Rrëfimi nga Fatos Kongoli/ “Kapitulli i Amerikës” Në vazhdim të një kronike të papërfunduar për vetveten –

505
Sigal

Pavarsisht situatës së pandemisë, shkrimtari sjell kujtimet në librin “Kapitulli i Amerikës” – në vazhdim të një kronike të përfunduar për vetveten. Mjeshtëria e tij letrare të jep kurajë dhe optimizëm për të ecur përpara dhe për të jetuar.

Fatos Kongoli sjell kujtimet e tij në librin me titull “Kapitulli i Amerikës”

Pavarësisht situatës së pandemisë, krejtësisht të pafavorshme për zhvillime normale në fushën e botimeve, ne vendosëm të hedhim në qarkullim librin e ri të shkrimtarit Fatos Kongoli “Kapitulli i Amerikës”, duke menduar e gjykuar që ky ishte momenti i duhur për ta lexuar këtë libër të pazakontë me kujtime. Them i pazakontë, sepse në thelb ky është libri nga ku mund të marrësh Kurajë dhe Optimizëm për të ecur përpara dhe për të Jetuar. Si një vazhdim i natyrshëm i librit të mëparshëm “Iluzione në sirtar”, libri i ri sjell kujtime të autorit, reflektime dhe përjetime të tij në situata vërtet për t’u shënuar. Betejat që dha në luftë kundër Kancerit, dhimbjet pasoperacionale, frikërat, humbja e shpresës, përballja me vdekjen dhe kthimi në jetë, falë mbështetjes të mjekëve dhe të miqve të tij të shumtë që luajtën rol vendimtar në rigjetjen e ekuilibrit shëndetësor, psikologjik dhe fizik të Kongolit.   Një pjesë e rëndësishme e kujtimeve lidhet me pasaportën e re të Kongolit, si qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zbulimet e tij i ndividuale në raport me këtë vend, jeta e tij e re pranë fëmijëve që zgjodhën të emigrojnë në SHBA pas zhgënjimeve që patën në Shqipëri, takimet me njerëz të njohur aty, figura të rëndësishme të kulturës shqiptare, aktivitete të realizuara me dashuri e nostalgji… Në “Kapitulli për Amerikën” lëviz një galeri e tërë personazhesh publikë, me emër të përveçëm, që jeta e deshi të ishin pjesë e momenteve të rëndësishme që Kongoli përjetoi gjatë periudhës që përshkruan në libër. Mjeshtëria e tij letrare ndihet në çdo faqe të këtij libri dhe shpresoj e uroj që leximi i tij t’ju jap kënaqësinë që prisni prej tij.

Irena Toçi

KAPITULLI I AMERIKËS Në vazhdim të një kronike të papërfunduar për vetveten –

PJESA E PARË

Ideja për të hedhur këto shënime më ka lindur në rrethana disi të veçanta, kur as e mendoja e as dëshiroja të shkruaja përsëri. Nga fillimi i vitit 2018, në muajin janar dhe, më pas, në shkurt, iu nënshtrova dy operacioneve radhazi për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Nuk dua të zgjatem këtu me hollësirat e sëmundjes, por mbaj mend turbull diçka: një nga miqtë e mi, gjatë një vizite që më bëri në spital, i nxitur ndoshta nga çfarë ishte thënë ato ditë për gjendjen time, më sugjeroi që sapo ta merrja veten, të shkruaja përjetimet e mia. Është vërtet e çuditshme përse ky sugjerim më kujtohet mirë dhe nuk e mbaj mend fare se kush ma bëri.  Lodra të vetëdijes dhe të pavetëdijes, them tani, në kufijtë ku këto takohen, ndërfuten te njëra-tjetra. Kur nuk e kupton se ku je, në cilën botë, për të mos thënë kur nuk e kupton mirëfilli nëse je gjallë, apo i vdekur. Ndryshe nuk mund ta shpjegoj përse, në ekranin e trurit, si refleks i asaj bisede, zunë të më shfaqeshin skena të një nate të errët kur uragani “Sandy”, ndër më shkatërrimtarët që ka goditur ndonjëherë gadishullin “Rockaway Beach” në Queens të Nju-Jorkut, nga fundi i tetorit të vitit 2012, u vërsul me tërbim, duke mbjellë vdekje, disa dhjetëra të vrarë nën rrënojat e shtëpive dhe dëme të tjera materiale të pallogaritshme.  