Lamtumirë miku i gazetës “Telegraf” Arben Duka

313
Sigal

Në gazetën Telegraf ku ai ka bashkëpunuar për mëse 8 vjet shkruante me emrin artistik Pelo Pelivani

 

Kush ishte Arben Duka

Arben Duka u lindë në Labovë të Gjirokastrës. Mbaroi Akademinë Ushtarake dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Është një ndër letrarët me biografinë më të pasur letrare dhe artistike në vend. Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara deri në pesë herë. Është bashkëautor në rreth tre mijë këngë të të gjitha zhanreve duke filluar qysh nga viti 1974. Ka dhjetra çmime si autor dhe bashkëautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të këngës në Radiot Televizionin Shqiptar. Është autor i mijëra e mijëra vargjeve humoristike dhe satirike në shumë të përditshme dhe periodike. Ka mbuluar për rreth shtatë vjet “Intervistat e Kaso Kosës” në gazetën “Intervista” duke qenë i spikatur dhe në prozë në këtë fushë. Por Duka është më së shumti një poet lirik. Duka sot është poeti më i lexuar dhe më i komentuar ndër shqiptarë. Ai, me stilin dhe talentin e tij ka arritur ta mbrojë me dinjitet të drejtën e të vërtetën. Në gazetën Telegraf ku ai ka bashkëpunuar për mëse 8 vjet shkruante me emrin artistik Pelo Pelivani, Me ikjen e tij në përjetësi gazeta Telegraf ka humbur bashkëpunëtorin e shkëlqyer, familja njeriun e afërt të zemrës.

 

Më poshtë po japim disa nga krijimet e tij më pikante ndër vite….

Kartolinë urimi për Vitin e Ri 2015 për Gazetën “Telegraf”

 

Nga Arben DUKA

 

Gazetës “Telegraf”

 

Të kam thënë: “Si plak i zgjuar,

ti ecën dhe numëron!”

Kohën, detin e tërbuar,

Vit pas viti e sfidon.

 

Nëpër vite na je gjendur

Si shtëpia gaz e shend

Dhe në vite e ke gdhendur

Me merak portretin tënd.

 

Pesëmbëdhjeta ta shtoftë

Përmbi vatër zjarrin tënd

Edhe emri t’u mbuloftë

Me flori e me argjend

Stafit të Telegraf

 

Të uroj shëndet e paqe

Gjithë të mirat që ka jeta

Tok të na gjejë tek kjo faqe

Dy mijë e gjashtëmbëdhjeta!

 

Agim Çirakut (Botues

i gazetës “Telegraf”)

 

Dhe pse s’dukesh,prezent je

Për hirin e së vërtetës

E dimë ne që kemi qenë

Ti je “buka” e gazetës

 

Meqë jemi tek kjo pikë

Ç’të thotë tjetër Arben Duka

Veç urimit kuptimplotë:

“O Agim t’u shtoftë buka!”

Engjëll Musait (Drejtorit

 të gazetës “Telegraf”)

 

Ku kam qenë e ku s’kam qenë

Nga gazeta në gazetë

Po një drejtor më të mirë

S’kam njohur në këtë jetë

 

Je nga njerëzit e veçantë

Që të tjerëve s’u hedh gurë

Për asnjë fjalën e mirë

Nuk e ke kursyer kurrë!

 

Me ty edhe jam mërzitur

Edhe “shkopin” e kam tundur

Por të bësh një sherr me ty

Është mision krejt i pamundur

 

Janë si vera miqtë e hershëm

Kjo si një aksiomë quhet

Ke talent dhe je i ndershëm

Dhe më shumë se kaq s’të duhet

 

Për ty shkrova pak më gjatë

Se të kam më shumë për zemër

Ndaj uroj të jesh gjithmonë

Në mesin tonë një Engjëll

 

Po ata që s’kanë as të hanë?!

Në darkën e Vitit të Ri,
tavolinën kisha plot,
po sa nisëm-i thashë gruas:
“I trishtuar ndihem sot!”

Gjithmonë në të tilla festa,
unë mbytem në trishtim,
kur mendoj se miliona,
këtu rrojnë në mjerim!

Më mbetet buka në grykë,
s’më shkon mëndja për dolli,
kur mendoj se miliona,
s’kanë një sofër-një çati!

Me mendim kaloj kufijtë,
s’mendoj veç hartën e shtetit,
mendoj të gjithë fatzinjtë,
në çdo pikë të planetit!

