Kolana, “Oficeret shqiptare në rrjedhën e historisë”, i Kujtim Boriçit e Zana Jahollarit, monument për gratë dhe vajzat shqiptare me uniformë

  Nga, Liliana KONOMI-MERO

Pedagoge, studjuese

Sigal

Kanë përfunduar dy volumet e para dhe është në shtyp volumi i tretë (nga 800-100 faqe) i kolanës “Oficeret shqiptare në rrjedhën e historisë”, i autorëve të njohur, Kujtim Boriçi e Suzana Jahollari. Nisur nga vlerësimi i deritanishëm i specialistëve dhe pritshmëritë, duhet të theksoj se kjo kolanë, është një ndërmarrje e munguar dokumentare, historike për sot e në të ardhmen, për studiuesit e lexuesit e thjeshtë, për rolin e grave e vajzave oficere shqiptare (në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në ushtritë aleate) ku ata kanë milituar apo militojnë. Duke u ndalur tek disa mendime të miat modeste, tek volumi i parë i kësaj kolane, mendoj se: Perceptimi i parë për Ushtarakun është ai i personit në shërbim të mbrojtjes së Atdheut. Dhe më pas e përfytyrojmë në rresht a në kolonë marshimi, në transhe a vijën e sulmit. Këtë ndjesi më dha edhe leximi i librit “Oficeret shqiptare në rrjedhën e historisë”.  Në 812 faqet e këtij libri, (volumi i parë) të strukturuar në 14 kapituj, ku në 11 prej tyre, autorët Kujtim Boriçi e Suzana Jahollari na paraqesin portretet dhe autoportretet e 227 oficereve. Si të rreshtuara në njëshkolonë, mes tyre 8 janë oficere madhore; 7 janë gra shqiptare që bënë historinë në shekuj; 6 komandante dhe komisare gjatë Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare Shqiptare (e shtata është e para nga oficeret e Pasluftës; 187 janë oficere shqiptare me kontributin e tyre në Forcat e Armatosura të Shqipërisë si komandante toge e kompanie, pedagoge në shkollat ushtarake, shefe të llojeve të ndryshme të armëve dhe shërbimeve të Ushtrisë sonë Popullore të para viteve 90 të shekullit të kaluar dhe, më pas, të Forcave të Armatosura dhe, këtyre, iu shtohen 13 mjeke ushtarake; 33 janë gra oficere të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe më pas të Ushtrisë së Kosovës; një shqiptare me uniformë në Maqedoninë Veriore dhe në fund janë 13 oficere shqiptare me karrierë të suksesshme në ushtritë e vendeve aleate të NATO-s. Një antologji e vërtetë.

Një punë e madhe, një rast i rrallë, një sipërmarrje që me shumë pak persona të arrihet një Vepër që do të kërkonte ekipe të plota e me profesionistë të fushës, si dhe ndihmës të tyre të panumërt dhe, sidomos fonde financiare. Autorët ia dolën, sepse dëshira, synimi dhe angazhimi i tyre është fisnik dhe i sinqertë për ta lënë të shkruar historinë e këtyre vajzave dhe grave ushtarake, jo vetëm brezave të sotëm, por më shumë brezave të ardhshëm. Këto oficere, siç jetuan e shërbyen së bashku me radhë të shtrënguara, kështu do të mbeten në kohëra, së bashku, edhe në këto fletë libri. Kjo Antologji është shprehje e nderimit që iu bëhet gjithë grave dhe vajzave që luftuan për Lirinë ose kanë shërbyer për Mbrojtjen e atdheut të tyre, Shqipërisë sonë. Ato ndihen krenare për këtë vepër dhe iu janë mirënjohëse autorëve të saj. Në kapitullin e veçantë “Oficeret madhore shqiptare (Gjenerale, Ministre, Presidente, Deputete dhe funksionare të larta shtetërore” jepen ato më të spikaturat. Një nga ushtaraket shqiptare, që ka pasur një karrierë të suksesshme në profesionin e saj si oficere aktive e specialitetit të financës në strukturat e ushtrisë, në ato vendore dhe në ato politike është deputetja Andoneta Dhima. Në zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara më 2017, ajo u zgjodh për herë të parë deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për Qarkun e Fierit. Aktualisht ka mandatin e dytë.“Për herë të parë në historinë, në 110 vite të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në nëntor të vitit 2017, një oficere gradohet Gjenerale.