Në gjendjen kur vetëdija dhe pavetëdija kurdisin ç’të duan, dola nga nata e errët, u vendosa tek e nesërmja, dhe e nesërmja m’u shfaq me një anije të rrëmbyer nga furia e përbindshme e erës dhe ujërave, e flakur si një cingël nga bregu i Oqeanit Atlantik, në mesin e një rruge automobilistike, që përshkonte një qendër të vogël të banuar. Ideja e këtyre shënimeve pluskoi brenda meje kur përpiqesha të zgjidhja një enigmë që po më mundonte: kur dhe kush më kishte sugjeruar të shkruaja përjetimet e mia të asaj nate të frikshme të uraganit “Sandy”?  Sigurisht, thashë me vete në një çast kthjellimi të atyre ditëve, nëse unë vërtet do të bëhem për të shkruar, si më sugjerojnë miqtë e mi, më shumë një dëshirë e tyre, kjo për të më dhënë zemër, sesa një mundësi reale, pra nëse do të ndodhte që unë të ulesha sërish pranë tryezës së punës, do të zgjidhja të përmbushja pa ngurrimin më të vogël sugjerimin lidhur me përjetimet e mia për uraganin “Sandy”.   Unë nuk e besoja se një çast i tillë do të vinte. Për më tepër, siç e vura në dukje, nuk kisha më asnjë dëshirë të shkruaja. Mirëpo të shkruarit doli se ishte për mua një sëmundje shumë më e fortë, sesa ajo nga e cila sapo kisha shpëtuar mrekullisht. Një sëmundje nga e cila nuk gjen dot shërim. Dhe mbërriti dita që iu drejtova tryezës së punës. Për të qenë i saktë, prej kohësh, qysh përpara se t’u nënshtrohesha operacioneve, unë nuk mbyllesha më në mjedisin tim të parapëlqyer, njëfarë studioje, ku gjendet edhe tryeza ime e punës. Prej kohësh punoja në prani të Lilit, bashkëshortes sime, në dhomën, ku rrinim zakonisht, ku prisnim ndonjë vizitor, njëherazi e përdornim edhe si dhomë ngrënieje. Mjeti i punës: një laptop “Samsung”. Kur më në fund u ktheva në shtëpi pas nja shtatë-tetë muajsh mungese, në fillim në spital, pastaj në vilën e mikut tim Julien Roche (Zhylien Rosh), m’u desh njëfarë kohe të mësohesha me gjithçka, edhe me laptopin, t’i rifitoja shprehitë e dikurshme. Sado ngathtësish, këto i rifitova. Por, ajo që ia vlen të nënvizoj me këtë rast, është se në laptop, pashmangshëm gjeta një roman të filluar, të mbetur në mes të rrugës për shkak të sëmundjes. E kam fjalën për romanin me titull “Gënjeshtarë të vegjël”. Nuk ia kisha zënë me gojë askujt. Edhe pas kthimit në shtëpi nuk ia zura me gojë askujt. Ai po më dukej si një qenie e braktisur nga unë vetë. U ndjeva borxhli ndaj tij. Dhe e vendosa, nuk do të merresha me asgjë tjetër pa u shlyer me këtë qenie të braktisur. Kështu ndodhi që për disa muaj u mora me romanin “Gënjeshtarë të vegjël”, derisa mbërriti çasti kur teksti u mbyll me fjalën “FUND”. (6 mars, 2019) Atëherë mbeta bosh, u përpiva nga vuajtja e të qenët bosh. Në atë zbrazëti, brenda meje u zgjua vetvetiu ideja e kllapisë sime në spital. Tashmë, jo thjesht për të hedhur përjetimet nga uragani “Sandy”, por për diçka që shkonte përtej tyre. “Kapitulli i Amerikës”, do ta quaja.

