Suplementi Pena Shqiptare/ Adriana Dizdari: Aromë pishe

139
Sigal

Prag festash, fundi i vitit me atë rrëmujën e këndshme, që ndjehet ngado, me plane dhe ëndrra që vërtiten në ajër duke ndërruar rrugët….. Dhe njerëzit, duke shpresuar që si me magji ajo ëndrra e parealizuar vitin që shkoi të jetë fshehur diku në shtëpi për t’i befasuar, vërtiten duke ndërruar mendim për dhuratat dhe për zbukurimet e shtëpise dhe më në fund për të marrë dhe sjellë në shtëpi atë simbolikën e festave të fund vitit, pishën, artificiale apo të sapoprerë. Sidoqoftë, është një atmosferë me aromë gëzimi, shqetësimi dhe dhimbje. Edhe ne, pas dilemash dhe diskutimesh vendosëm të niseshim për tek vajza në Amerikë. Dhe ja tek jemi në aeroportin Nënë Tereza në pritje të nisjes. Në keto raste, gjatë pritjes për të hyrë në avion, e kam zakon të vëzhgoj njerëzit , të merrem me ta, nga vijnë e ku shkojnë, të shoh shprehjen e fytyrës dhe të ndjej në udhëtojnë për të parën herë apo e kanë rutinë. Në këtë vëzhgimin tim të përhershëm, këtë rradhë më tërheq vëmendjen një grua e moshuar që vërtitej me një shqetësim të madh nëpër sallë. Sa ulej pesë minuta, ngrihej përsëri dhe ulej diku tjetër. Nën krahë shtrëngonte një degë pishe të futur gjysmën në një qese të madhe plastike dhe gjysmën tjetër ishte munduar ta robëronte me një spango të trashë që i kalonte kryq e tërthor degës goxha të madhe të pishës. Në dorën tjetër mbante një peliçe të mbledhur si top, edhe këtë të futur në një qese. Një çantë jo shumë e madhe por me rrip të gjatë i varej në supin e majtë, pasi e kish rrotulluar rreth qafës. Sigurisht që tërhoqi tërë vëmendjen time, u bë si objekti im “i studimit” për ato minuta para se të hipnim në avion. E ndiqja me sy ngado që shkonte, dhe nuk po kuptoja arsyen e këtij shqetësimi deri sa erdhi vetë drejt meje. Fillimisht u ul në karrige duke lënë bosh njërën mes nesh. Aty vendosi degën e pishës dhe duke mbajtur dorën mbi të, më thotë : – Do të ma lënë pishën në avion ? Si thua ? E pashë me mirëkuptim dhe i thashë : – Po ti e ke kaluar kontrollin, pse ke frikë ? – Nuk e di….. Nuk shoh njeri tjetër me pishe në dorë. – Mos ki merak, – i them, – vetëm mundohu mos shqetësosh njerëzit. – Dua të shkoj në banjë, do bësh kujdes për pishën dhe peliçen? E shoh në sy buzagas dhe i them : – Shko shpejt, mos ki merak, këtu do më gjesh. Dhe shkëmbeva një buzëqeshje me tim shoq….. E ndoqa me sy, tek ecte me këmbët pak të hapura, me hapa të mëdha dhe duke u tundur sa herë ndërronte hapin. Nga veshja, pak si e ngatërruar, kuptohej që ishte nga zona juglindore e Shqipërisë. Ajo shamija e kokës, e zezë dhe e lidhur me shumë kujdes majë kokës, kontrastonte me kostumin “modern” dhe këpucët me pak takë katrore. Erdhi shpejt, me shqetësimin të hedhur sipër kostumit. Mendova se do të më thoshte ndonjë fjalë falenderimi, por jo, rrëmbeu pishën dhe peliçen dhe filloi përsëri të vërtitej nëpër sallë. Njerëzit i hidhnin një sy dhe merreshin me punët e tyre, kurse mua m’u bë e pamundur indiferenca. Ndoshta në avion do të ishim afër dhe do të mundesha të shkëmbeja ndonjë fjalë me të . Por jo, ishim larg, por e pashë sesi përpiqej ta vendoste pishën në bagazh pa e dëmtuar. Nuk mundi, u bë pengesë për njerëzit dhe e fjeti mendjen duke e vendosur në shesh, poshtë këmbëve të saj, dhe më në fund u qetësua, vari kokën pakës djathtas dhe e zuri gjumi. Mbas gati dy orëve arritëm në Vjenë. Sa ëndrra rinore lidhen me këtë qytet, por tashmë më lidh kjo grua e çuditshme që me pishën nën krahë, vështron rrotull për të gjetur një vend per t’u ulur. Ndoshta më kërkon mua….. Dhe ja më pa, dhe me një gëzim në fytyrë, u nis drejt meje. – Të gjeta… Kisha merak nëse do të ishim të