Suplementi Pena Shpiptare/ Shpendi Topollaj: Adulteri

213
Sigal

Ferdi ishte martuar pak vonë. Me Vojsavën ishin njohur në një hotel të një qyteti të vogël bregdetar, ku ajo pushonte së bashku me një shoqen e saj gjatë verës, dhe ku ai kishte shkuar me një ekip nga televizioni ku punonte. Do bënin disa xhirime për një program se si ishte gjendja e turizmit atje dhe kishte zgjedhur ato të dyja për t`i intervistuar. Vojsava kishte kryer studimet e larta për jurisprudencë dhe ishte brisk nga goja. Por edhe nga paraqitja s`kishte të sharë. Pastaj, kishin pirë nga një kafe, madje dhe darkën e kishin ngrënë së bashku dhe kishin shkëmbyer numërat e telefonave. Më pas, ishin takuar disa herë, dhe natyrshëm kishin kuptuar se ishin prerë për njeri – tjetrin. Nuk kishin arsye që të mos shkonin mirë. Edhe ekonomikisht nuk ishin keq. Kishin blerë një apartament në një pallat të ri dhe e kishin mobiluar për qejf. Fëmijë nuk nguteshin të bënin. Ajo punonte në një dikaster, kurse ai kishte kohë që kishte filluar një program si moderator. Tre herë në javë, mbasditeve, atë do ta shihje në ekran, ku trajtoheshin tema nga më të ndryshmet si papunësia, marrëdhëniet e nuseve me vjehrrat, droga, adoleshenca, pasionet, prostitucioni, emigracioni, ëndërrat, devijimet seksuale, haluçinacionet, librat, fobitë, filmat, kënga në vite, pronarët, të përndjekurit, integrimi në shoqëri, karakteret etj, etj. Thërriste lloj – lloj specialistësh dhe intelektualësh dhe e vërteta qe se emisionet e tij ndiqeshin me shumë interes. Mirëpo, me interes mezi i priste këto emisione edhe e shoqja, e cila duke pasur një lidhje jashtëmartesore me një kolegun e saj të punës, shfrytëzonte mungesën e tij, për të kaluar nja dy orë të këndëshme me të. Ai zdapi i gjatë, vinte tek ajo sapo shihte në ekran se ai kishte filluar emisionin. Ishte i sigurtë se ai nuk dilte nga studioja, pa mbaruar, ndaj as që donte t`ia dinte se mos e gjente kush atje. Rrinte me Vojsavën si në shtëpinë e vet, ku ia shtronin me pije që aty nuk mungonin kurrë. E kishin zakon që televizorin ta mbanin hapur me qëllim që të shihnin se kur ai duhej të ngrihej e të ikte, por edhe që Vojsava të kishte ç`t`i thoshte Ferdit kur ta pyeste se si doli emisioni.

Një herë Ferdi i tha së shoqes:

– Sot e kemi të fortë. Kam zgjedhur si temë adulterin, tradhtinë bashkëshortore. Do analizojmë shkaqet dhe arsyet e këtij fenomeni në vendin tonë dhe kam thirrur psikologë, sociologë, mjekë dhe shkrimtarë të njohur. Ka për të dalë bukur.

– As që e vë në dyshim. Temë mjaft interesante kjo. Po ku të ka shkuar mendja? Dreqi vetë je. – i tha ajo që më shumë po gëzohej që ai po e linte vetëm.

Pastaj, duke e përcjellë te dera, se nga i erdhi dhe i tha:

– Veç askush nuk e di, dhe sidomos ata të ftuarit vetë, në i kanë aq besnike gratë e tyre.

Nuk tha gjë Fredi, veçse një “Mirupafshim!” dhe doli.

Emisioni filloi në orën e caktuar. Në studio kishin zënë vend të ftuarit, të gjithë njerëz të nderuar. Ferdi, pasi bëri prezantimin e tyre dhe të temës që do rrihej, ua dha fjalën me radhë. Ata zunë të tirrnin teori dhe të debatonin rreth temës. Biseda, veç anës akademike, erdhi edhe duke u konkretizuar.

Ishte e ulur aty një grua e re dhe mjaft e bukur, pedagoge kjo, që i kishte shalët përjashta dhe që me nazet e saj dhe atë të folurën gjithë përkëdhelje, i jepte bisedës një lezet të madh. Seç kishte një si qesëndi në atë buzëqeshjen e pandryshuar. Asaj vetë, sikur i lexohej në fytyrë tradhtia ndaj të shoqit. Ajo, për ta bërë bisedën më të kuptueshme, por dhe për të treguar se sa dinte, tha:

– Kot lodhemi, se gruaja ka tradhtuar vetë Pushkinin, këngëtarin më të madh të dashurisë. Ju e dini historinë e Natalisë që shkonte me kolonelin D`Antes dhe ndofta me vetë carin.