  1. Për herë të parë kam shkuar në SHBA, në New York (tash e tutje do ta shkruaj Nju-Jork), te fëmijët e mi, në korrik të vitit 2002. Një vit më parë atje kishte qenë Lili, në periudhën e verës. Fill pas kthimit të saj prej andej, ndodhi tragjedia e 11 shtatorit. Në atë kohë, unë kisha ende një përfytyrim naiv – nuk gjej cilësim më të përshtatshëm – për Amerikën, dua të them SHBA-në. Kisha gjithashtu një përfytyrim po aq naiv për Europën. (E duam Shqipërinë si gjithë Europa!) SHBA-ja dhe Europa në sytë e mi përfaqësonin një botë të vetme, Perëndimin. Por, nëse në këtë përfytyrim nuk kishte asgjë të gabuar, bindja e rrënjosur brenda meje, gjatë dekadave të diktaturës, se kjo ishte një botë ideale, ku mbretëronin mirëqenia, harmonia etj. etj., ishte pa dyshim e gabuar. Një naivitet, me të cilin sot do të zbaviteshin edhe adoleshentët. Vitrina e Perëndimit për ne shqiptarët, ndër qeniet më të shtypura e më të izoluara të rruzullit, ishin veçanërisht kanalet televizive italiane. Televizorët ende nuk kishin hyrë në përdorimin e përditshëm dhe familjet, që kishin një aparat të tillë, numëroheshin me gishtat e dorës. Më të rrallë ndodhte që dikujt t’i vinte ndonjë televizor nga jashtë. Më kujtohet se si një mikut tim të fëmijërisë i mbërriti një televizor nga një i afërm në Amerikë, dhe shtëpia e tij u kthye me plot kuptimin e fjalës në kinema. Ai banonte në një shtëpi përdhese me oborr. Mbrëmjeve e nxirrte televizorin jashtë dhe oborri mbushej plot e përplot me shokë e miq, që rrinin atje deri në orët e vona, duke ndjekur programet. Përgjithësisht kjo ndodhte në të gjitha ato familje që kishin një televizor, pavarësisht se ku jetonin, në një shtëpi me oborr apo në ndonjë apartament.  Deri atëherë valët televizive të kanaleve italiane, transmetoheshin nga antenat e Dajtit posaçërisht për një rreth tepër të ngushtë në sferat më të larta të nomenklaturës. Duket, për shkak të ndonjë “dekonspirimi” nga njerëzit e tyre, ato zunë të kapeshin edhe “poshtë”, dhe regjimi për çudi nuk e vlerësoi menjëherë rrezikun. Me shtimin e shpejtë të numrit të televizorëve në përdorimin masiv, si nevojë e propagandës së ditës, shkujdesja e regjimit nuk vazhdoi gjatë, mamutët e diktaturës reaguan, transmetimet nga Dajti u ndërprenë. Kjo është një temë jashtë synimit të këtyre shënimeve, por, lidhur me këtë, nuk mund të rri pa kujtuar një episod qesharak. S’dihet sesi edhe pasi u ndërprenë sinjalet e Dajtit, për njëfarë kohe këto vazhduan të lëshoheshin mbrëmjeve, në orën njëzet, me sa mbaj mend, dhe ne mund të shihnim të famshmen “Telegiornale” në Rai 1, domethënë emisionin e lajmeve. Sapo mbaronin lajmet, ndërpritej edhe sinjali. Sinjali ndërpritej menjëherë edhe në një rast tjetër… kur në ekran shfaqej figura e Papës! Një nga idiotësitë më të papërfytyrueshme të censurës së regjimit. Derisa edhe transmetimi i emisionit të lajmeve u vlerësua i rrezikshëm dhe u ndërpre.  