Moikom Zeqo- Njeriu i kohës dhe koha e njeriut

615
Sigal

Njeriu i kohës dhe koha e njeriut

Kam lexuar dhe
rilexuar këto ditë librin e Rexhep Qoses “Populli i ndaluar”, (Prishtinë 1990)

Vëmendja e
tendosur, shumëfishimi i pamjeve, akribia e analizave, shqiptarësia e
patjetërsueshme, të tëra së bashku, ravizojnë profilimin e Njeriut të Kohës.
Rexhep Qosja është padyshim Njeri i vërtetë dhe i madh i Kohës.

I kujt kohe?
Vetëm i Kohës së Njeriut, i kohës së lirisë, që parakupton sa lirinë e individit
aq dhe të kombit.

Mund të thuhet,
se Rexhep Qosja, si rrallë kush, është dimensionuar me jetën e tij vetjake prej
intelektuali tribun në tragjedinë dhe fatet e kombit shqiptar.

Më 25 qershor të
këtij viti Qosja mbushi 55 vjetorin e jetës së tij.

Nuk është një
zakon rutinor, as gjest ceremonial për të përshëndetur jubileun kuptimplotë të
njërit, nga njerëzit më të mëdhenj të kombit shqiptar të të gjitha kohërave.

Në vend të një
letre, apo të një telegrami përshëndetës preferoj të shpreh disa mendime për këtë
personalitet të rrallë, për të cilin trimëria intelektuale është metafora e
ndritshme dhe shprehëse e dinjitetit kombëtar.

Popull i ndaluar!
Një titull i jashtëzakonshëm, një titull, që shpreh një të vërtetë nga më të
rëndat dhe më paradoksalet në Evropën e sotme të qytetëruar. Nuk është fjala
vetëm, për të treguar, se shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera në
Jugosllavi i janë nënshtruar një verdikti dhe një anateme inkuizicioniste. Ata
janë shpallur një popull i ndaluar, të përjashtuar nga statusi kushtetues, të
mohuar nga liria, të ofenduar përbindëshist.

“Shpirti i
Vlladan Gjorgjeviçit është ringjallur në trajtën më të panjerëzishme”, shkruan
në mënyrë lakonike Qosja. Edhe fjala, për shovinizmin më të tërbuar të
kontinentit, shovinizmin serb, i cili tenton të fabulojë histori të rreme,
shqiptarofobe, ku liria është një tabu ekzistenciale, një aparteid mendor,
ndërsa serbokroacia është gjithçka.

Rexhep Qosja
është një intelektual i fuqishëm. Zëri i tij është zëri i ndërgjegjes së
shqetësuar kombëtare. Ai me dinjitet të pazakontë demaskon filozofinë
fashistoide dhe vampirizmin politik të shovenëve, që i tremben me tmerr lirisë
dhe të drejtave të kombit shqiptar, ashtu si Drakulla, që i trembet dritës.

Rexhep Qosja,
duke qenë një krijues dhe studjues i formatit evropian ngre problemet tragjike
të popullit të vet, duke i ndërkombëtarizuar sepse njohja e së vërtetës është
një nga shprehjet autentike të lirisë, jo vetëm, për një popull, por për tërë
bashkësinë e popujve. Në këtë mënyrë, duke luftuar për emancipimin e kombit
shqiptar Qosja reflekton kudo.

Mund të thuhet se
masa e emancipimit të shqiptarëve, dhënie e lirive dhe e të drejtave, që i
takojnë është dhe masë e emancipimit të vet popujve evropianë.

Pse e them këtë?
Jo, për të mohuar nivelin e arritur të emancipimit të Evropës, por për të
thënë, se pikërisht ky emancipim vihet në gjendje paradoksale dhe penguese,
përderisa popullit shqiptar, që jeton në Kosovë dhe në viset e tjera të
Jugosllavisë nuk i ka arritur të drejtat e tij më elementare, pa të cilat, nuk
mund të ekzistojë dhe denatyrohet vetë vizioni i Evropës së ardhme të Bashkuar.

Rexhep Qosja nuk
bën një retorikë të instrumentalizuar të ditës, ai nuk është prestigjator i
bujshëm i iluzioneve politike.

Përkundrazi ai
shpall kudo të vërtetën, ashtu siç është demaskon monstruozitetet, terrorin
psikik, dhunën verbale, tërë regjizurat e sofistikuara të skenarëve të
përgjakshëm dhe të llahtarshëm antishqiptarë.

Ai flet me fakt
në atë kuptim, që është dhe vetë mishërimi i personifikuar i fakteve. Është
plotësisht i ndërgjegjshëm për misionin e madh por dhe tejet të vështirë.

Nuk i frikësohet
pasojave. Nuk i intereson fati i tij vetjak. Prej kohësh ai nuk mendon dhe
vepron si individ, por si një ndërgjegje kombëtare.

Te ky njeri i
vetëm ka një kolektivitet të habitshëm popullor. Tek ai, mbijetojnë fjalët
shqipe të Bogdanit dhe të Nolit, të Naimit e të Ismail Qemalit, gjithçka, që
formulon qartë dhe pa asnjë dyzim Testamentin e vetëm të pafallsifikuar të
shqiptarësisë, të çështjes kombëtare.

Ky testament
është për Qosen gjaku dhe mendimi, jeta dhe pavdekësia.

Rexhep Qosja nuk
di të heshtë. Heshtja për të është statusi i skllavërisë mendore, që është
skllavëria më e keqe nga të gjitha skllavëritë.

