Suplementi Pena Shqiptare/ Istref Haxhillari: Vendimi

1046
Fragment nga romani “Paralele që priten”
Muret e brendshme të zyrës së këshillit ishin të zhveshura, vetëm fotografia e udhëheqësit stoliste faqen prapa shpinës së kryetarit. Dritaret mbuluar me gazeta në vendet e xhamave të thyer, fusnin dritë të nemitur qirinjsh. Njolla të verdheme, dëshmitare memece të shirave të fundit, pllakosnin pjesën më të madhe të tavanit. Jashtë shikimi binte arave të mbjella me jonxhë dhe misër. Përfund tyre zbardhte muri i shtëpisë së të ndjerit Vait Serenivja me parullën e dy viteve të shkuara: “Të gjithë në votime!” Kryetari ishte përqendruar mbi shkresat në tryezën e punës. Si shumica e funksionarëve të rinj mbante kostum kaki, xhup ushtarak të pambuktë, syze leximi me skelet të trashë. Pamjen e kishte të rëndë e të vrenjtur, në të gjitha lëvizjet kujdesej të shpaloste sa më shumë dinjitetin e detyrës. Kur ngrinte kokën për të shikuar dikë, rrotullonte sytë ngadalë si zhapikët, teksa buza e sipërme i lakohej në një gjysmë buzëqeshje ironike. Poshtë këmbës më të shkurtër të tavolinës, copa gazetash të palosura më katërsh vendosnin do farë ekuilibri të brishtë që prishej sa herë rëndonte me bërryla në cepa. Shishja e bojës, letra thithëse ngjyrë manushaqe nga përdorimi, pena e bakërt me bisht druri, dremisnin pranë njëra-tjetrës. Në rafte dërrasash mbi mure qëndronin stivë ca dosje të thjeshta mbuluar me pluhur. Me duart kryqëzuar mbi shpinën e karriges përballë tij, një grua rreth të dyzetave e sodiste qetësisht, pa ndonjë ngut. Fanellën e leshit e kishte mbërthyer gjer në grykë me kopsa gjithfarësh, të ndryshme nga njëra-tjetra, fundi vishnjë zbriste përfund kofshëve të mbushura e të rreshkura. Në sfondin gjysmë të ndriçuar leshrat i rrëzëllenin me tone të kafenjta dhe ajo bënte ç ’bënte i hidhte prapa, duke zbuluar ballin e kërcyer me rremba venash kaltëroshe. Maja e veshit të djathtë ngrinte krye përmes flokëve si gungë e vogël me qelb… ishte shumë pak femër, po kjo nuk përbënte ndonjë problem. 

Fundja kujt i interesonte! As asaj vetë. Sekonda të tëra s’i hoqi sytë prej tij. Nuk kishte kurrfarë droje në atë shikim, vetëm një përqasje e turpshme diçka si ngurrim i natyrshëm femëror fekste hera-herës në cepat e buzëve. I pëlqente portreti burrëror, vetëpërmbajtja, buzëqeshja e përkorë, lëvizjet e kursyera, i pëlqente që ishin vetëm në zyrë, pa njerëz të tjerë pranë. Kishte zakonin t’i ngrinte e ulte vetullat pa ndryshuar shprehje, sytë gri të thellë i shtinte mbi njerëzit me një lloj ngulmimi të vrazhdë, fituar nga përvoja dhe ata nuk ndiheshin rehat. Kjo nuk vlente për kryetarin që nxori paketën me pamje shpërfillëse, ndezi cigaren, e thithi me sy të perënduar nga kënaqësia dhe e kundroi qetësisht përmes resë kaltëroshe të tymit. 

– Shoqja sekretare, mos rri në këmbë! – e këshilloi, pastaj shkundi hirin e cigares dhe uli kokën mbi shkresa. Ajo nënqeshi djallëzisht si t’i thoshte: “mua m’i shet këto?” 
– Ashtu më pëlqen, – shpotiti. Fytyra i mbeti e njëllojtë, po sytë shprehnin heshtas atë çka nuk e thoshte dot me gojë. Atij i erdhi mirë. Fundja nëse donte, la ta sodiste. 
– Shaka është kjo? – e pyeti, pa ndërprerë punën. Sekretarja e partisë shpërfilli pyetjen, u përgjigj tjetër për tjetër. 
– Sa punë paske! 
– Ja, ashtu! – buzëqeshi, duke hequr me gjeste elegante një fije floku nga maja e penës. E kishte zakon të nxirrte majën e gjuhës sa herë kryente këtë veprim. Befas ajo u skuq, gjaku i rrahu tëmthat dhe nuk u përmbajt, përkuli kokën me veskun e çupës së parritur, kur i troket fati në derë. 
– Më mbeti mendja te ty… sot, – i tha me zë të ëmbël, mjaltë. Kryetari braktisi penën mbi fijen e letrës, ngriti kokën. 
– Të mbeti mendja te unë?! 
– Ëhë! 
– E di çfarë mendoj? – i tha dhe fytyra i ndryshoi, e qeshura erdh e u zbeh, u shndërrua në ca tinguj që nuk ishin gaz i thjeshtë. 
– E di, – u përgjigj ajo, – atë që mendoj edhe unë. Kryetari largoi shkresat me bërryl, e pa në dritën e syrit t’i kërkonte pëlqimin për më tej. Përgjigja, një shkundje e paduruar koke, i dha fund ngurrimit. I hodhi dorën vitheve, e tërhoqi pas vetes. 
– Je një ti që..! Ajo nuk i dëgjoi fjalët, as e pa fanellën zbërthyer në kopsat e para, i mjaftuan duart e tij mbi gjinjtë… U hap dera, korrieri hyri pa trokitur. 
– Shoqen Drita e kërkojnë në zyrë, – njoftoi me të folur të vrazhdë prej fshatari të pagdhendur dhe u largua po aq shpejt sa hyri. 
Ajo rregulloi fundin, shtroi sa mundi flokët e shprishur, ngrysi vetullat. Nuk priste ta ndërprisnin në atë çast, sidomos në atë mënyrë, madje as donte fare ta ndërprisnin. 