Me propozim të ministres së Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka dekretuar me gradën gjeneral brigade Manushaqe Shehun”.  Irfete Spahiu është një tjetër gjenerale shqiptare, por në Kosovë. Karrierën e saj e ka nisur që “ … në vitin 1996 … si një nga luftëtaret e para të UÇK-së” dhe, më pas në Ushtrinë e Kosovës gradualisht e shkallë-shkallë derisa u gradua Gjenerale, duke u bërë e para gjenerale kosovare. Suzana Jahollari, bashkautorja e këtij libri, ka gradën kolonele dhe karrierë të plotë si drejtuese e mësimdhënëse në Shkollën ushtarake “Skënderbej”. Ka qenë pedagoge e Sociologjisë Politike në Departamentin e Lidershipit & Shkencave Shoqërore, në Akademinë e Forcave të Armatosura. Ka qenë edhe prefekte e Qarkut të Tiranës, nga viti 2017…”. f.  Anila Hoxha, është një nga oficeret me karrierë të suksesshme në Forcat e Armatosura dhe në Policinë e Shtetit ku arriti deri në Zëvendësdrejtore e Përgjithshme. Po ashtu, në 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, ajo u shpalledhe u vlerësua ndër 100 gratë më të suksesshme shqiptare në karrierë”. Janë në këtë kapitull edhe Mimi Kodheli e Olta Xhaçka ministre të Mbrojtjes së RSH, Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës. Oficeret shqiptare kanë ecur në gjurmët e oficereve të para të Pasluftës. I gjetur mirë është titulli i kapitullit ku autorët i kanë përfshirë ato “Gratë tribune shqiptare që bënë histori në shekuj”. Janë përzgjedhur, për këtë vëllim, Teuta, mbretëresha e Ilirisë, Laskarina Bubulina, luftëtarja e shquar në kryengritjen greke të 1821, Miro Tërbaçi, komandantja popullore trime, që vrau pashanë e Beratit, Maro Kondi, dëshmorja e parë e Shqipërisë, Tringa Smajli (Gruda), komandante dhe bashkëluftëtare me Dedë Gjon Lulin, Nora e Hotit, komandante e detashmentit të grave të Malësisë dhe Qerime Halil Galica, Shota, luftëtarja dhe komandantja për lirinë e Kosovës.

Në gjurmët e tyre do të shkelnin partizanet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dhe autorët kanë përzgjedhur për këtë vëllim të parë, trimëreshat Sabrije Vokshi, tribune popullore dhe luftëtare, si dhe Heroinat e Popullit: Qeriba Hoxha Derri, luftëtarja e LANÇ-it, komandante dhe përgjegjëse e gruas, Zonja Çurre, luftëtare e shquar e lirisë dhe Hibe Palikuqi, komisarja trime partizane nga Dibra. Për periudhën e Pasluftës, në një kapitull të veçantë, autorët do tregojnë historinë e të parave oficere që edhe Paslufte mbetën të përfshira në radhët e ushtrisë, me emërtimin Ushtria Popullore. Dhe, për këtë partizane e Brigadës XXIII Sulmuese Veronika Muzaku Shehu na tregon: “… kujtimet e mia më të shumta janë nga Lufta dhe nga jeta në shkollën e lavdishme “Skënderbej”. Kemi qenë nëntë vajza që nga radhët e brigadave partizane në luftë, me armë, erdhëm dhe u ulëm në ditën e parë në Shkollën ushtarake” dhe përmend emrat e disa prej shoqeve si Xhevrije Golemi nga Brigada V Sulmuese, si dhe Katerina Prifti nga Brigada I Sulmuese. Kapitulli më i madh është ai me titullin shumë kuptimplotë “Oficeret shqiptare dhe kontributi i tyre në Forcat e Armatosura”. Janë 185 oficere, historia e të cilave fillon në shtatorin e largët të vitit 1967. Lista