Qosja është
luftëtar i denjë. Një luftëtar i Fitores. Për të disfata është gjithashtu një
status i skllavërisë, diçka e tejkaluar përgjithmonë. Dituria e tij polivalente
e bën të sigurtë, të qartë, të pakundërshtueshëm, përherë fitimtar. E pra,
beteja është e llahtarshme, një nga betejat më të çuditshme dhe më të egra, që
janë bërë ndonjëherë në fushën intelektuale në këtë fundshekull. Pa qenë i
kompletuar me dituri dhe pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore, nuk mund të
bësh sfidë dhe të marrësh pjesë në këtë duel të përbindshëm.

Është fjala për
të përballuar, shpeshherë dhe i vetëm, një mitologji të egër të mas medias, që
është krijuar për shqiptarët, mitologji, që vetkupohet ka kuçedra dhe kimera të
gjalla politike, që e kanë persekutuar popullin shqiptar e kanë konstruktuar
për të një ferr asgjësues dhe një strategji të destruktimit dhe të zhdukjes së
njeriut shqiptar në përgjithësi.

Me qindra
politikologë, pseudodijetarë, shkrimtarë delirantë, të shpërfytyruar nga
paranoja e shovinizmit, kanë botuar libra të pafund, ku në formën e alibive
shkencore kërkojnë ta paraqesin karakterin dhe tipin shqiptar, ashtu siç e kanë
paraqitur antropologët dhe etnologët e parë kolonistë mentalitetin primitiv e
prapambetjen e fiseve autoktone në Guinenë e Re dhe Kaledoninë e Re në
shekullin XIX.

Qosja e sulmon
dhe e ç’vlerëson tërë këtë butafori, duke vërtetuar, se atentatet ndaj kulturës
e ndërgjegjes kombëtare shqiptare ndaj qytetërimit iliro-shqiptar janë aq të
shëmtuara, sa që, kulti i shpifjes, brutaliteti dhe asgjësimit total është
kulti i vetëm i shovinizmit.

Qosja e ngre kulturën
e vendit të vet, sepse e di, që albanofobia është parathënia e zhdukjes së vetë
kombit.

Gjuha totalitare
dhe e egër e Sllobodan Milosheviçit nuk tregon forcë dhe arsyetim, por delir
dhe frikë. Qosja i kupton në thelb tërë ata politikanë dhe pushtetmbajtës, të
cilët ashtu si Nostradamosi bëjnë horoskopin e Kosovës, duke përfunduar në
profecinë e zhdukjes së të gjitha të drejtave të saj, jo vetëm, të drejtave
kushtetuese, por edhe të drejtave më të mirëfillta njerëzore.

Qosja është parë
gjithashtu mendimtar, një eseist i shkëlqyer. Ai nuk i përket asnjë partie
politike, sepse mbi të gjitha politikat është kombi.

Ai thotë qartë:
“me politikë kurrë nuk jam marrë, politikës kurrë nuk i kam takuar. Dhe nuk i
kam takuar politikës, sepse kam dashur t’i takoj popullit tim, jo për një kohë,
por përgjithmonë”.

Në fakt ai i
beson vetëm një filozofie politike: sistemit të dijeve kombëtare, të vërtetuar
në shekuj, që janë testi i ndërgjegjes së vërtetë të njeriut shqiptar, për të
cilin liria është dinjitet dhe dinjiteti është gjithashtu liri.

Qosja hedh tutje
tërë mbishtresat politike, tërë truket e neveritshme të politizimeve të shumta
dhe të rrezikshme, me të cilat është mbushur jeta sot. Ky mendoj është një
mesazh i pamohueshëm konkret, që duhet ta dëgjojnë, që të gjithë. Përndryshe,
ne shqiptarët, do të biem pre e gënjeshtrave të reja, instrumentalizimeve
politike të fjalës e duke u çliruar nga kultet e vjetra, do të robërohemi nga
kultet e rinj, duke mbivlerësuar të tjerët do të përjetësojmë nënvleftësimin
tonë. Është ora historike për ta kuptuar përfundimisht këtë gjë.

Duke perifrazuar
Migjenin, ne s’duhet të humbasim më në lojën e përgjakshme të historisë
njerëzore.

Për Rexhep Qosen
demokracia dhe liria janë ajri i mushkërive të mendimit, të ekzistencës së
kombit. Çështja jonë kombëtare vërtet është e komplikuar, por mbi të nuk rëndon
përjetësisht fataliteti. Qosja e di se ndarja me një moskomunikim të
pashembullt të dy pjesëve të të njëjtit komb, sikur ato të ekzistonin veç e
veç, në dy planete të ndryshëm, është vetëm një absurditet i qëllimshëm i
kobshëm, politik, një formulë arkaike e padrejtësisë, së vetme në llojin e vet,
që ka sot për sot Evropa, që theksohet akoma më tepër, sidomos, mbas prishjes
së murit të Berlinit, që krijoi simbolikën e re politike shpresëdhënëse të
Europës së ardhme.

Sa shumë jetë, sa
shumë fate, sa shumë tragjedi, sa shumë liri dhe sa shumë shpresë ka në jetën e
një njeriu të vetëm si Rexhep Qosja.

Në 55 vjetorin e
tij ka të drejtë ai për të bërë një sfidë edhe ndaj moshës. Madje, të duket se
ai, më shumë se kurrë ka fituar një rinim të çuditshëm, që pak kush e arrin, që
vetëm njerëz të rrallë kanë të drejtë ta gëzojnë. Dhe megjithatë për Qosen dhe
ky rinim nuk është pronë e vet, por e të tjerëve.

Për intelektualët
e mëdhenj ndodh gjithmonë dukuria e mrekullueshme: sa më shumë që japin, aq më
shumë fitojnë, egoja e tyre vetiake humbet, sepse ata bëhen alter egoja e
popullit të vet.