Suplementi Pena Shqiptare/ Flutura Açka: Kur thinjet dhe heshtja

61

U thinj heshtja ime,

duke mëshiruar bubrrimën tuaj,

ameba të pangjyra që i shqyheni si diellit,

“zotit” tuaj.

E vetmja që s’epet në dimrin e sajuar,

devotshmëria prej thërrijash,

ngulur në palcën e kalbur të kohës.

Me përbetimin më të frikshëm se vdekja,

me shenja trupimi nga betejat e pandalshme

të kositjes mediatike,

po ndreqni ende akset e piramidës së anuar.

Roja jeni, mos era ua merr,

totemin e perdëllimeve.

Si do të rroni ju të nesërmen?!

Si do të rroni ju pa të?!

As trishtimi s’ju lë vrajë,

as gëzimi s’ju lë tatuazh,

as morti s’ju çon anë,

Asgjë nuk shemb asgjë në asgjënë tuaj.

E dhjamur,

amorfe,

krupa jua edhe veten po jua lodh.

S’di pse m’u kujtuat sot në të gdhirë,

më gjarpëruat si vegim,

një çast, vetëm një çast,

kur guxova të zbres, të këqyr,

në planetin tuaj të mërdhirë.

Në tokën tuaj, tani hirnore e hirtë,

duqet e sundimtarit kanë lënë harta në shpinë.

Aty si ushtarë,

të bindur nga urdhëri i dhënë

kushedi-kur

kushedi-për-deri-kur,

nën lak prisnit në radhë,

të mos ju shpallë “tradhëtarë”.

Ishte veç një çast. Ika.

Heshtja e thinjur,

më ktheu në planetin tim erëmbarë!