e tyre është më e gjatë se kjo shifër. Por ato do të portretizohen në volumet e tjera të Librit që do të pasojnë këtë të parin. Autorët, por dhe vetë oficeret do na tregojnë motivet që i shtynë ato për t’iu përkushtuar karrierës ushtarake. Ja disa prej tyre: “Dëshira për të ndjekur studimet për oficere lidhen me faktin se im atë ishte oficer karriere dhe në një formë a tjetër, ushqeu te unë ëndërrën që më pas u bë realitet”. Kështu shprehet në autoportretin e saj Valentina Pambuku-Marrolli, që e mbylli karrierën ushtarake me gradën kapitene e parë. Togere Klita Hoxha Luga është adjutante pranë Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe shprehet se ndjen Krenari që eci nëngjurmët e babait tim pilot“. Edhe oficere Ergi Duro autoportretin e saj e titullon “Im atë pilot, frymëzim model për karrirën time si oficere aktive”. Nga viti 2018 Ergi Duro është komandante toge në Policinë ushtarake në Tiranë. Në faqet e këtij libri do të lexoni edhe jetën interesante të kapitenes së parë Florinda Meraj. Ja si e përshkruan ajo vetë: ” Gjatë karrierës sime si oficere, më e vështira ka qenë ajo e trembëdhjetë viteve (1977-1990) në ishullin e Sazanit. Përveç izolimit, mungesës së komunikimit me qendrat urbane … në Sazan, ne me të vërtetë ishim të gjithë si një familje. Rrëfim gati poetik është autoportreti i kapitenes së parë Vasilika Babo Topi dhe, nëpër ato rreshta, lexuesi harron se po lexon jetën e një ushtarakeje. E mbyll shkrimin për jetën vetiake me poezinë e bukur kushtuar shoqeve të saj të kursit të parë për oficere 1967-1969. Në libër do të lexoni edhe për Ilirjana Sulkuqin, poeten tjetër aq lirike dhe, po aq, shumë të njohur. Edhe Violeta Grada Ciko shprehet: “ … e pohoj me gjithë bindjen se ndjehemi krenare, ne gratë oficere, pasi i shërbyen atdheut ku ishte nevoja dhe pa asnjë pretendim…” duke shtuar se “Karriera ushtarake është e vështirë, por dinjitoze dhe e bukur”. Kur përfundon së lexuari një libër të tillë ku ka me qindra portrete, sigurisht bën një përmbledhje me mend për të fiksuar se cilat prej tyre do të mbeten më gjatë në kujtesë dhe përse? Kjo ndodh me leximin e autoportretit të Krisulla Kaçi Prifti, oficere me karrierën më të gjatë dhe të suksesshme ushtarake. Vajzë nga Dropulli i sipërm që pas mbarimit të gjimnazit “Asim Zeneli”, Gjirokastër, do të jetë një nga të shtatëdhjetë vajzat e para që do të studionin për oficere. “Në lidhje me kujtimet, emocionet, luftën për “mbijetesë’ në ambjentet mashkullore të pacënuar më parë nga gjinia femërore, jam e sigurt që gjithkush nga ne, vajzat e kursit të parë të 1967-tës, mund të shkruajmë volume të tëra…  Unë për vete do të zgjedh disa nga momentet më të bukura në karrierën time 36 vjeçare në radhët e Ushtrisë dhe në organet e Ministrisë së Brendshme. “Katër dekadat e mia, oficere aktive në Forcat e Armatosura”. Në autoportretin e majores Pëllumbesha Gorezi të mbeten në kujtesë respekti dhe përmendja prej saj, emër për emër, i të gjitha shoqeve që i besuan drejtimin e togës së saj; mirënjohja për trupën mësimdhënëse; për pedagoget e para oficere të Shkollës; për komandantët e komisarët, pedagogët e instruktorët deri te mjeku, infermierja