Maskarada e 30 Qershorit, Tritan Shehu: Votimet ishin nul, çfarë mendoj për propozimin e Metës…

426
Sigal

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu ka qenë i ftuar sot në studion e lajmeve të Fax News, ku ka komentuar situatën postzgjedhore në vendin tonë.

Sipas Shehut ajo që ndodhi në 30 Qershor është një proces nul dhe i pavlefshëm, që tentoi të acaronte edhe më shumë klimën mes qytetarëve në vendin tonë. Ish-deputeti foli dhe për kërcënimin që iu bë kreut të KQZ-së Klement Zguri, duke thënë se kjo është gjuha e mbjellë nga ‘’Rilindja”.

“Padyshim që në këtë mënyrë stimulohen keqbërësit që përdorin mjetet e dhunës, dhe janë përdorur dhe në proceset e votimeve nga Rilindja. Ky është një akt që duhet dënuar”, u shpreh Shehu.

I pyetur nga gazetarja Klaudja Karabolli, nëse ka opozita mjaftueshëm fakte për manipulimin e procesit zgjedhor, Shehu tha se kjo është e parëndësishme, sa kohë që i gjithë procesi është antiligjor.

“Unë mendoj se ne kemi kolonën kryesore, që është fakti se zgjedhjet janë të paligjshme, janë zgjedhje nul, pasi e konfirmon dhe raporti i OSBE-Ohdir, i cili thotë se dekretin e presidentit mund ta hedhë poshtë vetëm Gjykata Kushtetuese. Ata i kanë pasur në dorë të gjitha, janë provokacione që duhet të dënoheshin nga ana e prokurorisë, të tjerat janë argumenta dhe shtesa. Në Shqipëri nuk ka pasur jo zgjedhje, po as votime”, deklaroi më tej ish-deputeti, i cili theksoi se në të gjithë qarkun e Gjirokastrës, që ai mbulon ka pasur manipulime skandaloze.

Ndërkohë që Shehu ka folur dhe për ofertën e Metës, për zgjidhjen e krizës, që synon mbajtjen e 3 palë zgjedhjeve në Tetor, duke e konsideruar këtë si një mundësi serioze për daljen nga ngërçi në të cilën ndodhet vendi.

Image