FRANCË- Një kështjellë me vlerë rreth 2.6 milionë euro, 2 apartamente, llogari bankare me mbi 2 milionë euro dhe mjete motorike janë disa nga pasuritë e identifikuara në Francë që sipas SPAK i përkasin biznesmenit Ermal Beqiri, në kërkim nga SPAK për abuzimet me tenderët e AKSHI-t.
Kështjella, e quajtur Château d’Auteuil, rezulton me një sipërfaqe prej 1200 metrash katrorë, daton prej shek. XVI. Ajo ndodhet në komunën Berneuil-en-Bray, në departamentin Oise, rreth një orë larg Parisit. Kompleksi është i rrethuar nga park dhe gardh mbrojtës, ndërsa fasadat dhe çatitë gëzojnë statusin e monumentit historik të mbrojtur nga shteti francez. Sipas regjistrave francezë, më 30 dhjetor 2024 Château d’Auteuil u shit për 2.612.200 euro, e cila përputhet me atë të përmendur nga SPAK, ashtu si edhe vendndodhja në Oise, që prokuroria gjithashtu e citon. Në faqen zyrtare të kësaj rezidence, figuron emri i biznesmenit.
Vendosja e Beqirit në Francë, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK nuk duket e rastësishme. Në këtë shtet ai ka kaluar shumë vite të jetës së tij, fillimisht si student. Madje pavarësisht sekuestros së gjithë pasurive që dispononte në Shqipëri, Beqiri ka arritur të krijojë paralelisht një perandori financiare në shtetin francez. Pikëpyetjet janë ende se si ka arritur biznesmeni që të transferojë paratë atje.
PASURITË PËR TË CILAT KËRKOHET SEKUESTRO NË FRANCË
Llogari bankare me një vlerë dy milionë euro
dy apartamente
Kështjelle në departamentin e Oise (60) rreth 2.6 milion euro
Mjete motorike etj
PASURITË E SEKUESTRUARA NË SHQIPËRI TË BEQIRIT
– Truall me vendndodhje në Green Coast, Vlorë;
– Truall me vendndodhje “Hoxha Tasim”, Tiranë;
– Ndërtesa dhe truall nr. 5/3;
– Truall dhe ndërtesë nr. 38/36, Rolling Hills Tiranë
– Apartament në Golem, Kavajë;
– Mjet lundrues Yacht “Skyfall”;
– Subjekti “S.S” sh.p.k.;
– Subjekti “H” sh.p.k.;
– Njësi shërbimi në rrugën “Çerçiz Topulli”;
– Automjete dhe motomjete sipas regjistrave;
– Të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe subjekteve;.






















