Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Lakimi i emrit të saj

64
Sigal

Një vajzë të Shkodrës desha dikur!
Së largu e desha, nga frika,…
dhe fjalën “të dua”, të rëndë si gur
mbi shpinë e mora dhe ika.

Në fshatrat malor, plasur prej mallit
mësues i zbehtë, binjak me trishtimin,
me emrin e saj në dërrasën e zezë
u mësoja nxënësve lakimin.

Dyzet gojë njëherësh me emrin e dashur
emërore Ajo,… i, e Asaj gjinore,
veç lotët në grykë nuk di si i lidhja
kur arrinin në kor tek rasa thirrore…

Ku është tani vallë përgjumësh si Buna,
gjynah të vdes pa ditur sa e doja.
Veç në ia tha këto në gjumë ndonjë ëndërr
nga ato mijëra ëndrra, që i postoja…

 

Një ëndërr hua

A nuk më nis një ëndërr nga të tuat
se (eh!) më në fund u plaka!
Të miat si hiri, pa ngjyra, plot arna,
të tuat kërcasin si flaka.

Të tuat këndojnë si gotat me verë
para dashurisë.
Të miat bien erë të rëndë ilaçesh,
pa le të mërzisë!…

Pse nuk më çon një natë me hënë,
me bar të shtypur tek lumi.
Këput dy komça nga bluza mbi gjinj,
t’i pi si tableta gjumi…

M’i nis një natë me postën e hënës,
Yshti si grua, çfarë pret?
Si të palosje ylberet në kutinë e zemrës
shpëto një jetë!

Në të dhimbsen zgjidh atë më të shp’larën:
ato që teprojnë më nis…
E hidhur jeta që mua më ka mbetur,
nuk di si ta gris…

Fundja ma jep ti hua, se borxhin
ta ruaj dhe në varr.
Ta kthej me shiun që do vijë tek unë,
mbi barin e parë…

Të lutem një ëndërr që mund ta paguaj
dhe me një sy.
Veç po ndjeva brenda thërrime mëshire,
t’u thafshin ëndrrat dhe ty…