Pushtetarët dhe oligarkët që fshihen pas TEC-it në Roskovec

15
Sigal

 

“Miratimi i lejes për ndërtimin e kompleksit të 3 TEC-ve në Roskovec është bërë me raporte mjedisore false e pa bërë asnjë konsultim me banorët”

“Janë 700 hektarë toka e sera, ferma blegtorale e burime ujore që do të shkatërrohen; si dhe do helmojë jetën e 35 mijë banorëve të njësisë Suk-1, banorëve të Bashkisë Roskovec e fshatrave të Bashkisë Dimal”

Edhe pse u kundërshtua fort nga banorët e disa fshatrave të Bashkisë së Roskovecit dhe Dimal, pak ditë më parë Këshilli Bashkiak në Roskovec i dha dritën jeshile ndërtimit të TEC-it në Suk. Diskutimet në mbledhje ishin të forta ndërkohë që banorët protestonin jashtë, duke e cilësuar ndërtimin e tij një bombë ekologjike dhe një krim mjedisor. Janë 700 hektarë toka e sera, ferma blegtorale e burime ujore që do të shkatërrohen; si dhe do helmojë jetën e 35 mijë banorëve të njësisë Suk-1, banorëve të Bashkisë Roskovec e fshatrave të Bashkisë Dimal.Ndërkohë që kanë kaluar vetëm pak ditë  nga miratimi i projektit në Këshillin Bashkiak, janë banorët e zonës ata që komentojnë emrat, të cilët fshihen pas kësaj vepre kriminale që i dënon ata me vdekje. Edhe në këtë rast sipas tyre janë emra zyrtarësh të lartë, dhe ndërtuesish të cilëve ditëve të fundit u janë përmendur emrat në dosje trafikantësh, marrëveshje ekonomike private me mafiozët e botës së krimit, në aferat me oligarkë dhe kompani të huaja offshore, që zhvasin buxhetin dhe pasuritë e Shqipërisë. Miratimi i lejes për ndërtimin e kompleksit të 3 TEC-ve është bërë me raporte mjedisore false e pa bërë asnjë konsultim me banorët. Banorët e fshatrave Suk-1, Suk-2, Arapaj, Strum, Velmish, Drenovicë, Samaticë, Rrëzë, Gorican, Kutalli etj, gjatë protestës para Bashkisë së Roskovecit ditën e miratimit të lejes, deklaruan se kompleksi i TEC-eve me gaz e mazut, që do ndërtohet në zonën Suk-1, është investim dhe biznes  një zyrtari të lartë pranë kryeministrit është maskuar pas firmës “Shkëlqimi 07”, të ndërtuesit Agron Kapllanaj, ish-kryetar i Bashkisë së Ballshit e ish-shërbëtor i Sali Berishës, që gjatë pushtetit të Edi Ramës, ka marrë 56 milionë Euro tenderë. Por këshilltarët e opozitës, kanë nxjerrë dhe emrin e një oligarku, i cili edhe ai ka qenë i preferuar i ish kryeministrit dhe kryeministrit aktual, firma e të cilit do të investojë në kompleksin e TEC-ve në Roskovec dhe do jetë ortak me zyrtarin e lartë pranë qeverisë aktuale. Ndërkohë në 24 prill 2024, gjatë një takimi me PS në Fier, drejtuesi politik i këtij qarku, Taulant Balla, tha, se kompleksi i TEC-ve në Roskovec, nuk do ketë asnjë ndikim në mjedisin e zonës dhe do t’i shërbeje ekonomisë së krejt zonës Roskovec-Patos-Dimal, por realisht, 90% e energjisë së prodhuar do eksportohet në Greqi. Saktësojmë, se Greqia që do marrë 90% të energjinë së prodhuar në Roskovec, nuk e ndërtoi TEC-in në Janinë e Selanik, sepse nuk e lejojnë banorët dhe e ndalojnë 3 Konventa të BE; ndërsa kryeministri e pranoi ndërtimin e tij në Shqipëri, ngaqë Shqipërinë dhe shqiptarët i trajton si vend e popull të Botës së Tretë. Nëse do t’i referoheshim takimit elektoral të 3 prillit të vitit 2021 në Roskovec, kryeministri tha: – Brenda 2-3 vitesh, kemi një projekt zhvillimi agro- bujqësor e turistik, që të bëjmë si Toskana e Italisë, zonën e Roskovecit me këto kodra piktoreske, liqene e 1000 hektarë toka pjellore. Por me sa duket projekti për ta bërë Roskovecin si Toskana, paska qenë ndërtimi i TEC-it që do të helmojë zonën, për të prodhuar energji për Greqinë.