– Akoma e mban këtë tuhaf, shoku kryetar! – i tha, teksa largohej e pakënaqur. Hapat në korridor kumbuan me alarm. Ai kurseu përgjigjen, iu kthye letrave mbi tavolinë, si të mos kishte ngjarë asgjë. Ngjeu penën, hoqi qimen e radhës, e rrotulloi nëpër gishta, para se ta fshinte pas pantallonave. Si bëri disa gabime radhas, fija e letrës u njollos, aq sa nuk lexohej. E mblodhi shuk, e hodhi në dysheme, shkëputi një tjetër nga fletorja me kapak jeshil në të majtë. Dy minuta më vonë mendja iu ngath. Nisi të dremisë… Sekretarja e partisë iu afrua zyrës me mendje të prishur. Nuk pa njeri ta priste, siç e njoftuan dhe në të qindtën e sekondës e sulmuan hamendje të rrezikshme. “Thua të llapte ai idioti!” Hapi derën nervoze dhe menjëherë boja e fytyrës i ndryshoi. Një burrë i bëshëm trashaluq me këmishë blu të çelur dhe syze miopi, shfletonte dosjen e kuqe të kolektivizimit mbi tavolinën e saj. Çehren e kishte të zbehtë, sytë të buhavitur, jakën e këmishës shkuar shtrembër. Ajo buzëqeshi, duke u sforcuar të ruante qetësinë. 

– Oh, shoku Paqësor, mirë se keni ardhur! – i tha me zë ledhatar. 
Instruktori i komitetit të partisë e përshëndeti me kokë pa lëvizur vendit. Ishte nga ata tipat e ashpër të Luftës që ngjitën shkallët e karrierës një nga një pa pengesa. Të tjerët ngurronin para se të hidhnin hapat, asnjëherë nuk e dinin tamam çfarë duhet të bënin, ai pati kurajën ta dinte gjithmonë. 
– Nuk keni lëvizur asnjë presje, – i tha me indiferencë të studiuar, – jeni më të prapambeturit e rrethit. Zëri i prerë njëngjyrësh ishte kritik. Ca nga ca ajo po e merrte veten, rrahjet e zemrës iu fashitën. Zuri vend në karrigen e lirë përballë tij, hapi bllokun e shënimeve, e njohu me përpjekjet e organizatës së partisë për t’i bindur të vonuarit. 
– Ndoshta jo aq sa duhet, ama në vend nuk kemi mbetur, – refuzoi butë kritikën e instruktorit. 
Ai e dëgjoi i vrenjtur, me sytë nga dritarja. 
– Fjalët s’vlejnë kurrgjë, – i tha, – po s’i mbushët mendjen Teki Agollit dhe sërës së tij, ju siguroj se kooperativa juaj do të mbetet ishull pa kurrfarë vlere. Fjalën kooperativë e shqiptoi me nderim. 
– Si t’ju them, na ka ngecur sharra në gozhdë. E keqja është se i shkon fjala. Pastaj familje dëshmori! I deleguari i komitetit të partisë së rrethit vuri pëllëmbët mbi tavolinë, mbështeti kurrizin në shpinoren e karriges dhe u vrenjt. 
– Le të jetë, – i tha, – meqë nuk bindet, do ta shpallim kulak. Fytyra e akullt mori pamje të rëndë. Ajo mbeti. Ideja për ta veçuar atë burrë nga fshati e trembi. Cepat e buzëve iu varën poshtë, e gjithë shprehja e fytyrës përcillte mungesë kuptimi.
– Gjer këtu? – guxoi ta pyesë. 
– E kërkon, – ishte përgjigja. 
– Ndonjë mundësi tjetër? 
– Le të merren të tjerët me to.
– E vlen për çështjen? – dyshoi edhe një herë. 

– Sigurisht, – tha ai, – kooperativa është më e rëndësishme se çdo individ, cilido qoftë dhe sado i virtytshëm qoftë. U çua me lëvizje të plogështa, iu afrua murit, picërroi sytë mbi portretin e udhëheqësit, si të kërkonte aty miratim. Sekretarja e partisë e vështroi në heshtje, pa thënë asnjë fjalë, pa bërë asnjë pyetje, pa kërkuar kurrfarë sqarimi. Instruktori priti reagimin që nuk erdhi dhe s’u ndje rehat, donte të ishte i plotë në qëndrimin përfundimtar. -Si mendon? – kërkoi të dinte opinionin e saj.

– Ju e dini më mirë, – u bind ajo, – meqë e kërkon, ta mbajë me shëndet. Vendim u mor.

I deleguari hapi dritaren, vendosi duart mbi parvaz, përfshiu me sy panoramën jashtë. Me kryet në qiellin ngjyrë plumbi, maja shkëmbore e Kozicit sundonte vendin si patriark dhe herë dukej kërcënuese, herë joshëse. Një qen i largët lehte pa reshtur, degët e arrës shushurinin me nota gazmore të patrazuara nga brengat e njerëzve. 


Sigal