e magazinierja e kompanisë. “Kam shumë kujtime nga periudha e shkollimit. Komandante toge kishim shoqen tonë Pëllumbesha Cene, që ishte e dashur, korrekte dhe shumë e komunikueshme”. Ky është vlerësim e mirënjohje e bashkënxënëses me të, Argjiro Prifti Beqiri, vajza e ardhur nga Erindi i Gjirokastrës, ushtarakja e përkushtuar dhe familjarja shembullore. Në libër janë interesante portretet e disa oficerëve shqiptare që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme për Çlirimin e Kosovës. Oficere Mrika Çollaku shkruan kështu për jetën e saj: ”Dua të shtoj dhe një fakt tjetër, rolin që kanë dhënë gratë oficere në luftën për Çlirimin e Kosovës, krahas kolegëve të tyre burra. Detyrat kanë qenë si në frontin direkt të luftës, të inkuadruara në reparte dhe njësi luftarake, ashtu edhe në prapavijë apo detyra specifike. Një nga ato jam edhe unë”. Një tjetër është Hatije Ymeri Toçi. Në shkrimin për jetën e saj profesionale ushtarake ajo me krenari shprehet për periudhën prill-maj 1999, si një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës si oficere aktive. Unë, oficerja nga Mati që përgatita vajzat luftëtare të UÇK-së”.  Për Valentina Sherko dhe Hajdho Kapedani Troja përshkruhet karriera e tyre e suksesshme, përkatësisht pedagoge e Taktikës këmbësore dhe e filozofisë në Shkollën e bashkuar të oficerëve. Një tjetër pedagoge në Shkollën “Skënderbej”, që edukoi disa breza skënderbegasish, është Arta Dama. Interesant është motivimi që nxiti Artën për t’u bërë oficere. Banonte në një pallat në rrugën e Dibrës përballë kompleksit të Shkollës së bashkuar. Disa herë në ditë do të mrekullohej nga jehona e këngëve e marsheve partizane apo patriotike të kënduara nga kursantët, po sidomos nga kompania e vajzave. Kaq mjaftoi që edhe Arta të bëhej oficere. Shpesh, në libra të tillë me shumë personazhe, leximi nuk bëhet faqe pas faqeje, por përzgjidhet nga kurioziteti për personazhe që i ke më të njohura edhe vetë, siç është nënkolonele Sheqere Mema, vajza nga Gramshi. Ja si shprehet ajo për zgjedhjen e profesionit të ushtarakes: “… si nxënëse e mirë dhe e evidentuar që në gjimnaz për zërin e mirë mund të kërkoja të studioja edhe për arte. Në fakt, në dilemën e zgjedhjes, triumfoi ajo e karrierës ushtarake. Por jeta në vazhdim, shumë shpejt do të më jepte sadisfaksionin që unë t’i ushtroja paralelisht këto dy pasione të jetës sime”. Sheqere Mema është e dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe gëzon 20 dekorata të ndryshme dhe, mbi të gjitha, është “Qytetare Nderi” e Bashkisë së Gramshit. E veçantë është karriera e Kalie Marina Llupo, sepse si rrallë oficere të tjera ka qenë pjesë e një familje të madhe me 10 ushtarakë, edhe bashkëshorti i saj. Ajo do të ndëshkohej padrejtësisht, siç u mor vesh më vonë ndaj u rehabilitua …Kolonele Irela Shahini Nebiaj është oficere madhore në Forcat e Armatosura dhe ka tri dekada karrierë. Historia e pranimit të saj në shkollë është unike. Nga këmbëngulja e saj për të vazhduar Shkollën për oficere u bë përjashtim nga rregulli i pranimit sipas gjatësisë trupore për vajzat që duhet të ishte mbi 160 cm, ndërsa Irola ishte 158. Këtë detaj e tregon dhe zëvendësministri