Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xh. Dëshnica: Mysafiri i mbrëmjeve

195
Sigal

Në një fshat mbi Kuç, pas Qafës së Gomares, jetonte me njerëzit e vet, Hamza Hodo. Megjithëse ishte kohë lufte, të gjithë fshatarët punonin si në paqe, pa u lodhur, qoftë duke mbjellë e korrur, qoftë duke u marrë me vreshtarinë e bagëtitë. Buka, mishi, si edhe rakia nga rrushi, nuk u mungonin kurrë. Prej rrushit bënin edhe pekmez, rahni e uthull. Nga dhentë e dhitë merrnin qumështin, nxirrnin gjalpë, djathë, dhallë dhe hirë. Nga pulat – vezët.

Hamzai, burrë i mençur e bujar, i priste miqtë me raki, meze e kafe. Mikun e largët e luste të rrinte  për darkë  dhe të flinte  si në shtëpinë e tij. Veçse nuk i shihte me sy të mirë disa, që endeshin kohë pa kohë në dyert e botës, ndaj i pëlqente shprehja e njohur turke: “Një ditë mysafir, dy ditë mysafir, të tretën ngrehu e ik, o qafir!”

Gjatë dimrit, zjarri në vatrën e Hamzait, me kërçepa lisi, nuk shuhej as ditën e as natën. Darka tek ai shtrohej e pasur, me supë nga lëng mishi, me vezë të fërguara me gjalpë, me pula të pjekura e pilaf, me byrek dhe, në fund, vinte ëmbëlsira me qumësht, mjaltë e fruta.

Siç ndodhte shpesh në ato mbrëmje dhjetori, u dëgjuan në oborr të lehurat e egra të qenve, Balikut e Murros.

– O Hamza,  lidhur i ke qentë, ore?!

I zoti i shtëpisë doli në çardak, në krye të shkallëve, dhe u përgjigj:

– Hyr, o, hyr, se të lidhur janë!

Dhe nuk doli i gabuar. Ai ishte Qazo Shkoza, nga lagjja e poshtme, tek asnjë pyll me drurë shkoze s’kishte bërë hije ndonjëherë. Gjithë njerëzit e shtëpisë së Qazos merreshin me punë, por atij nuk i zinte vendi vend, as kur priste thëllimi. Bridhte ku t’i shkrepej, por më  shpesh shtyhej si era drejt shtëpisë së Hamza Hodos. I pëlqente ta kalonte  mbrëmjen atje, me tërë ato të mira, që i shtronin para, duke i dhënë muhabet të ëmbël pranë zjarrit. Megjithatë, thoshte me vete: “Si s’më mbajti një herë për darkë pa më ftuar, xhanëm!” Qazo Shkozës i kujtohej se kur ftohej te Hamzai në raste gëzimi, shqepej me të ngrënë e me të pirë. Ndaj këtë herë e kishte vendosur të mos largohej thatë.

– Mirë se ju gjej! – tha, duke ngjitur shkallët.

– Urdhëro e zër vend në qoshe!

– Më ra udha këtej, – ia nisi Qazua, – ndaj mendova të kthehem pak, sa për t’ju pyetur si jeni.

– Mirë se erdhe dhe të faleminderit!

I zoti i shtëpisë i zgjati dorën dhe i hodhi kutinë e duhanit.

– Pardje na kënaqe me atë darkën, që shtrove, or Hamza! Dje kishe prapë miq, më thanë, ndaj s’të erdha dot, po shkova e u ngula te Isufi.

Djali i mesëm pruri në tabaka një shishe me raki dhe dy gota qelqi, meze me mëlçi dashi, djathë dhe bukë të ngrohtë. Qazos iu dukën pak, gjithsesi u kënaq.

– Dimër, hë ? – e mori fjalën i zoti i shtëpisë.

– Dimër, jo llafe!

– Ftohtë jashtë!

– Ftohtë, the!? Të dridhen dhëmbë e dhëmballë! Pa, pa, pa!