Thashë se vitrina e Perëndimit për ne shqiptarët kanë qenë sidomos kanalet televizive italiane. Ç’është e vërteta, një vitrinë sugjestionuese, marramendëse, plot drita etj. etj. Me këtë shpjegohet që ballafaqimet e para të shqiptarëve me Perëndimin, falë përfytyrimeve plot iluzione të gabuara, të krijuara ndër vite për një botë që ata e njihnin vetëm nga ekrani i televizorit, kanë qenë dramatike, mjafton të kujtojmë eksodet e fillimit të viteve ’90, të shekullit të kaluar drejt Italisë. Pa dyshim, Perëndimi ishte dhe është një botë me vite dritë larg botës mjerane ku jetonim e jetojmë ne, kjo është një ndër arsyet e shumta, që edhe sot e kësaj dite prirja për të braktisur vendin, për të marrë arratinë drejt Perëndimit, mbetet po ajo e viteve ’90, por me një ndryshim. Shqiptarët nuk janë më naivët e fillimit të viteve ’90, nuk besojnë asnjë lloj vitrine. Thënë ndryshe, nuk kanë më përfytyrime të ëndërrta. Si nuk kam as unë.  Së fundi, për të ilustruar naivitetin tim të asaj kohe, po sjell një shembull kuptimplotë. Në një nga daljet e mia të para nëpër Europë, jam skandalizuar kur në një mbledhje dëgjova dikë, një europiano-perëndimor, të mbante një diskutim fund e krye antiamerikan. Nuk desha t’u besoja veshëve. Kjo nuk përputhej me përfytyrimet e mia të asaj kohe për Perëndimin. Çka sot, më së paku, do të tingëllonte një idiotësi! Por le të kthehem më mirë tek ai muaj i nxehtë korriku i vitit 2002, kur vajta për herë të parë në Nju-Jork, te fëmijët e mi.  Atëherë ata jetonin bashkë, në një apartament të tipit “vagon”: dy dhoma komunikuese, njëra më e madhe (e vajzës), ku kishin instaluar një kondicioner, tjetra më e vogël (e djalit). Një derë e ndante prej tyre atë që po e quaj kuzhinë, e formuar nga një mjedis për të ndenjur, me një divan, dy kolltukë dhe një tryezë të ulët përballë televizorit. Përtej një pareti vinte soba me gaz, një lavapjatë, në mes një tryezë ngrënieje me disa karrige, pra një lloj “livingroom”-i.  Apartamenti, në katin e dytë të një godine tipike amerikane prej druri, me çati, me dy kate dhe dy hyrje, ndodhej në Queens, në rrugën “Regevood”. Pronare ishte një zonjë serbe. Nuk më kujtohen as fytyra, as emri i saj. Mbaj mend se ishte nja pesëdhjetë apo pesëdhjetë e pesë vjeçe, ndodhej në Amerikë prej rreth njëzet vjetësh, por mezi lidhte dy fjalë në anglisht. Mbaj mend, gjithashtu, se kishte ardhur për të bujtur tek ajo, për nja gjashtë muaj, nusja e të birit nga Beogradi, e cila e fliste anglishten mirë dhe punonte si shitëse në një dyqan të lagjes, ku tregtoheshin veshje.  Një buzëmbrëmje gruaja m’i mburri fëmijët, më tha se ishin të edukuar. Po rrinim te shkallët e jashtme të hyrjes, ajo, vajza ime Elda dhe unë, në pritje të Danielit, sot bashkëshort i saj, atëherë vetëm i fejuari, me të cilin se ku do të shkonim. Megjithëse ende nuk isha në gjendje të lidhja as dy fjalë në anglisht, e kuptova ç’më tha. Dukej qartë, marrëdhënia e vajzës me pronaren e shtëpisë, e cila banonte në katin poshtë fëmijëve, ishte shumë miqësore dhe për arsye që mund të merren me mend më shkaktoi një lloj mrekullimi. Më pas mësova se në fillim marrëdhënia nuk kishte qenë dhe aq miqësore me djalin, Dorianin. Ky rrinte natën vonë duke punuar në kompjuter, luante me video etj., shkurt shkaktonte zhurma, që për shkak të dyshemesë prej dërrase, dëgjoheshin poshtë. Një natë pronares i qe sosur durimi, shkon në bodrum dhe ia ndërpret dritat. Im bir, pa e zgjatur, lajmëron policinë, që nuk mungon të mbërrijë, dhe pronarja detyrohet t’ia lëshojë dritat sërish. Por ky kishte qenë vetëm një incident tashmë i kapërcyer.  