Një situatë jashtëzakonisht e rëndë është krijuar në disa fshatra të Bashkisë Peqin, ku zjarret masive vijojnë të përhapen me intensitet, duke përfshirë dhjetëra hektarë me ullishte, pemishte, arrorë, shkurre, bimësi dhe sipërfaqe të tjera bujqësore.
Në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa flakët kanë vijuar të avancojnë në disa drejtime, prioriteti kryesor i strukturave të angazhuara në terren është bërë mbrojtja e jetës së banorëve dhe parandalimi i përhapjes së zjarrit drejt banesave.
Mobilizim nga disa bashki dhe Forcat e Armatosura
Përballë përmasave të situatës, në ndihmë të forcave zjarrfikëse të Bashkisë Peqin janë mobilizuar ekipe dhe mjete nga Cërriku, Belshi, Gramshi, Fieri, Berati, Kuçova, Tirana, Kamza, Lushnja dhe Rrogozhina.
Në operacion janë përfshirë gjithashtu forca të ushtrisë, ndërsa në terren vijojnë të jenë të angazhuara strukturat e emergjencave civile, shërbimet zjarrfikëse dhe autoritetet vendore.





















