Suplementi Pena Shqiptare/ Ilir Kadia: Damarët e ujit

148
Sigal

Ndue Zefi nuk ishte i mërzitur aspak që nga katër djemtë e mëdhenj, se tre vajzat natyrisht që nuk i vinte në hesap, pra që asnjëri prej të katër djemve nuk kish mbetur të jetonte me të, këtu në Kthjellë, por kishin ikur në Tiranë. Në fillim, kishin ndërtuar shtëpi atje, tek kodra e Priftit, dhe më pas ja kishin mbathur për në Angli. Kish të voglin ai, Markun, që e mbante atë dhe Martën në pëllëmbë të dorës. Marku, sapo i kish kaluar të njëzetat. Ai tash dy vjet bënte rrugën e Greqisë, por vetëm sa për të bërë ndonjë dorë pare dhe për t’i sjellë në shtëpi e për ta çuar më tej ndërtimin e shtëpisë së re me pus në oborr. Ai nuk kish pasaportë me vizë për në Greqi, i binte gjithherë nga Mali i Gramozit. Ndue me Martën ishin gjithë merak deri sa ai mbërrinte shëndoshë e mirë në Kallabak, atje punonte kur shkonte në Greqi. Prej andej ai më merrte mua në celular dhe unë shkoja e njoftoja pleqtë e tij. Punonte në të zezë, në ndërtim, e thosh se fitonte boll krahasuar me paret që do merrte po të punonte në Tiranë, makar edhe në ndërtim. E kish provuar Tiranën. S’ishte gjë. Marku i kish ngjarë edhe të atit edhe të ëmës për punë. Ata, të dy nuk i shihje një minutë pushim. Tani po hapnin pusin, por edhe më parë, gjithë ditën e ditës mbush, mbaj e zbras kova herë me llaç e herë me pleh. Puna e pusit ishte fiksimi i Ndues se Marku po të mos këmbëngulte i ati aq shumë për pus në oborr e kish zgjidhur me burimin e malit aty pranë çështjen e ujit. Pak para për tuba plastikë dhe uji vinte vetë në shtëpi. Por Ndue thoshte ndryshe:“Shtëpia pa pus s’vlen një grosh. E uji në tokë është më me bollëk se mbi tokë.”

Ndue Zefi i thosh të birit duke i treguar duart e tij të rreshkura me damarë kërcyer se ja kështu, si damarët e gjakut të tij nën lëkurë janë damarët e ujit nën tokë. Të bollshëm, të ftohtë, të pashterrshëm.”Po duhet gërmuar se ujin e bjeshkës s’ta fal lehtë zoti. Ai e do për vete. Duhet gjetur damari i ujit të mirë, me durim! ” Dhe Ndue, kur Marku ishte në Kthell, e zinte për krahu të birin dhe shkonin bashkë tek gryka e pusit. Futeshin brenda dhe mbushnin kovat me dhe. Punonin në gjunjë se aq vend kish. I bënin shenjë Martës duke tundur litarët dhe ajo i tërhiqte ato lart. Ndue besonte se damarët e ujit të gjithe botës kanë lidhje me njëri tjetrin, siç kanë lidhje njerëzit e mirë pa njohur njëri tjetrin kudo në botë. « Është i njëjti ujë nën tokë gjithandej, por e ndotin njerëzit e këqij, që janë sipër. Edhe këtu poshtë në Kthell, edhe atij Gramozi edhe asaj Kallabake i njëjti ujë është kur shkrin bora. » – i thoshte Ndue të birit. Ata kishin dy muaj që kishin filluar gërmim, por nuk po binin në ujë. Argjila dilte e thatë nga toka.Vjeshta kish hyrë mirë dhe moti po jepte shenja se do ftohej e bora ishte në prag.”Koha ka ndryshuar, toka është ngrohur këto vite, por më parë në Kthellë edhe në mes të gushtit ka rënë borë.”- i tha Ndue Markut atje në fund të pusit.”Pse s’më thua të nisem. Gramozi me borë është shumë i keq. Nesër nisem! “- i tha Marku të atit ndërsa mbushte me duar kovën me dheun e gërmuar nga të dy. Marku kaloi nga ambulanca ime para se të nisej. Kështu bënte gjithmonë. Ishte i çiltër e kish një buzëqeshje të dlirë.Vinte e më thosh se sa euro kish në plan të nxirrte nga rruga e radhës dhe ç’do bënte me to.“ E këtë herë, çdo bësh me paret që do qisësh? Shtëpinë e mbarove apo jo?”

“Shtëpinë e mbarova po pusi do veshur. Do blej pllaka mermeri kur të kthehem në pranverë Deri atëhere baba ka rënë në damar të ujit me siguri.”- tha Marku dhe më përshëndeti me dorë.

Pastaj duke zbritur monopatit për të rënë në rrugë të madhe u kthye nga Ndue dhe Marta dhe i përshëndeti dhe ata. Vetëm ato tre minuta, sa rruga vidhej kodrës e Marku nuk shihej më, kaq kohë qëndronin tek gardhi i shtëpisë së tyre pa punë plaku Ndue dhe plaka Marta, se pastaj shpejtonin sërish të kapnin belin a lopatën, a sëpatën, sipas rastit, e të fillonin punën.

Unë i shihja nga dritarja e ambulancës dhe bëja çudi sa punonin ata të dy. Isha i sigurtë se po t’i pyesnin të dy bashkë, a makar veç e veç, se ku e gjenin kënaqësinë në këtë jetë: tek paraja, puna, fëmijët apo seksi, ata të dy, ndryshe nga unë që do përgjigjesha tek seksi, do të thoshin, po me të parën: tek puna! Po kush do t’i pyeste për këto gjëra Nduen apo Martën? Ata, as televizor shohin e as gazetë lexojnë. Ata veç punojnë e punojnë. Këto po mendoja, ndërsa një shi i ftohtë lagte pemë e gurë e ata, nën një mbulesë plasmasi vazhdonin të nxirrnin dhe të thatë tek gryka e pusit. Marta mbarte kovat prej grykës deri në pjerrinën mbrapa shtëpisë së re.