Kaloi një kohë e gjatë duke folur për rrojtjen, punën dhe luftën.

Qazos i pëlqente të tregonte histori nga fshati për bëma të pabesueshme të një gruaje, që pinte duhan të dredhur dhe mbante kobure në brez si burrat. Pastaj vazhdonte me mullisin, që marrkësh  drithë nga thasët e fshatarëve më shumë sesa i takonte, ndërsa asaj gruas me kobure ia bluante bereqetin falas.

Hamzai dëgjonte dhe fliste pak.

Dikur biseda e tyre ngeci dhe po tërhiqej zvarrë. Me të mbaruar rakia dhe mezetë, mbërriti pa vonesë kafeja. Ajo do të thoshte se qe bërë vonë dhe mysafiri duhej të ngrihej e të ikte. Kafenë e nxjerrë shpejt, në popull e quajnë “sikterkafe”.

Biseda mbaroi, por Qazua as kujtohej ta linte shiltenë prej lëkure dashi. Mendja atij i punonte për darkën, që do të shtrohej më pas. Ndaj dhe u gëzua, kur Hamzai nisi të fliste prapë:

– Jashtë,  siç po e marr vesh nga veshët që me kruhen, paska për të rënë shi i madh! Njerëzit, që do t’i zërë  udhës, do t’i bëjë qull, po edhe mund t’u kallë plevitin.

– Ashtu them edhe unë, por neve s’ka ç’na bën! Jemi mirë këtu! Shtëpinë  e ke të ngrohtë ti, Hamza, dhe çatinë të mbuluar me tjegulla të reja.

Por, Hamzai vazhdoi në të tijën:

– Pas shiut do të rënka breshër i fortë! Njerëzit, duke ecur nëpër të, është rrezik të rrëshqasin e të thyejnë qafën!

– Mirë thua, çfarë nuk bën vaki në këtë botë!

– Pas shqotës, do t’ia nisë dëbora, më duket! Dhe do t’u zërë frymën rrugëve, sa as mushkat nuk do t’i çajnë dot. Kush do të gjendet jashtë në ato orë, do të eci duke parë ëndrra. Pastaj do të përplaset mbi dëborë për gjumë dhe së fundi do të ngrijë, do të shkojë në djall, do t’u bëhet kismet ujqëve të babëzitur.

– Ç’e lodh mendjen aq! – qeshi Qazua. – Ne s’na gjen gjë këtu brenda! – Zjarrin e kemi me bollëk! Po të duam, rrimë e gdhijmë me muhabet.

Ra heshtja përsëri. Dëgjohej herë pas here kërcitja e druve në vatër. Jashtë, qetësinë e natës e prishnin herë – herë të  lehurat e qenve.

– O Qazo!

– Urdhëro, të paça!

– A më ke mik?

– Ç’është ajo fjalë! Mik e shkuar mikut!

– Kam rënë në një hall, që ta dish zotrote!

– Çfarë halli, thuama!

– Më duhen disa napolona flori, për të blerë nja dy qe dhe një lopë! Vras mendjen, kujt t’ia kërkoj!

Qazo Shkoza nuk u ndie. Pa majtas, u ngrit në këmbë dhe hodhi sytë në dritare. Jashtë ishte terr. Nuk dukej asgjë.

-Bobo! – ia ktheu. – Mirë the ti, Hamza! Do të rënka shi me gjyma aq sa nuk ka ndodhur kurrë në anët tona! S’është çudi t’ia nisë edhe ndonjë breshër sa një kokër arrë! Po edhe dëborë mund të bjerë, mbase! Mund të mbyllen rrugët për javë të tëra, siç the zotrote. E di ç’ke? A nuk i vëmë qylaf muhabetit tani? Ika unë!

– Rri, o Qazo Shkoza, sa ta mbaroj llafin, të paktën!

– Ika! Ika ! Mbeçi me shëndet!

Jashtë u dëgjuan prapë të lehurat e egërsuara të qenve të lidhur. Djemtë  u turrën t’i qetësonin.