Suplementi Pena Shqiptare/ Namik Selmani: Poezitë-tollumbace

147
Sigal

 

O, sa u çuditëm kur pamë për herë të parë tollumbacet!

Me bulçitë e fryra i frymë fort si të ishim fitimtarë

dhe na zbriste lumturisht kuqëlimi i bukur te faqet

kur qielli mbushej me ato ngjyra në festën e rrallë,

kur nisa të vargëzoj në fletë a në ekranet kaltërore

Një ditë nuk i desha fare tollumbacet në pragje.

S’e desha atë plasje mes duarsh që jepte trembjen fëmijërore.

Te vargu i thurur që i ngjante një flake kashte.

Më dhemb gjer në palcë kur shoh poezitë –tollumbace,

me lule të vyshkura, parfume e përqafime ekzotike.

Më tej, të japin trishtimin si një qenushkë endacake,

kur shkelet besa me fjalën që e përpijnë dhe fundosin vite.

Fryrja e tyre s’dua të më grackojë si këmbë dhelpre.

Dora m’u thaftë dhe sytë që të dy të verbohen.

E dua qiellin, pemët ku rizgjohen gjethet mes degëve,

po s’dua vargjet të ndryshken si kusi a si tollumbace të shpohen.

S’dua që fjala e mençur nga shalqi të kthehet në kungull.

S’dua që ferra të më vijë në duar si buqetë me lule.

Në vend të rakisë së fortë, mushti të mos bëhet uthull.

Kripa të mos ngatërrohet me sheqerin në një furrë buke.