Flutura Açka: Kafeja… ndonjëherë si hareja

166
Sigal

Vite më parë, gjatë një tranziti në Malpenza, piva një kafe ekspres të nxituar, shijen e së cilës nuk e kam harruar kurrë në jetën time. Për atë kafe isha gati të merrja edhe një herë avionin. Kur ia thashë këtë një mikut tim shkrimtar, mblodhi supet: “Për një kafe?”

Ca muaj më vonë m’u desh ta bëj tranzitin sërish nga po ai aeroport dhe ndala tek i njëjti qoshk me padurimin të shijoja kafen time. Por nuk ishte e njëjta, kishte shije të zbarët. Kështu që nuk do të më duhet të marr avionin për një kafe.

Unë nuk kisha pirë kafe, por gjendja ime… Dhe besoj kështu na ndodh të gjithëve, kafja shijon në varësi të vendit, njerëzit që na rrethojnë atë çast, ngjyrat ku janë ngulur sytë tanë, por mbi të gjitha gjendja brenda nesh.

Kur nuk jam në Shqipëri, ndonjërë më merr malli shumë për kafenë e zezë të mëngjeseve të mia në Tiranë, në shtëpi. E pi “të mesme pa pak”, pra mes të hidhurës dhe së mesmes. Vite më parë kur e porosisja kafen e zezë në ndonjë bar, kamerierëve u thosha se e doja “të mesme me pak” dhe pastaj ua bëja shpjegimin se ç’do të thoshte. Im bir e dëgjoi një ditë këtë përshkrim, pra se e dua gati të hidhur kafenë e zezë, dhe më tha: “Kjo që po kërkon është e mesme pa pak”. Nga ajo ditë edhe togfjalëshi që përkufizon kafenë time të mëngjesit ndryshoi.

Ndonjëherë, një miku im i vyer vjen të më takojë dhe ngaqë e di që kafet e mia të zeza, prej vitesh janë edhe më të zeza, më thotë: “Eja të pijmë një kafe bojëkafe”. Pasi edhe kafeja ndërron ngjyrë në varësi se me kë e pi. Kafeja ndonjëherë është zehereja, e ndonjëherë hareja.

Kur oficerët holandëzë të Misionit të Paqes 1913-14 mbërritën në Vlorë në mbrëmjen e 9 nëntorit 1913, u pritën me kafe te selia e Qeverisë së Përkohshme dhe pinë për herë të parë kafen e zezë, çast që e përshkruaj kështu, e bazuar në shënimet e tyre:

“Kur erdhi kafeja, zërat u fikën një çast dhe dikush u shpjegoi holandezëve se si pihej kjo lloj kafeje. Ja, lihej të kullohej pak dhe atë që mbetej, mund ta surboje si të qe eleksir. Sheqer po, pihej e ëmbël. Qumësht jo. Kjo është kafe e zezë dhe qumështi e njollos.”