Nëpër lakadredhat e nëntokës
ngatërroi rrugën uji
e burimi shterri.
Shtegtarët, etjendezur
mësuar të shuajl rreshkun në të
ndërruan rrugën
veç zogjtë në grykë të tij
curratën këngë shiu
sqepin të njomin
e zëri i tyre
i zgjoi kujtesën ujit.
Aromë e robëruar *
Më mahnisnin trëndafilat
tek zbulonin misterin e tyre
fletë-fletë
deri në zemër
të robëronin aromë
dhe fikeshin bukur.
Sot,
tepër snobë,
plaken gonxhe
pa mësuar ç’do të thotë
të çelësh.
Bëhu harrim i bukur *
Toka përtërin veten çdo pranverë
dhe trupi qelizat
e shkuara bëhet shpejt harrim.
ndaj, mos ki frikë
jeto
të paktën,
bëhu harrim i bukur!
*
Në pyllin e rreshkur etjes
kërcasin
nën këmbë
të thatat degë e gjethe,
se vdekja dhemb.
Dhe presin shiun t’ua zbusë britmën
e gjithçka të bëhet
e shkuar.




















