Suplementi Pena Shqiptare/ Asije Hoxha: Kremtimi i 50- vjetorit të lindjes së Migjenit, nismë për Muajin  e letërsisë shqipe

69

Me rastin e kremtimit të 50-vjetorit të lindjes së Migjenit (Millosh Gjergj Nikolla) në  vitin 1961, nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve u vendos që muaji tetor të shpallet Muaji i Letërsisë Shqipe.  Muaji tetor përkon dhe me data të tjera të shënuara të gjigandëve të letrave shqip:  Është  muaji i lindjes së Migjenit; është muaji i vdekjes së Naim Frashërit; është muaji i lindjes së Gjergj Fishtës; është muaji i lindjes së Dritëro Agollit. Katër shkrimtarë që renditen në pendën e artë të letërsisë shqipe. Muaji Tetor! Çfarë rastësie!  Tetori përmbledh si kujtesë historike Naim Frashërin që i përket shekullit XIX; shekullit të Rilindjes Kombëtare. Migjenin  dhe Fishtën që përkasin periudhës së Pavarësisë të Shqipërisë (1912-1939). Dritëro Agollin që i përket periudhës së komunizmit 1944-1990 dhe periudhës së demokracisë 1991. Secili vendosi një gur të çmuar në letërsinë shqipe.

 Migjeni  “Uragani i ndërprerë”

Lindi në Shkodër më 13 tetor  1911 në një komunitet me rreth 100 familje të një feje të tretë: Ortodokse. Shkodra ishte qyteti me tri fe. Tingujt e këmbanave dhe zërat e hoxhallarëve alternoheshin njëra me tjetrën. Kjo mesa duket ndikoi në krijimtarinë e tij si dezertor i fesë.

Vdiq në Sanatoriumin San-Luigji në Torino të Italisë më 30 gusht 1938.

Në kundërshtim me vargjet e Poradecit:  “ Fluturoi dhe shtërg’ i fundit, madhështor me shpirt të gjorë” Migjeni ishte shtërgu i parë i letrarëve të viteve 30.Vdiq në një moshë të re (27-vjeç), Duke na lënë vëllimin me poezi “Vargjet e lira” dhe vëllimin në prozë “Novelat e qytetit të veriut”, të cilat u botuan pas vdekjes së tij. Pse Migjeni Uragani i ndërprerë lexohet edhe sot ?

      Legjenda e misrit 

 Misër! Misër! Në shekullin e njëzetë s’ka apoteoza perëndish, por ka apoteoza misri. Bjeshkët tona, që dikur qenë lterët e apoteozave perëndish, sot janë lterët e apoteozës së misrit. Një kokërr misër asht një kokërr dhimbje, kur ka shum u e aspak misër ! Fjala misër përmban në vete legjenda të linduna nga dëshira për jetë. Dëshira për jetë asht e madhe dhe e mahnitshme sa dhe malet tona, që hapin gjitë për me varrosë njerëzit e unshëm. E në naltësinë e maleve vigane, legjendë asht dhe lindja, legjendë asht dhe jeta, legjendë asht dhe vdekja. Dhe kjo legjendë e idhtë dhe plot vuejtje historike, në shekullin e njëzetë asht e thekshme, zemërbrese dhe të bën të qajsh.

Misër! Misër!

Thirrje për shpëtimin e jetës. Apoteozë e shekullit të njëzetë! Emën perëndish sot nuk zajnë me gojë fëmijët, që po sa kanë fillue të belbëzojnë, por misër! Misër!-asht fjala e ditës, asht synonim i jetës për banorët legjendarë të këtyne maleve t’egra. Ushtojnë luginat e maleve nga fjalët e malsorëve t’unshëm, që vargue njeni mbas tjetrit ecin të ngarkuem me ka nji gjysmë thesi misër. Vargu i tyne asht i gjatë, pa fund, si asht e gjatë e pa fund vuejtja e tyne. Mbi korrizë të vet barin ka një gjysmë thesi misër, barin jetën e vet, barin Perëndinë. Perëndi e vërtetë, -misër i dëshruem!

Misër! Misër!