Sidoqoftë, porosia e parë që më dhanë fëmijët me të futur këmbët në shtëpi ishte që për sa kohë të qëndroja atje, të mos bëja as zhurmën më të vogël. Për aq kohë sa qëndrova atje, rreth një muaj e gjysmë, iu përmbajta rreptësishtë kësaj porosie, megjithëse një qejfmbetje e pata me serben. Ajo i paskej thënë vajzës se babai i tyre, domethënë unë, nuk i vinte nënës as te thoi i këmbës. Më mbeti qejfi, nuk e pata të qartë se në ç’kuptim, sipas serbes, unë nuk i vija gruas sime as te thoi i këmbës. Ndoshta ngaqë Lili është e qeshur, duket shumë më e re se unë, kur në të vërtetë kemi vetëm katër vjet e gjysmë diferencë.  Ajo ishte një lagje e qetë, vendi ku banonin fëmijët edhe më i qetë. Përballë shtëpisë, matanë rrugës, ndodhej një kishë, ku të dielave kishte gjallëri. Prapa shtëpisë, një shkollë, edhe kjo fetare. Dhe befasia më e madhe: kambana e kishës, e cila binte gjatë gjithë ditës në orët e plota, më kujtoi kumbimin e dikurshëm të Sahatit të Elbasanit, rrëzë të cilit ndodhej shtëpia e tim ati. E pabesueshme, e njëjta tingëllimë.  Nga njëra anë, rruga përpara shtëpisë të nxirrte pranë hapësirës së varrezave; në anën e kundërt, te një rrugë me shumë lëvizje, në dy krahët e së cilës vargëzoheshin ndërtesa të ulëta, një, ose dykatëshe, plot me dyqane. Një mjedis krejt i ndryshëm nga zemra e Nju-Jorkut, Manhatani. Sa herë udhëtoja me autobus dhe me tren për të shkuar gjëkundi, në vajtje dhe në kthim më qëllonte jo rrallë të dëgjoja të flitej shqip.  Në atë qëndrim të parë në Nju-Jork, prej një muaji e gjysmë, gjatë dy javëve të para vizitova vende, ku më vonë, për vite me radhë, nuk e pata më mundësinë të shkoja prapë. Fëmijët dhe Danieli, i vetmi që kishte makinë dhe banonte diku rreth njëzet minuta larg nesh, për të më sajdisur sa të mundnin, si kishin sajdisur përpara meje Lilin, e rregulluan t’i merrnin lejet e pushimeve njëri pas tjetrit. Në fillim Elda me të fejuarin. Pastaj Dori, por ky mundi të më shoqëronte më pak. Punonte në dy shoqëri ajrore në aeroportin JFK, lodhej shumë dhe paguhej pak, ikte në mëngjes herët nga shtëpia dhe kthehej afër mesit të natës, udhëtimi vajtje-ardhje me autobus i merrte shumë kohë. Po në atë aeroport punonte edhe vajza me të fejuarin. Elda, falë italishtes, që e zotëronte jo keq, fillimisht kishte zënë vend te linja ajrore “Alitalia”, në sektorin Check-in. Tashmë, pasi kishte konkurruar me disa “rivalë” e “rivale”, qe ngritur në detyrë, shërbente në kullën e kontrollit të Terminalit 4. Danieli punonte në po atë terminal, si supervizor i sallonit të VIP-ave. Duke qenë në një detyrë të tillë, ai kishte marrëdhënie me një numër kantinash vere në Long Island, një krahinë plot diell, me vreshta pa fund. Një ditë vajtëm atje të tre; Danieli, Elda dhe unë, dhe pata rastin të vizitoja disa kantina, ku shijuam verëra të mrekullueshme.  Shënoj këtu një hollësi që e kam vënë në dukje edhe më parë. Fëmijët e mi vajtën në Amerikë si fitues të së ashtuquajturës Lotari Amerikane, në fillim vajza, në vitin 1998, dy vjet më vonë, në vitin 2000, djali. Kështu deshi Providenca. Eldën sapo e kishin pushuar nga puna në Ministrinë e Shëndetësisë, ku kishte qenë zëdhënëse shtypi, doemos për shkakun tim, atëherë redaktor i rubrikës kulturore në gazetën RD. Me të mbërritur në Nju-Jork, ajo më tha në telefon se, për ironi, paskej udhëtuar për në Amerikë me të njëjtin avion, ku udhëtonte edhe zotëria, ministër i Shëndetësisë, urdhërues i largimit të saj nga puna… Ndërkaq, djali, student në vitin e dytë të degës “Veterinari” në Universitetin Bujqësor, qysh se e motra ishte larguar, rrinte tërë kohën me mendje të ngritur, që Fati t’i buzëqeshte edhe atij. Dhe Fati i buzëqeshi vërtet.  