Prof. dr. Enver Bytyçi: Integrimi i dijes në librin “Arsimi në demokracinë e brishtë” të profesor Bardhyl Musai!

18
*
Sigal

Edukimi dhe arsimimi janë detyra dhe përgjegjësia më e madhe e një shteti serioz, me vizion dhe që punon për të ardhmen e vendit e të kombit të tij. Pikërisht për të realizuar këtë mision na vjen në ndihmë një libër jo vetëm interesant, por me shumë vlera metodike, konceptuale, sistemore, përgjithësuese e praktike i profesor Bardhyl Musait. Eshtë fjala për monografinë “Arsimi në demokracinë e brishtë”! Kjo monografi nuk është vetëm një punim përshkrues, me të cilin ne marrim njohuri si ka rrjedhë zhvillimi i arsimit në Shqipëri pas rënies së perdes së hekurt dhe Murit të Berlinit. Ky libër është një udhëzues metodik jo vetëm për ata që punojnë në fushën e edukimit dhe të arsimit, por edhe për administratën publike dhe vetë politikën shqiptare. “Arsimi në demokracinë e brishtë” merr vlerë të jashtëzakonshme, sepse në këtë monografi pedagogjike jo vetëm për mësuesit, por edhe për politikën dhe administratorët e shtetit, gjejmë këshilla dhe mendime racionale e logjike lidhur me kalimin nga metodat e sistemit totalitar të arsimimit, te metodat e reja në kushtet e një rendi demokratik e të hapur të zhvillimit të edukimit. Autori ka trajtuar në mënyrë origjinale, shumicën dërmuese të problemeve të kohës, duke nisur me përgatitjen e mësuesve dhe vijuar më tej me çështje të tjera si zhvillimi e praktikat profesionale, sistemin e mentorëve, të menduarit kritik në mësimdhënie, kurrikulumin shkollor, kompetencat mësidhënëse e analizat e të nxënit, menaxhimi i situatës me tekstet shkollore etj. Vend të veçantë ze matura shtetërore, ligji për arsimin e lartë, akreditimi në këtë nivel arsimimi, menaxhimi e administrimi i çështjeve arsimore. Nga tematikat e mësipërme sekush sheh që kemi të bëjmë me arsimin në përgjithësi dhe menaxhimin e administrimin e tij në kushtet e një rendi të ri demokratik. Libri pasqyron dinamikat e zhvillimit të arsimit shqiptar pas rënies së diktaturës komuniste, evidenton arritjet e përvojat pozitive, reflekton ndaj gabimeve dhe nxitimeve në vendimmarrje në këtë fushë dhe para së gjithash rekomandon që sëmundja e përmbysjeve kur pushteti ndërrohet të mos aplikohet së paku në arsim. Nga pikëpamja strukturore monografia e profesor Musait “Arsimi në demokracinë e brishtë” përmbledh gjithsej 12 tema, shumicën prej të cilave e përmendëm më lart. Kësisoj duket se është një punim shkencor jo vetëm logjik e racional, por edhe me një tematikë kronologjie të pasur. Karakteristika e kësaj monografie tejet cilësore dhe me rëndësi të veçantë për arsimin shqiptar lidhet me një lloj gërshetimi të dijeve teorike, dhe përvojës praktike të autorit, për të cilin lexuesi lehtësisht mëson se ka kontribute të veçanta në këtë sistem, deri rektor i Universitetit të Elbasan dhe këshilltar për arsimin i kryeministrit të Shqipërisë. Autori ka krijuar gjithashtu një eksperiencë të ndërthurur në bashkëveprim me aktorë dhe faktorë europianë e amerikanë, me të cilët ndan në këtë libër përvoja interesante, këshilla, mësime e reflektime të çmuara. Dhe jo vetëm kaq! Profesor Bardhyl Musai në monografinë e tij na shfaqet autentik, jo konformist, me një diapazon dhe mendim krejt të pavarur. Ai na mëson se si një autoritet shkencor do të duhet të jetë jokonformist e të mos pajtohet me status-quo-në. Kjo duket që në kapitullin e parë të librit, ku shpreh mospajtimin e tij për të aplikuar një sistem arsimor të modelit totalitar. P.sh., ai kundërshton idenë e një sistemi arsimor që përgatit mësues në dy nivele, atë të shkollës së mesme dhe universitar. Ai këmbëngul me çdo kusht ndërtimin e një niveli në përgatitjen e mësuesve, të modelit universitar