Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Penda

123
Sigal

 

Teksa po ngrihej fluturim,

një zog rrëzoi krahësh

një pendë…

Ajo flatroi edhe u end

një copë herë

shend e verë.

“Më pe sa bukur fluturoj?”,

i tha një ketri që andej kaloi.

“E sheh si loz edhe si endem?”

iu mburr pastaj edhe një dege.

E lumtur, në delir pothuaj…

Kështu, gjer ngeci në një ferrë,

ku u bllokua

dhe më s’po ngrihej dot;

penda e vogël dhe e mjerë,

që kish menduar për një hop

se ishte zog…

 

Lëmsh…

 

Në qiell uturijnë avionë!

Mbi tela tufa zogjsh pushojnë.

Një Ketër zbret nga bredhi i lartë;

mbase diku niset për darkë.

Makina, njerëz nëpër rrugë;

tabloja bëhet lëmsh në muzg.

Por ka dhe më. Mbi semafor,

një Korb hedh sytë kryq e tërthor.

Pyesin ca Sorra:

-Ç’bën, o mavri?

-Drejtoj trafikun! – u thotë ai.

 

Vetëpërmbajtje

 

Bam (!) një çifte në pyllin e vjetër;

nga strofkulla, doli zonja Dhelpër.

“Po hedh njëherë sytë te përroi,

ndoshta për mua diçka teproi:

ndonjë thëllëzë a ndonjë lepur…”

Por befas u dëgjua çiftja tjetër.

U kthye Dhelpra: “Kurrën e kurrës!

Më mirë pa ngrënë, se të lë lëkurën…”