Unë nuk bëra as përpjekjen më të vogël për t’ua prishur mendjen, që të mos largoheshin, as vajzës, as djalit. Për shkakun tim e ardhmja për ta do të ishte e zymtë në Shqipëri. Dhe shpesh pyes veten: “A do të marrë fund ndonjëherë fryma e qelbur e luftës së klasave, e trashëguar nga epoka e diktaturës dhe e zbatuar me po aq zell edhe sot e kësaj dite nga të gjithë krahët e politikës, sa herë vijnë në pushtet? Deri kur do të vazhdojë kjo mendësi rrënuese e kombit tonë, që nuk po arrin të ngrejë krye?  Nuk e di, ndoshta do të marrë fund një ditë. Por unë jam pesimist, së paku nuk besoj se do të arrij ta shoh atë ditë. Jam i sigurt për një gjë: edhe nëse unë do të isha orvatur t’ua prishja mendjen, në fillim vajzës, pastaj djalit për të mos u larguar, do të kishte qenë frymë e harxhuar kot, asnjëri prej tyre nuk do të më bindej, ata mezi prisnin të iknin një orë e më parë. Me këtë rast më vjen ndër mend peripecia e vërtetë që hasi im bir, bashkë me të edhe unë, për marrjen e vizës amerikane.  S’më kujtohet për ç’arsye, ka qenë, nëse nuk gaboj, maj i vitit 2000, zyra konsullore e Ambasadës amerikane në Tiranë përkohësisht nuk funksiononte dhe të gjithë ata që ishin fitues të Lotarisë, në një datë të caktuar – tani as ajo datë nuk më kujtohet – duhej të shkonin në Athinë, për t’i kryer formalitetet e marrjes së vizës në zyrën konsullore amerikane atje. Ky fakt më zuri në befasi, im bir nuk kishte udhëtuar asnjëherë jashtë vendit, më duhej ta shoqëroja e, mbi të gjitha, dilte nevoja që ai të pajisej me një vizë shengen të lëshuar nga Ambasada Greke. Kur të vjen tersi, thuhet, hapi derën. Qëlloi që ato kohë edhe Ambasada Greke në Tiranë, për shkak të shkeljeve, që ishin vërejtur atje në dhënien e vizave, si flitej, e kishte shtrënguar dorën dhe marrja e një vize paraqitej pothuajse e pamundur.  Shtoj këtu se ato kohë, unë vetë ndodhesha në prag të dy veprimtarive të rëndësishme për mua. E para, një ftesë për të marrë pjesë në një veprimtari, që do të zgjaste plot tetë ditë në Nisë të Francës. Veprimtaria përkonte me datën kur im bir duhej të ndodhej në Athinë, rrjedhimisht edhe unë bashkë me të. Nuk u mendova gjatë, i njoftova mikpritësit e mi se për një arsye të fortë vetjake, fatkeqësisht për mua, nuk mund të merrja pjesë. Më pas nuk m’u dha rasti asnjëherë të shkoja në atë qytet të famshëm turistik.  Veprimtaria e dytë ishte pjesëmarrja në një udhëtim nëpër Europë, me atë që u quajt “Treni i Letërsisë – 2000”, që niste në Lisbonë të Portugalisë më 2 qershor të atij viti, në itinerarin e dikurshëm të Ekspresit Jug-Veri dhe anasjelltas, të La Belle Epoque.  Në këto kushte bëra çmos që në datën e caktuar të ndodhesha bashkë me djalin në Athinë. Pasi dështova ta zgjidhja këtë punë me miq e të njohur të mi shqiptarë, që sipas meje i kishin mundësitë të ndërmjetësonin në Ambasadën Greke, ndërmora jo pa druajtje dhe me një ndjesi turpi, një veprim të pazakontë: iu drejtova për ndihmë mikut tim të çmuar, zotit Patrick Christman, ish-ambasador i Francës asaj kohe në Tiranë. Përfitoj nga rasti t’i shpreh këtu edhe një herë zotit Christman mirënjohjen time të thellë. Falë ndërmjetësimit të tij në rrugë zyrtare pranë konsullit grek, u bë e mundur që im bir të pajisej me vizë.  