për të gjitha ciklet e arsimimit. Idetë dhe refleksionet e prof. dr. Bardhyl Musait shfaqen për ndryshim që në vitet e para të vendosjes së sistemit demokratik në Shqipëri, kur është fjala për ristrukkturimin e modelit të përgatitjes së mësuesve. Por duket se rekomandimet e tij nuk vrasin sa duhet veshin e shoqërisë e të institucioneve shtetërore të kohës për shkak të ndikimeve të së shkuarës. Prandaj ai e zhvillon më tej idenë e rolit të arsimit në shoqërinë demokratike, kur përcakton shprehitë bazë të shoqërisë së dijes. Ndër to veçojmë motivimin për të mësuar përtej arsimit bazë, të nxënit e dijeve në mënyrë të pavarur, aftësinë për të përpunuar informacionin dhe shprehitë digjitale, aftësitë për të qenë krijues në zgjidhjen e problemeve, në sipërmarrje, në komunikim etj. Prof. dr. Bardhyl Musai na kujton përmes këtij libri se është ndërmjetësuesi i lidhjes së zhvillimit të arsimit shqiptar sipas modelit të Bolonjës. Sistemi i Bolonjës është modeli europian i zhvillimit të arsimit, sidomos atij të lartë. Autori e trajton këtë lidhje si një domosdoshmëri për reformën arsimore në tërësi dhe pjesën e përgatitjes së mësuesve në veçanti. Për profesor Musain përgatitja e mësuesve dhe edukimi i tyre nuk është thjesht shpenzim fondesh dhe energjish. Përkundrazi është investim me përfitime të mëdha për një arsim cilësor dhe për një të ardhme të sigurt të vendit. Nuk besoj se dikush tjetër në sistemin tonë akademik e ka trajtuar këtë temë me kaq përgjegjësi, kaq përmbledhtas dhe me kaq shumë njohuri të thella. Monografia “Arsimi në demokracinë e brishtë” na ofron dije e kulturë, eksperiencë dhe rekomandime ideore, pedagogjike, strukturore, për programe e kurrikula shumë të rëndësishme për politikat arsimore e zhvillimore. E gjithë struktura e kësaj monografie është ndërtuar sipas një koncepti bashkëkohor të të menduarit kritik, si një shprehi e domosdoshme, që mundëson të përballojmë sfidat e shekullit të 21-të, shkruan autori. Të mësuarit dhe vlerësimi kritik i dijeve, sipas profesor Musait, zhvillon mendimin e pavarur dhe fillon me pyetje që kërkojnë përgjigje. Ndërkohë kjo mënyrë e përceptimit dhe realizimit të të nxënit kritik i bën njerëzit fleksibël, i largon ata nga koncepti i të mësuarit në mënyrë dogmatike, me përkufizime standarde dhe bën që mësuesit, nxënësit e studentët të vendosin në bazën e diskutimit, debatit dhe dijes logjikën dhe racionalitetin. Libri është një udhërrëfyes, doracak pedagogjik dhe metodik i përsosur. Ai përmban frymën e përgjegjësisë për strukturat e shtetit dhe instancat arsimore për zhvillimin e arsimit, sidomos në fushën e përgatitjes cilësore të mësuesve. Në këtë kuptim autori e sheh shumë të rëndësishme këtë aspekt për të arritur rezultatet e nevojshme në vlerësimin ndërkombëtar të nivelit të dijeve dhe të arsimit në Shqipëri. Ky vlerësim sintetizohet te sistemi “PISA”, përmes të cilit realizohen sondazhet dhe bëhet rankimi i nxënies së dijeve në vendet e ndryshme të Europës e të globit. Ky lloj barometri për sistemin arsimor dhe aftësitë e nxënësve për të lexuar, shkruar dhe përvetësuar dijet është sistemi kryesor krahasues i sistemimit të të dhënave për sukses ose mos-sukses në fushën e arsimit. Monografia e prof. dr. Bardhyl Musait “Arsimi në demokracinë e brishtë” është e duhet të jetë substancë e metodës së punës për sistemin arsimor, deri te Ministria e Arsimit dhe Sportit e të shërbejë për të mirën e përbashkët, përmirësimin e vazhdueshëm të reformave në arsimin parauniversitar dhe atë universitar. Dashtë zoti dhe formulat, rekomandimet, propozimet, argumentet e përfundimet që dalin nga ky libër bëhen pjesë e projekteve të reformave në vendin tonë, me qëllim që të ngrejmë nivelin e arsimit e të dijes sonë!