Presidenti Bujar Nishani uron për Krishtlindjen: Paqe dhe begati për shqiptarët

519
Presidenti Bujar Nishani ka uruar besimtarët shqiptarë me rastin e Krishtlindjes, duke shprehur dëshirën që mesazhet që përcjell kjo festë të gjenden në zemrat e të gjithë njerëzve.
Në mesazhin e tij, Nishani vlerëson se, dita që përkujton llindjen e Krishtit shënon një ngjarje të madhërishme për besimtarët e krishterë në mbarë botën. 
Ai shprehet se, prej më shumë se 2 mijë vjetësh kjo festë përcjell mesazhin e ripërtëritjes së shpresës për një të ardhme më të mirë, më të sigurtë, në paqe dhe në begati. 
“Këto virtyte dhe qëllime të mira njerëzore, si dhe paqja e bekimet e Perëndisë dhe të Birit të saj gjenden me shumicë edhe në zemrat e besimtarëve shqiptarë”, është shprehur Nishani. 
Kreu i shtetit ka nënvizuar se, këto vlera duhet të triumfojnë jo vetëm në kisha e vende të shenjta, “por dhe në të gjithë botën për të mposhtur urrejtjen e pajustifikuar, ekstremizmin dhe ndasitë fetare”. 
“Në mënyrë që besimi tek Zoti si dhe tek vlerat më të pastra e të përdëllyera njerëzore të mbizotërojnë kudo e të na ndriçojnë rrugëtimin tonë shoqëror!”, ka vijuar Nishani. 
“Ju uroj nga thellësia e zemrës një festë Krishtlindjeje sa më të mbarë, shëndet, mbarësi dhe çfarë t’ju dëshirojë e bardha zemër! Gëzuar dhe përshumëvjet Krishtlindjet!”, ka uruar presidenti i Republikës.
Sigal