Një ndërlikim i kotë në dukje, por tepër serioz në thelb, na priste në aeroportin e Athinës, ku im bir, për moshën e tij të re, i ngjalli dyshime oficerit që vuloste pasaportat para se të na lejonte të kalonim matanë. Duke e ditur tashmë se çfarë mund t’u ndodhte shqiptarëve nëpër aeroporte, unë e kisha parashikuar këtë. Në Greqi, sapo më ishte botuar një roman, e kisha marrë me vete dhe për të shuar dyshimet, që i lindën oficerit, vajta menjëherë pranë sportelit, i fola në frëngjisht, i thashë se isha babai i këtij djali dhe i tregova kopjen në greqisht të librit. Doli se oficeri kuptonte frëngjisht. Dhe ndryshoi qëndrim, u bë miqësor, na vulosi pasaportat, na uroi qëndrim të këndshëm në vendin e tij dhe na lejoi të kalonim në anën tjetër. Atje na priste Violeta, bashkëshortja e djalit të tezes së Lilit, dr. Pandi Pepivanit, i cili kishte punuar ca kohë si mjek në një spital të Athinës. Të nesërmen, në orën e caktuar, u paraqitëm pranë godinës së Ambasadës amerikane në Athinë.  Doriani u nis për në SHBA pas disa ditësh. Unë dhe Lili u qetësuam përfundimisht, kur tek rrinim në shtëpi me mendje të ngritur, na mbërriti një telefonatë nga Nju-Jorku. Në anën tjetër doli Elda. Na tha se ata të tre, domethënë ajo, Danieli dhe Dori, ndodheshin duke pirë kafé në një lokal në Manhatan. Pikërisht në atë lokal, sipas një marrëveshjeje të arritur qysh më parë, Dori do të fillonte punë që të nesërmen si kamerier.  Më 2 qershor, unë mbërrita në Lisbonë, prej nga ndërmora udhëtimin më fantastik të jetës sime. Hollësitë dhe mbresat e këtij udhëtimi i kam dhënë në sprovën e botuar si libërth më vete, me titull: “Një ëndërr europiane mes Al Paçinos dhe Kavabatës” (“Toena”, 2001, 2019).

FATOS KONGOLI, lindur në Elbasan më 1944 ka studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku është diplomuar në vitin 1967. Ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Është autor i një vargu librash. Shquhen sidomos romanet e tij, të vlerësuara nga lexuesi shqiptar dhe i huaj. Librat e Kongolit janë botuar në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari, Serbi, Britani e Madhe, Spanjë si edhe në gjuhën esperanto, me jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane si “Le Monde”, “Le Figaro”, “La Stampa”, “Le Temps”, “Le Soir”, “L’Express”, “Magasine Littéraire”, “Der Tagesspiegel”, “The Guardian”, “The Indipendent”, “El Publico” etj.
Është tri herë fitues i çmimit vjetor “Për librin më të mire në prozë” dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe i çmimit “Velia” (2000). Është fitues i çmimit të Akademisë Kult (2008) dhe i çmimit “Rexhai Surroi” (Prishtinë, 2011). Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika” (2002).
Gjithashtu, është fitues i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për 2006-n, ndërsa romani “Lëkura e qenit”, përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Fatos Kongoli është shpallur “Qytetar nderi” i qytetit të Elbasanit në vitin 2010.
Po këtë vit ai është nderuar nga Presidenti i Francës me titullin më të lartë që jepet në Francë: “Kalorës i Legjionit të Nderit”.
Në vitin 2012 është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Shqipërisë. Në vitin 2017 është nderuar me titullin Doktor “Honoris Causa” nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë.