Pavarësisht vendimit të ministrisë për të mos lejuar ndërtimet në zonat turistike deri më 15 shtator, Blendi Gonxhe i ka hapur rrugën kompanisë ‘’2B&U Company” për ndërtimin e një kulle 12 katëshe në Radhimë.
Leja është dhënë nga Këshilli Teknik i Ministrisë ndërsa më herët, aplikimi ishte shqyrtuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit që drejtohet nga kryeministri Edi Rama.
Projekti përmban: ‘Strukturë polifuksionale me dy korpuse me funksion banim, hotel dhe shërbime me 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11 dhe 14 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë’.
Kompania kishte aplikuar që në dhjetor të 2024 për lejen e ndërtimit.
Lidhjet e ‘’errëta’’ të kompanisë së themeluar nga Vexhi Danaj
Në maj të këtij viti, SPAK sekuestroi disa biznese në kuadër të goditjes së grupit të Troplinëve që drejtohet nga i shumëkërkuari Elvis Doçi i njohur si ‘’Visi i Pojës’’.
Në listën e sekuestrove është edhe televizioni ‘Vlora Cable’ i cili është nën pronësi të Nexhemedin Danajt.
Ky i fundit dy ditë pas konferencës së SPAK ku u njoftua masa e sekuestrove ndaj bizneseve i kaloi aksionet e ‘’Vlora Cable’’ në pronësi të vëllait Vexhi Danaj.
Ky i fundit nuk rezulton të jetë i përfshirë direkt në grupin Troplini, por është themeluesi i ‘’2B&U Company” që do të bëjë ndërtimin e kullës.
Si kompania ashtu edhe “Vlora Cable” kanë të njëjtën adresë.
Aksionet e kompanisë që do të ndërtojë kullën, i janë kaluar fëmijëve të Vexhi Danajt pas hetimeve të SPAK.
Pavarësisht lidhjeve të dyshimta këshilli teknik i ministrisë së drejtuar nga Gonxhja, i ka dhënë dritën jeshile kompanisë për të ndërtuar.





