dyja për në N.Y. Më pret djali atje….po ty kush të pret? – Kam vajzën atje….. Nuk di a më dëgjoi sepse preokupimi i saj për të vendosur sa më mirë degën e pishës ishte i madh. E vendosi fillimisht drejt, në tërë gjatësinë e saj, nuk iu duk e përshtatshme. E shtriu përsëri duke bllokuar dy karrige, pastaj gjysmën e vendosi në prehrin e saj ku mbështeti dhe duart dhe pjesën tjetër megjithë peliçen e mbështjellë si top në karrigen tjetër. – Nga je? – më pyet befas, me zë të fortë dhe të vendosur. – Nga Tirana jam, – i përgjigjem me zë të ulët, si për t’i thënë dhe asaj të ulte zërin…. E kuptoi, lëpiu buzët e thara dhe të plasaritura dhe me zë të ulët më tha : – Unë jam nga fshatrat e Mokrës, ke dëgjuar? Pranë Pogradecit. Atje jam akoma. Djali më ka ikur fare i vogël në Amerikë tek një kusheriri tonë i ikur prej kohësh. Në Amerikë m’u rrit djali, m’u bë burrë, por zemra ime e sheh gjithmonë ashtu të vogël kur jam në fshat, dhe çuditem kur vete në Amerikë dhe e shoh burrë, të fortë dhe të bukur. Dhe them me vete, djali im është ky? Vetëm kur më hedh sytë e mëdhenj dhe të kaltër, që i ka si i ati, thërras pa turp fare kudo që të jem ” biri i nënës, sa më je rritur !”. Shkoj për vit për festat e fund vitit, i mbledh vetë paratë e biletës gjatë tërë vitit. Kemi ca bletë, punojmë tokën, dal e shes zarzavate dhe fruta, nuk më rëndet puna. Edhe kur lodhem, mendoj biletën për tek djali dhe si me magji lodhja se nga fshihet e më lë rehat. I gjeta edhe nuse djalit, këtej nga fshati tonë, e bukur dhe e mirë. Po nuk po mësohet dot, e ka mendjen këtej nga fshati dhe unë merakosem. – Mos ki merak nëno, – më thotë, – do të mësohem edhe unë si të gjithë, po ti mos harro të më sjellësh ca gjëra nga fshati. Ca rigon, ca borzilok, dhjozmë, ca mjaltë…..ka këtu sa të duash, por erën e atyre të fshatit tonë s’e kanë. Dhe unë e mbush valixhen më shumë me to se me plackat e mia. E shikon peliçen që e mbaj në dorë? Nuk ka vend në valixhe. (Edhe unë ca nga këto erëza i kam në valixhe.) – Po mirë normale, nuk harrohet kollaj vendi tënd…….po këtë pishën ?……. – Vjet nusja e djalit u lut : ‘nëno, vitin tjetër dua të më sjellësh një degë pishe nga ato të pyllit tonë’. ‘Po ç’e do moj, sikur nuk ka pisha këtu, sa të duash ka’…… ‘Ka, ka po nuk kanë fare aromë pishe. E mban mend si mbushej shtëpia me aromën e saj kur e sillnim nga pylli? Po kur e digjnim si kërciste dhe tërë fshati mbushej për disa ditë me aromën e saj. Aman, se do bëhemi edhe me fëmijë sivjet dhe dua që fëmija im ta ndjejë aromën e pishës së pyllit tonë. Aman, bëj si të bësh dhe më sill një degë, të vogël fare, po ama nga pylli tonë’……. Dhe unë po e çoj në në shtëpinë e djalit aromën e fshatit tonë……ja kështu ……prandaj kisha frikë se mos nuk ma linin…..po ti rrofsh se ma hoqe frikën. Do ta bëj njësh me pishën e blerë këtu, më tha nusja, dhe do ta mbjell në oborr. Ndoshta edhe më mbin, edhe këtu bie dëborë si andej nga ne dhe është ftohtë, prandaj mundohu të ma sjellësh të prerë nga fundi i pishës afër rrënjës, aman…….’. Kjo fjalë “aman” më mbushi shpirtin me dhimbje, m’u mpinë duart dhe isha gati t’ia plasja të qarit…… ‘Këtë kanë përjetuar edhe fëmijët e mi’, mendova, ‘edhe fëmijët e shoqeve dhe miqve të mi. Po, kjo është edhe përvoja e jetës, në fund të fundit, rëndësi ka të mos harrojmë….’. – Dhe ja kështu, – vazhdonte gruaja pa e vrarë mendjen për shqetësimin që më solli mua, – jam shumë e lumtur që do ta çoj pishën tek djali. E di se çfarë më mundon tani? Çfarë do më kërkojnë t’iu sjell vitin tjetër ? Ndoshta do duan tërë fshatin, me pyll, e me pisha. E di, e di, do m’i kërkojnë…..Po si t’ua sjell se…… Nuk gjeja fjalë t’i përgjigjesha dhe heshta duke kafshuar buzët.