i asaj kohe B. Mane. Kolonelja Alda Sula është oficere e brezit të dytë. Interesantja në karrierën e saj si ushtarake qëndron në atë se është vajza e parë e bashkëshortëve ushtarakë nënkolonele (R) Engjëllushe Bektashi Sula dhe gjeneralmajor Perlat Sula. Dhe jo vetëm kaq. “Në ëndrrat e saj “princi i kaltër” mund të ishte pa uniformë… , por ja që ndodhi ndryshe. Në ambientin e punës, në bisedat e përditshme familjare, shoqërore respekti që kishte për figurën e ushtarakut, duket sikur tjetërsoi dhe imazhin e shokut të ardhshëm të jetës së saj, të cilin e njohu pikërisht në radhët e Forcave të Armatosura. Pra edhe këtu tradita vazhdon. E kishte parë të sendërtuar te prindërit e saj se sa harmonike ishte marrëdhënia mes dy bashkëshortëve ushtarakë”. Po kaq i veçantë është edhe emri i saj. “Alda simbolizon kursin e parë të oficereve shqiptare, në vitin 1969. Emri i saj shumë domethënës, është si rezultat i bashkimit të germave të para të emrave të disa prej oficereve të këtij kursi, detaj për të cilin Alda krenohet”.  Ja si shkruhet nga autorët, për oficere Magda Pirro Kushi. “Tradita atdhetare familjare (babai i saj Pirro Kushi, është nga trungu i “Heroit të Popullit” Vojo Kushi dhe akti i nënës së saj, “Dëshmores së Atdheut” Zana Floqi, një nga mjekët dëshmorë, që humbën jetën në tragjedinë ajrore të 22 nëntorit 1989, në Llogara, ku ishte pjesë e ekipit mjekësor që u vranë nga rrëzimi i dy helikopterëve në misionin për t’u ardhur në ndihmë studentëve të aksidentuar pak më parë në këtë tragjedi. Të dy këto motive, kanë shërbyer për të që të shkollohet dhe të punojë me përkushtim si ushtarake aktive të strukturave të Armatosura të Shqipërisë”.  “Ermira Xhafa është e para kapitene në 104 vjet të Kapitenarisë sonë Detare. “Ajo është vetëm 24 vjeç dhe ka thyer një tabu, duke shënuar emrin e saj në Kapitenerinë Shqiptare… e para që arrin të thyejë mitin e një profesioni krejtësisht mashkullor…”.  Kapitulli IX i kushtohet rolit shumë të rëndësishëm të gruas në Ushtrinë Kosovare. Dhe në krye janë luftëtaret e UÇK-së dhe që pas Çlirimit të Kosovës një pjesë do të qëndronin edhe në radhët e Ushtrisë së saj të re. Ato janë Arife Halili luftëtarja e UÇK-së, e më vonë nënkolonele e Ushtrisë së Kosovës; edhe nënkolonelja Remzije Morina, më parë luftëtare e UÇK-së: oficeret Manushaqe Nura, Mimoza Budeci, Fitore Fazlliu, dy oficeret e policisë së Kosovës Taibe Canolli, kolonele, Tahire Haxholli, si dhe Liridona Baftjari, e para pilote femër në ushtrinë e re të Kosovës. “Duke qenë oficer karriere që iu bashkëngjita që në hapat e para lëvizjes për Çlirimin e Kosovës dhe më pas dhe në Maqedoni … përzgjodha portretin dhe një bisedë me vajzën luftëtare e komandante nga Kumanova, Shkodrane Zenuni Dardhishta, si një ndër më të spikaturat, për pjesën e parë të librit për gratë oficere shqiptare në historinë e kombit shqiptar.” Kështu shprehet autori i këtij portreti Petrit Menaj. Ndërsa në vetë të parë, vetë Shkodranja, mes të tjerash, na flet edhe me gjuhën e shpirtit: “Së pari jam krenare, që isha pjesëtare me armë në dorë për çlirimin e trojeve tona nga pushtuesit sllavë në dy ushtri, në UÇK-në e Kosovës dhe në UÇK-në e Maqedonisë. Së dyti që isha studente e një universiteti, themelet e të cilit ishin larë me gjak, si dhe për përpjekjet që bëmë

