Suplementi Pena Shqiptare/ Dr. Moikom Zeqo: Një kujtim për Idriz Ajetin

438
Sigal

Tiranë, 21 shkurt 2019. Më 21 Nëntor 1992 u organizua në Muzeun Historik Kombëtar një Konferencë Shkencore për Gjuhën Letrare Shqipe. Tagrin e organizimit e kishte Akademia e Shkencave të Shqipërisë, por në të vërtet Konferenca ishte e hapur për shumë studiues linguistë ose jo të tillë për të diskutuar mbi temën e të ardhmes së gjuhës letrare, bazuar mbi një kriticizëm jo aq filologjik sesa politikë për mënyrën sesi u arrit tek konstruktimi real i gjuhës letrare, i zyrtarizuar në mënyrë universale në Kongresin Gjuhësor për Gjuhën Letrare shqipe në vitin 1972. Kuptohet që Konferenca e vitit 1992 nuk kishte kompetencat e një vendimmarrjeje për ta zhbërë atë që u bë ose u konfirmua 20 vjet më parë në 1972. Konferenca Gjuhësore e vitit 1992 u formësua dhe pati kontributin e një kundërvënieje konceptuale për Kongresin Gjuhësor 1972. Ky ishte qëllimi i hapur, ose edhe i fshehtë i shumë prej gjuhëtarëve, të cilët përkrahën tezën absurde se gjuha letrare shqipe është një deformim, i imponuar nga diktatura dhe realizuar thjesht me urdhrin politik të Enver Hoxhës.

