Portat e narkotrafikut/ Pas portit të Durrësit edhe aeroporti i Rinasit “han pa porta”. Arrestohet në Turqi polici me valixhen me drogë

521

Sigal

Siguria kombëtare është vënë edhe një herë në pikëpyetje pasi një rast në përmasat e një skandali është zbuluar, dhe jo nga Policia shqiptare, por ajo turke. Një efektiv i Policisë Rrugore është arrestuar krejt rastësisht së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ndërsa kishin krijuar një rrjet të trafikut të lëndëve narkotike. Por këto lëndë narkotike efektivi shqiptar i kalonte përmes pikës të kalimit kufitar në aeroportin e Rinasit. Shkelja e sigurisë në aeroport kërcënon sigurinë kombëtare. Nëse mund të kalojë kaq lehtësisht lënda narkotike, çfarë tjetër mund të kalojë kaq pa u vënë re nën hundën e efetktivëve të Rinasit nga udhëtarë të ndryshëm. A kemi pasur një shkelje të rregullave të qarkullimit? Mos vallë valixhet e efektivit nuk janë kontrolluar siç duhet apo janë anashkaluar në pikën e kalimit duke mos u kaluar në sistemin e skanerit si të gjithë pasagjerët e tjerë që duhet të kalojnë në këtë procedurë për të udhëtuar me avion. Policia sqaron se punonjësi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, shtetasi Florenc Bicerri, tashmë i arrestuar në Turqi, ka dalë nga Shqipëria, nëpërmjet Rinasit, së bashku me mikun e tij shtetasin Çeliku, më datë 05.10.2022. Sipas burimeve ai u kap së bashku me 2 persona të tjerë të identifikuar si shtetasi Adrian Qirici si dhe Kujtim Çeliku ky i fundit i dënuar më herët për vjedhje të dy shtetasve shqiptarë. “Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët turq, në lidhje me një rast trafikimi të lëndëve narkotike, në të cilin janë të përfshirë 3 shtetas shqiptarë, njëri prej tyre punonjës policie, ka ngritur një grup të dedikuar hetimor, për hetimin e rastit. Për këtë punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm dhe përgjithmonë, nga Policia e Shtetit.” – njofton policia. Autoritet turke kishin informacione më herët për lëvizjet e tyre pasi edhe në fillimin e këtij muaji u arrestuan edhe 2 shtetas turq që dyshohet që kishin lidhje me të. Në hetimet e këtij rasti e përfshirë është edhe agjencia e mbikëqyrjes policore, të cilët po shkëmbejnë informacione me autoritetet Turke në lidhje me këtë aktivitet të narkotikëve. Në reagimin për mediat policia e shtetit bën të ditur se drejtori i përgjithshëm ka urdhëruar përjashtimin e tij nga detyra si dhe fillimin e hetimeve edhe për shtetasit e tjerë shqiptarë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. “Që prej datës 8 tetor, komisariati rrugor në Tiranë ka nisur hetimin disiplinor për efektivin si dhe procedurën për largim nga puna. Kjo pasi ai nuk është paraqitur në detyrë, madje kishte rezultonte se kishte ikur pa leje drejt shtetit turk.”