bashkërisht me të gjithë studentët për zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës. Së treti për fëmijët e mi Jonin, Janinën dhe Vraninën… Dhe një herë urime për vajzat shqiptare e gratë luftëtare dhe komandante…!”.  Libri është interesant edhe për dedikimet që shumë personalitete ushtarake e civile i kanë bërë këtij botimi. Petro Koçi, si zëvendësministër i Mbrojtjes e quan këtë vepër “Një libër, monument për rolin e gruas në emancipimin shtetëror dhe ushtarak të Shqipërisë… Në historinë, shpesh me pikëpyetje të procesit të civilizimit tonë shoqëror, dëshmitë e këtij libri përbëjnë një provë të padiskutueshme se shqiptarët rreshtohen ndër të parët për rolin e gruas në aktivitetet ushtarake.” Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Bardhyl Kollçaku bën këtë vlerësim lakonik kur shprehet se gratë dhe vajzat oficere: “…ndryshuan përgjithmonë peizazhin ushtarak modern të Forcave të Armatosura”. Koloneli (R) Thoma Konduri, president i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë thekson se “… ky libër, jo vetëm është në vazhdën e enciklopedisë së skënderbegasve, por për tematikën, materialin dokumentar, ngjarjet historike, personazhet e sjellë në të, është krejt i veçantë…”  Rustem Peçi, ish komandant i Shkollës së lartë të bashkuar “Enver Hoxha” dhe kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare shprehet me respekt e nderim: “Çdo brez i vajzave oficere të përgatitura nga Shkolla e Bashkuar, çdo njëra prej këtyre oficereve trime dhe të afta, kanë përse të krenohen. Dhe të vlerësohen , pasi e meritojnë plotësisht, paçka se dikush dje, por më shumë sot, përpiqen t’i lënë në hije.” Bajram Mane, ish zëvendësministër i Mbrojtjes shprehet edhe më konkretisht: “Në jo pak raste, pavarësisht funksionit organik apo detyrave që kryenin, produkti i tyre në fushën e stërvitjes, gatishmërisë luftarake apo sigurisë së vendit, kanë shërbyer dhe si model për kolegët meshkuj e më gjerë”. Kapituj të veçantë janë ai që i kushtohet shumë oficereve shqiptare, si ushtarake dhe mjeke të njohura; si edhe mjaft oficere shqiptare me karrierë të suksesshme edhe në ushtritë e vendeve aleate të NATO-s. Kapitulli me shkrime të ndryshme në mediet e kohës pasqyron disa nga problematikat e jetës ushtarake të shumë oficereve. Libri mbyllet me kapitullin ku disa eprorë, pedagogë dhe kolegë japin opinionin e tyre për praninë dhe rolin e rëndësishëm të grave dhe vajzave në Forcat e Armatosura. Ky kapitull e bën çdo lexuese ushtarake të ndihet e vlerësuar drejtpërdrejt si nga pedagogët, nga kolegët e punës, edhe nga eprorët. Dhe ata janë të shumtë, edhe pse në faqet e këtij libri janë vetëm disa prej tyre.  Në volumin e dytë e të tretë, ka edhe të tjera portrete interesante të dhjetëra grave dhe vajzave ushtarake nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe në shumë e shumë ushtri të Evropës, SHBA-ve e tjera. Autorët Kujtim Boriçi dhe Suzana Jahollari edhe me këtë vëllim na tregojnë vlerësimin e tyre maksimal për jetën dhe veprimtarinë e vajzave e grave oficere…