e acartë emrin dot s’ua fshiu.

 

Sot mes jush ndodhet Vullneti,

Djali që babain e virtytshëm zëvendësoi,

I veshur me mantel deputeti,

Emrin e Ruzhdiut më lartë do ta çojë.

 

Veteranë të bujqësisë, të jeni krenar,

Se vepra Juaj ka vulën e kohës,

Brezat që latë pas trashëgimtarë

Me syzet e realitetit do ta shohin.

 

Urimi im për ju do të jetë:

Të jeni krenarë për ç’latë pas,

Qofshi të lumtur, jetë e shëndet

Rreth gotës së rakisë plot humor e gas!