Lajmi se do të shpërndahet misri, duel nga zemra e dheut, rrodhi nëpër dejt deri te gjymtyrët e mpita të dheut që quhet shtet. Dhe bani të dridhen nga gëzimi frymorët që s’kanë me ç’ka ta mbajnë frymën. Si thneglat që mblidhen rreth nji kokrrës misri, q’ashtu në nji qendër nënprefekture janë mbledhun malsorët rreth depos së misrit. Katundevet që përfshin nënprefektura do t’u ndahet misri. Malet e egra me mjegullë e borë, qiella që tue derdhë shi të lagë deri në palcë, kishin dashë t’ia presin rrugën malsorit. Por kush ia ndalon atij hovin kur shkon me marrë misër? Misër për fmi të nxirë nga mjerimi, të cilët kur duertë shtrijnë, u përngjajnë lugetënve të vocërr. Dëshmorë tragjikë në këtë skaj të dheut, të cilët njerzit e huej i kujtojnë ndër legjenda historike. Legjenda historikelumni legjendare. Se lumnija e vërtetë asht larg, tepër larg, nga këto foletë e shqipeve. Nëpër luginat e maleve përshkohet malsori vetëm me nji këmishë e brekë legjendare mbi shtat, për me arrijtë në qendrën e nënprefekturës me marrë misër. Krahnori i tij asht një copë graniti, që u shkëput nga mali  dhe u vendos mbi dy kambë të drejta e të forta si landa e pyllit. Dhe lëvizet copa e malit pa bëzajtë. E përpara depos së misrit bjerr cilësinë karakteristike të vetën dhe bahet frigacak. Bahet servil, frigacak pse- mendon ai,- njashtu e do ligji, nëpunsi: përndryshe s’ka misër. Si urdhnon, zotni! Përsëritet sa e sa herë në mënyrë qesharake, me të marrun zani me gjeste majmuni- vetëm e vetëm me zgjue mninë e engjujve që ndajnë misër. Dhe kur e marrin misrin, nisen njeni mbas tjetrit gjatë udhës së ngushtë të malit dhe të jetës. Ndodhë që njenit i derdhen kokrrat e misrit nëpër birë të vogël të thesit. Shoku mbrapa, pa i pa i shkelë, e i treti shok as një as dy, por ia hjedh mallkimin e pamëshirshëm :  – Mos i shkel, he të shitoftë Zana! Se shekulli i njëzetë asht shekulli i apoteozës së misrit ndër foletë e shqipeve.

Migjeni dhe letërsia shqipe.

Migjeni është i pari në letërsinë shqipe që përshkroi nëpërmjet artit të fjalës  gjendjen e dhimbshme të malësorit. Në asnjë krijim letrar nuk është realizuar para ardhjes së Migjenit çmitizimi i perëndisë nga pakujdesja e shtetit dhe mitizimi i misrit nga urija, që kishte pllakosur malësinë : “Në shekullin e njëzetë s’ka apoteoza perëndish, por ka apoteoza misri. Bjeshkët tona, që dikur qenë lterët e apoteozave perëndish, sot janë lterët e apoteozës së misrit”. Migjeni me talentin e tij  është i pari në letërsinë shqipe që solli edhe një vizion të ri  në pasqyrimin e realitetit. Në “Legjenda e misrit”  në 50 rreshta me një fjalor të pasur realizon disa pamje madhështore dhe njëkohësisht të mjerë të realitetit të kohës, si:

Malësori ( malësorë t’unshëm, barin ka një gjysmë thesi misër, barin jetën e vet, barin perëndinë, malësori vetëm me një këmishë e brekë legjendare, krahnori i tij asht një copë graniti, dy kambë të drejta e të forta, lëvizet copa e malit pa bëzajtë, bahet servil, frigacak, hjedh mallkimin e pamëshirshëm).

Besimet e malësorit (apoteozë, perëndi, legjendë, lterët, legjendarë, zana, lugetënve, engjujve) .

Ambienti ku jeton ( bjeshkë, male, lugina, nënprefektura, katund, malet e egra me mjegull e borë, udhës së ngushtë, qiella që tue derdhë shi të lagë.

Jeta në shek XX ( shekulli i njëzetë ka shumë u e aspak misër; legjendë asht dhe lindja, legjendë asht dhe jeta, legjendë asht dhe vdekja; misër, misër asht fjala e ditës; misër për fmi të nximë nga mjerimi; shekulli i apoteozës së misrit.

Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe është një sfidë e re ndaj mendësisë shqiptare, që lëvizte dhe jetonte në male me kanunet, mitet, që kishin zënë shtresë shekull pas shekulli. Idetë përparimtare të kohës thyenin kokën në “malin që s’bëzan”, në malin që para krijimtarisë së Migjenit ishte simbol i qëndresës, gjuhës, krenarisë dhe një mit i paprekshëm. Migjeni shkruan:

O, si nuk kam  një grusht të fort,

t’i bij m’u në zemër malit që s’bëzanë!

Mali hesht –dhe unë në heshtje qesh.

E unë vuej –dhe në vuejtje vdes.

Ismail Kadare në librin “Uragani i ndërprerë” shkruan:   Noli solli në letrat shqipe poezinë filozofiko -politike, një poezi politike të madhëridhshme si rradhë kush në letrat europiane. Ndryshe nga Noli poezia e Lasgushit  ka një frymë emancipimi të paparë. Poradeci  ngre një kult të ri, atë të femrës dhe të dashurisë : “Dashuri, heu mall i ri” shpall ai në formë manifesti. Asnjëherë në Shqipëri e ndoshta në krejt letërsinë moderne të Gadishullit  Ballkanik femra dhe dashuria nuk kanë qenë kënduar me aq finesë e përkushtim. Bashkëkrijues në kohë me këta shkrimtarë Migjeni e ndan veten e tij nga epoka, me anë të rrugës më të vështirë. Ai, siç e shpall vetë, ka qejf të zhgërryhet në baltërat e kohës, të përshkojë tejembanë ferrin e saj. ” Të tre shkrimtarët mbeten në majën e letërsisë shqipe. Migjeni la si testament krijuesve të rinj vazhdimësinë e së vërtetës në letrat shqip.