Shiu kish dy ditë që binte, që sa u nis Marku. Dita ishte e zymtë, e gjatë, e mërzitëshme. Dukej si ditë dimri në zemër të vjeshtës. Unë nuk kisha patur asnjë të sëmurë për të vizituar ato dy ditë, as në ambulancë dhe as ndonjë thirrje për vizitë shtëpie. Nga kotja me nxori zilja e celularit. Ishte Irena, nga Tirana. E fejuara ime. -I sheh lajmet e fundit? – më pyet. -Ç’lajme? -Një i ri nga Kthella është gjetur i vrarë në dëborë. Shihi, shihi! Hapa televizorin dhe…O zot s’është e vërtetë! Me gërma të kuqe lexoj të shkruar : « Identifikohet i riu i vrarë. Mark Zefi nga Kthella ».

Shaj nëpër dhomë me nënë e babë ata të televizionit që aq pa takt japin njoftime të tilla pa mësuar më parë nëse familjarët e viktimës janë njoftuar apo jo në rrugë zyrtare!

Vrapoj tek dritarja dhe shoh nga oborri i pleqve. Ata vazhdojne aty nën tendën e plasmasit të bardhë duke gërmuar pusin. Ndue brenda dhe Marta tek gryka. E di që duhet të nxitoj, të gjej mënyrën e të shkoj t’u them për mënxyrën të dyve, përpara se fshatarët e tjerë që si unë e kanë mësuar lajmin nga televizori të mësyjnë tek shtëpia e tyre për ngushullim e t’i gjejnë akoma duke punuar. I them Irenës të ma verifikojë lajmin në Ministri të Jashtëme a Ministri të Brendshme e ajo thotë se ata sa bënë një njoftim për shtyp. Është e vërtetë gjithshka, -tha ajo. Unë e di si më bënë këmbët dhe i bëra ato njëqind metra deri tek oborri i shtëpisë së tyre. Me dukej sikur tërhiqja gjyle nga pas. Më të vështirë e kisha tek gjetja e fjalëve për t’i bërë të ditur ç’kish ndodhur. -Eja doktor. Ndue ka rënë në damar të ujit. Eja ! – më ftoi Marta sa më pa në derë të gardhit. Unë s’kisha mbërritur kur Ndue brofi nga gryka e pusit duke fshirë duart në pantallona. Diç parandjeu që nga fundi i pusit kur dëgjoi se po vija unë. Nga të gjitha variantet që kisha menduar zgjodha më të keqin. Ja thashë troç si hajvan. – Markun e kanë vrarë në dëborë. Në Gramoz. A një polic grek a shoku i vet s’dihet. Gjëma u ra në kokë si rrufe pleqve. Një çast sikur ngriu ajri. Ndue dhe Marta panë njëri tjetrin, pastaj prapë nga unë. Marta ju fut në gjoks Ndues dhe zu të qajë pa zë. Ashtu është zakoni këtej. Nuk qahet me zë pa ardhur trupi i të vdekurit.

– Kur e sjellin ? – më pyeti Ndue, ndërsa lotët i pikonin në flokë të Martës. – Nesër, më thanë. Në 12-të. Nuk durova dot më. U ktheva shpinën dhe vrapova drejt ambulancës.

Me të mbërritur atje i hodha dy grushte ujë syve dhe shikova sërish nga oborri i tyre. Kishin ngelur ashtu të ngrirë në gjoksin e njëri tjetrit. U ktheva e vura xhezven në furnelën me gaz e thashë t’u bëj një kafe .Ta pinim të tre tek gryka e pusit e të mblidhnim veten. E hoqa xhezven nga flakët e kaltra të gazit dhe hodha sytë në oborrin e tyre sërish. Ata nuk ishin më aty. Prita një minutë. Ata s‘u dukën. Mendja më shkoi keq. E lashë xhezven në parvaz të dritares dhe dola me vrap drejt shtëpisë së pleqve të Markut. Hapa me vrull derën e oborrit dhe vura vesh. Një oshëtimë zërash të mbytur vinte nga gryka e pusit. Afrohem dhe shoh poshtë. Atje në gjysëm errësirë Ndue dhe Marta, lakuriq, deri në gjunjë në ujë mbushnin grushtet dhe lanin trupat e tyre të thatë. E puthnin ujin dhe e hidhnin mbi vete. “O zot lana mëkatet!”- luteshin Ndue dhe Marta duke u dridhur nga të ftohtit. E unë as atëhere, as tani, as kurrë s’do e marr vesh se çfarë mekatesh kishin bërë ata dy pleq të mirë që tërë jetën e jetës veç punonin e punonin. Ndoshta ata bënin veten fajtor që e kishin lënë Markun të ikte në Kallabak për paret e mermerit të pusit, ndoshta ngaqë nuk e kishin dëgjuar për ta marrë ujin me tuba plastikë e për të mos e hapur fare atë dreq pusi. Po ujin pse e puthnin para se ta hidhnin mbi krye ? Ndoshta Ndue do t’i ketë thënë Martës atë teorinë e tij se ujrat e mirë të gjithë botës lidhen mes tyre dhe ky ujë prej Kthjelle mund ta marrë puthjen e tyre e t’ja çojë Markut atje në borën e Gramozit të bërë ujë nga gjaku i ngrohtë i djalit të tyre. Po, po ! Ndue Zefi ka qënë i bindur se damarët e ujit nën tokë prandaj edhe janë.