BE: SPAK dhe organet e Vettingut nuk do rikandidojnë kur u mbaron mandati

15
Sigal

BE nuk e mbështet rikandidimin e prokurorëve të SPAK në përfundim të mandatit. Rekomandimi i vetëm i Brukselit duket se lidhet me pozicionin e punës së këtyre prokurorëve pasi t’u përfundojë mandatin në SPAK, ndërsa për anëtarët e KPK, KPA dhe pedagogët e magjistraturës duhet të kalojnë më parë vetingun. Referuar Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, BE nuk pranon propozimin e Parlamentit që problematikat me anëtarët e KLP dhe të Vettingut të zgjidhen nga vetë institucioni, por të kalojnë në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese

Raporti thekson se duhet të bëhen ndryshime legjislative për të përforcuar integritetin e stafit pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës, duke siguruar që ish magjistratët e shkarkuar nëpërmjet vettingut ose që dhanë dorëheqjen para tij, nuk do të trajnojnë brezat e ardhshëm të magjistratëve

Bashkimi Evropian duket se nuk mbështet rikandidimin e prokurorëve të SPAK në përfundim të mandatit. Më herët kreu i SPAK kërkoi nga ligjvënësi ti jepej mundësia për një rikandidim të dytë po 9-vjeçar. Media televizive A2Cnn në Shqipëri iu referua të mërkurën një dokumenti të Bashkimit Evropian i cili i drejtohet grupit të punës për ndryshimet në ligjet e drejtësisë. Rekomandimi i vetmë i Brukselit duket se lidhet me pozicionin e punës së këtyre prokurorëve pasi t’u përfundojë mandatin në SPAK. “Është e arsyeshme që prokurorët specialë në fund të mandatit të tyre të caktohen në Prokuroritë e Apelit, meqenëse ata mbulojnë të dyja nivelet, shkallën e parë dhe Apelin. Për këtë mjafton referimi në Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.” BE nuk pranon propozimin e Parlamentit që problematikat me anëtarët e KLP të zgjidhen nga vetë institucioni, pa kaluar në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese. Konflikti i interesit citohet si arsye. “Propozimet synojnë të kufizojnë kompetencën e Gjykatës Kushtetuese në sjelljet disiplinore të anëtarëve të Këshillit gjatë ushtrimit të funksionit të tyre si anëtar i Këshillit dhe jo kur veprojnë si gjyqtarë apo prokurorë. Është e diskutueshme nëse kjo është e këshillueshme, pasi – edhe pse anëtari përkatës i Këshillit mund të tërhiqet, kur kolegët e tij/saj janë duke vendosur për rastin e tij/saj, ka ende një marrëdhënie shumë të fortë mes anëtarëve, gjë që mund të shmanget nëse ja lë Gjykatës Kushtetuese të vendosë për raste të tilla. Sipas kësaj media ekspertët e Bashkimit Europian kërkojnë ndalimin me ligj të së drejtës për të dhënë mësim pranë Shkollës së Magjistraturës, të personave që nuk kanë kaluar vettingun apo nuk i janë nënshtruar këtij procesi. “Duhet të bëhen ndryshime legjislative për të përforcuar integritetin e stafit pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës, duke siguruar që ish magjistratët e shkarkuar nëpërmjet vettingut ose që dhanë dorëheqjen para tij, nuk do të trajnojnë brezat e ardhshëm të magjistratëve.” Këto komente të Bashkimit Europian kanë riaktivizuar grupin e punës me 4 deputetë të PS dhe PD së Rithemelimi, një vit pasi draftet iu dërguan Brukselit dhe SHBA, dy konsideruar si bashkautorë të reformës në drejtësi. Tashmë duket se as Parlamenti as partnerët ndërkombëtarë nuk e kanë mbështetur idenë e një rikandidimi të prokurorëve të SPAK në përfundim të mandatit, duke konsideruar të mjaftueshme zgjidhjet e legjislacionit në fuqi