Mendimet më fluturojnë,
ku të mbyt fukarallëku,
dhe tek tiranët e ndyrë,
që festojnë mes bollëku!

Bota është e padrejtë,
s’e the vetëm ti-o Dukë,
po jo gjer në atë pike,
sa ka njerëz që s’kanë bukë!

Them se për Planetin tonë,
gjithandej do shpallur zija,
gjersa ende mijëra njerëz,
këtu vdesin nga uria!

Kjo është plaga e përjetshme,
që askush s’e ka shëruar,
rrojnë klikat e pushtetshme,
në luksin më të shfrenuar!

Këtë plagë e thelloi,
dhe më keq Rendi i Ri,
e në muzeum i çoi,
vllazëri dhe barazi!

Midis klasave ka qenë,
hendeku që gjithë e dinë,
po tani për fat të keq,
hendeku është bër’ greminë!

Sa të jetë kjo greminë,
që vjen duke u thelluar,
do ta kemi shoqërinë,
në një krizë të pambaruar!

Rishpërndarja e pasurive,
do qe një fillim i mirë,
po miliardat askush,
nuk i dorëzon me dëshirë!

S’po kërkoj revolucion,
të shëmbim Rendin e Ri,
se këtu revolucionet,
do dështojnë përsëri!

Pushteti e prish njeriun,
dhe të klasës proletare,
se njeriu që në gen,
ka natyrë grabitqare!

Një revolucion vigan,
mua do ma kishte ënda,
por akoma ky sistem,
mund të kurohet nga brënda!

Për kurimin dhe ndryshimin,
kurrë s’do më shuhet zëri,
ndryshe nga pesha e vet,
sistemi do bjerë i tëri!

Pa dyshim që do të shëmbet,
dhe do bëjë dëme të rënda,
gurët e asaj kështjelle,
të gjithëve do na zënë brënda!

Ky sistem s’shpëtohet dot,
se ha njeriu njerinë,
po mund dhe duhet shpëtuar,
Planeti ku marrim frymë!

Ky sistem do të kalojë,
në situata kritike,
por tiranët kanë në dorë,
edhe armët atomike!..

Një miliarder i urtë,
kollaj kthehet në Hitler,
dhe për pasurinë e tij,
të gjithë botën hedh në erë!

Në këtë akt satanik,
as veten në hesap s’vë,
sepse vuan nga sindromi:
“O të gjitha-o asgjë!”

Tani armë zgjedhjet kemi,
po pa ndryshime drastike,
sistemit vetëm i bëhen,
operacione plastike!

Operacionet plastike,
nuk janë kura për shërimin,
se pas fare pakëz kohe,
ato e shtojnë shëmtimin!

Sot i gjithë njerëzimi,
ecën në një shteg të ngushtë,
dhe asnjë nuk regullohet,
me një shpatë e me një grusht!

S’jam profeti që ta di,
do ketë a s’do ketë beteja,
po kjo Botë ka nevojë,
të eci në rrugë të reja! –

Mezi marr frymë

Unë mezi marr frymë,
ti shtrëngon litarin.
Mjekrra ime digjet
e ti ndez cigarin!…

Mua m’u tha buza,
ti hedh helm në gotë.
Nga të tillë miq,
na ruaj, o zot!….

Të gjithëve, që keq më bënë,
unë u flas, s’u mbaj mëri.
Ndaj ndonjëri më ka thënë:
“a ke gjak, more njeri!…”

I përgjigjem i menduar:
“nuk dyshoj që janë të liq.
U flas për t’i mëshiruar,
dhe jo për t’i bërë miq….”

 

Eca nëpër lule

 

Eca, mike, eca,

gjurmëve të tua.

Erdha, mike, erdha,

erdha gjer në krua…

 

Po ti kishe ikur,

o moj bukuri,

Ndaj putha burimin,

ku kishe pirë ti..

 

Mërzia më kapi,

më kapi të shkretin.

Thashë mos kishe lënë,

në ujë portretin…

 

Po uji kishte rrjedhur,

uji s’rri në vend,

dhe kish marrë me vete,

dhe portretin tënd.

 

Seç u silloisa,

në ato pezule,

Në gjurmët e tua,

kishin çelur lule.

 

Kishin çelur lule,

me lastar dhe fleta.

Eca nëpër lule,

Edhe ty të gjeta…

***