– Për disa nga ithtarët kokëmykur të kriticizmit të gjuhës letrare shqipe arritën të artikulojnë pseudotezën se gjuha letrare shqipe jo vetëm nuk është një arritje emancipuese dhe një atribut i perspektivës është gati një “kundër- revolucion gjuhësor”, një totalizim i toskërishtes “komuniste” kundër gegërishtes “antikomuniste”. Është e paimagjinueshme të mendosh se ku arrinte fantazmagoria e separatistëve që e mbanin veten si dijetar, ose filologë. Ky arsenal urrejtjeje dhe idiotësie buronte edhe nga një libër i studiuesit Arshi Tipa i cili realizonte procesin e gjuhës letrare shqipe si një “Stalinizëm gjuhësor” si një diktaturë mendore e veçantë dhe një fatkeqësi e pashembullt e shkrimit të gjuhës shqipe. Në shumicën e diskutimeve që u bën në 21 Nëntor 1992 në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar ra në sy një vrull i paparë, me një entuziazëm arkaik, madje dhe të një kënaqësie perverse për ta shpallur gjuhën kombëtar shqipe si një gjuhë të dështuar plotësisht, madje si një gjuhë reaksionare që duhet anuluar dhe zëvendësuar nga një gjuhë tjetër, që duhet të jetë “Gjuha demokratike e së Ardhmes” kundër “komunistizimit të gjuhës letrare shqipe”. Asnjëherë nuk ka ndodhur që të jem i pranishëm në një tubim, të ashtuquajtur shkencor për të dëgjuar marrëzira kaq të skajshme dhe butaforike siç më ra rasti për të dëgjuar. Në atë kohë unë isha Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Në 22 Mars 1992 në zgjedhjet parlamentare unë kisha fituar si deputet i PS-së, por nuk e kisha ndërprerë punën si Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Me të drejtë pas kësaj ngjarjeje të Konferencës Gjuhësore, i dyzuar midis punës në Muze dhe deputetit, përfundimisht zura vendin tim, me një vonesë disa mujore,- në Kuvendin e Shqipërisë. Por kjo hollësi nuk ka shumë rëndësi. Ajo që është e paharrueshme për mua është fakti se në këtë Konferencë të vitit 1992, ishte i ftuar edhe gjuhëtari i madh shqiptar i Kosovës, i mrekullueshmi dhe i jashtëzakonshmi Idriz Ajeti. Para fillimit të Konferencës e prita Idriz Ajetin në zyrën time. Ishte hera e parë që e takoja. Idriz Ajeti me dinjitetin e tij proverbial me fjalët e sakta dhe kuptimet e qarta më bëri një përshtypje që e kam të thandrruar në kujtesë. Në bisedë i thashë Idriz Ajetit, se ai është gjuhëtari i vetëm shqiptar në kohëra që ka bërë një akt epokal. Idriz Ajeti në një Konferencë Gjuhësore të Prishtinës në vitin 1968, plot katër vjet më para të Kongresit Gjuhësor të Tiranës për Gjuhën Shqipe Standarde në 1972, së bashku me kolegët e tij të nderuar me një largpamësi të admirueshme dhe të pashembullt, mbështetën idenë të cilën e vunë zyrtarisht në praktikën zbatuese në të gjitha mediat dhe sistemin arsimor të Kosovës që të pranonin variantin e përparuar të gjuhës letrare shqipe që praktikohej gjerësisht në Republikën e Shqipërisë. Ky akt madhështor është një nga fitoret më të mëdha mendore të kombit shqiptar. Asnjëherë nuk ka ndodhur një gjë e tillë më parë. Asnjëherë nuk ka pasur një akt të tillë vendimor në një kuptimshmëri kaq të lartë. Idriz Ajeti është arkitekti i njësimit të pashmangshëm gjuhësor të variantit të gjuhës letrare ,-përpara sesa të bëhej standardizimi i saj në vitin 1972. Teza e së njëjtës gjuhë letrare pavarësisht kufijve ndarës politikë të kohës është një tezë madhështore e njehsimit mendor dhe shpirtëror të kombit shqiptar. Në këtë kuptim ekzistencial dhe futuristikë, në këtë epistomologji kombëtare Idriz Ajeti është dhe mbetet një Paraprijës i Madh se madje mund ta metaforizojmë Maratonomak të Gjuhës Letrare Standarde Shqipe. Po në 21 Nëntor 1922 unë isha pranë Idriz Ajetit dhe isha dëshmitar sesi u shqetësua ai duke dëgjuar marrëzitë erazmike të separatistëve gjuhësor dhe mohuesve donkishoteskë të gjuhës letrare shqipe. Në pushimin e seancës së parë të diskutimeve Idriz Ajetin e zuri një krizë zemre. Ai u shqetësua aq shumë Unë e ndihmova Idriz Ajetin për të pushuar në një nga kolltukët e zyrës time, ku ai u qetësua më në fund. Ky është kujtimi im për Idriz Ajetin. Takimi im i parë dhe i fundit me të. Padyshim që unë i kam studiuar librat e tij dhe kam përmendur dhe herë të tjera si albanologun e madh dhe njëkohësisht balkanolog që së bashku me Eqerem Çabejin janë skalitur në histori si një Dyshe e Mrekullueshme Dijetarësh të papërsëritshëm. Në 13 Shkurt 2019 mbylli sytë, në moshën 102 vjeçare (gati një moshë biblike) Idriz Ajeti. E kam dëgjuar me dhimbje të madhe por natyrisht jeta e tij e gjatë është më e rëndësishme sesa vdekja e tij. Padyshim që me rastin e vdekjes Idriz Ajetit iu bëne disa nderime. Por unë kam pritur më shumë. Kam pritur që Akademia e Shkencave të Shqipërisë apo edhe Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave (ku dhe unë bëj pjesë) të bënte shumë më tepër për të shprehur jo thjesht ngushëllimet por për ta lartësuar dhe iluminuar më shumë ashtu siç e meriton këtë kryefigurë te kulturës dhe të qytetërimit gjuhësor të shqipes dhe të kombit. Për ta bërë më të plotë dëshminë time, apo edhe më semantike dhe publike historicitetin e kësaj dëshmie po ribotoj më poshtë diskutimin tim që mbajta në atë Konferencë kaq të çuditshme por dhe të dështuar që nuk ia arriti qëllimit ogurzi për të bërë një “përmbysje”dhe për ta shfuqizuar si me një urdhër alkimik magjistarësh të Gjuhës Standarde që gjallon dhe zhvillohet (padyshim që zhvillohet) ende dhe sot dhe që besoj se do të emancipohet dhe pasurohet më tej si një gjuhë letrare e së ardhmes.