Këtu biseda u ndez edhe më shumë. Dhe për të mos mbetur pas, një psikolog që nga palët e gushës i rridhe djersa çurkë, foli:

– Ehu! sa raste ka nga historia. Mbreti diell, Luigji i XIV – të ja dridhte Mari Terezëz sa herë donte.

E u fut debati në një rrjedhë pa fund që mos e pyet. E nuk mbeti burrë shteti, filozof, artist e poet pa u përgojuar.

– Po, shkaqet, shkaqet e këtyre tradhtive na duhen – orientonte herë pas herë Ferdi. – Është faji i bashkëshortëve apo ka ndonjë arsye tjetër?

Jo ka, jo s`ka, vajti puna deri tek Ezhen Syja, i cili, sipas shkrimtarit që ndodhej në studio, tek “Misteret e Parisit” paskej thënë se e gjithë kjo bazohet te fuqia tërheqëse, joshëse e frutit të ndaluar. Se po t`i hiqke këtij fenomeni, frikën, emocionet, ankthin, fshehtësinë… atëherë puna do vente si tek ai që kur e pyetën se përse nuk martohesh me atë vejushën, dashnoren tënde, ishte përgjigjur se e kam menduar edhe këtë, po ku do t`i kaloja netët pastaj.

Këtu Vojsava, duke u shkrirë e tëra në krahët e gjatë të të dashurit të saj, kishte qeshur me të madhe dhe i kishte dhënë të drejtë atij Ezhen Sysë:

– Paska qenë i zgjuar ky francezi. Pikës i paska rënë.

– Ose, ose i ka rënë pi… – deshi të bënte shaka dashnori i saj, që ashtu gjysmë i zhveshur dhe gjysmë i dehur, nuk po e lëshonte gotën e kristalit me kampari dhe shtoi:

– Ose edhe mund të ketë pasur shumë përvojë.

Emisioni paraqiste në ekran dhe një numër telefoni dhe nga kjo merrnin pjesë në të me gjykimet e tyre shumë njerëz, burra e gra nga të gjitha anët. Bënin pyetje, shprehnin mirënjohjen që ky emision i arrirë po u hapte sytë dhe falenderonin vetë Ferdin që dinte t`i zgjidhte këto tema kaq të domosdoshme për kohën.

Mirëpo, ndodhi ajo që askush s`e imagjinonte. Dikush, me një zë të trashë tha diçka që e prishi fare emisionin:

– Ore zoti moderator! Mirë e ke ti me këtë emision. Po mos pyet të ftuarit për shkaqet e adulterit, pasi këtë mund ta mësosh duke pyetur gruan tënde. Shko shpejt në shtëpi dhe shihe me kë e ke.

Ferdi u turbullua pak dhe u mundua ta kapërcente situatën duke thënë:

– Siç e shihni të nderuar telespektatorë, në emisionin tonë të hapur, ka nga ata që shfrytëzojnë rastin për të na ofenduar. Por ne do vazhdojmë punën tonë deri në fund, pa u shqetësuar nga ndërhyrje të tilla pa edukatë. Ne jemi një televizion serioz dhe mundohemi të bëjmë emisione serioze. Publiku ynë këtë e di mirë dhe ne e falenderojmë atë. Prandaj, le të vazhdojmë emisionin tonë të përbashkët.

Ama nuk ngjau e njëjta gjë me Vojsavën dhe të dashurin e saj. Atyre u doli konjaku nga hundët. U bënë esëll dhe ashtu me brekë nëpër këmbë s`panë nga vajtën.

Teksa ai zdapi u zhduk sa hap e mbyll sytë, Vojsava, duke lyer buzët para pasqyrës, kuptoi qartë, sesa të drejtë kishte ai shkrimtari francez, kur fliste për emocionet. Por dhe u kujtua se e kishte gjetur përgjigjen e dyshimit të saj, se ata të ftuarit e emisionit, s`kishin garanci për besnikërinë e grave të tyre, e jo më të na përrallisnin për Pushkinin, i cili edhe vetë e kishte pohuar:

Kush u beson psherëtimave

të femrave që njomin sytë:

kur ua than lotët qepallave,

ndonjë dashnor i dytë.