Suplementi Pena Shqiptare/ Meri Lalaj: Përballja me Kosovën

586
Sigal

Në Kosovë ndodhet një shpellë nëntokësore e quajtur Shpella e Gadimës. Brenda saj gjenden disa skulptura të krijuara prej mermeri. Më 8 prill të vitit 1981, kur patën filluar përleshjet në Kosovë, në gazetën “Drita” u botua tregimi i Zija Çelës “Mermeri që pikon”. Është një tregim i mrekullueshëm ku ndër të tjera Zijai rrëfen për dy stalagmite të kësaj shpelle të formuara nga pik-pikat e mermerit e të emërtuara, ajo e formuara poshtë përtokë –Xhulieta dhe tjetri prej pjesës së sipërme – Romeo! Sipas përllogaritjeve të shkencëtarëve këto dy statuja të dashuruara do të takoheshin me njëra-tjetrën pas njëqind e pesëdhjetë milionë vitesh. Kur lexova këtë tregim gati kam ulëritur me zë të lartë: Përse, o Zot, që je në qiell na ndëshkon kaq keqas neve që jemi në tokë? Dhe…

Kurrë nuk ka ndodhur në historinë e popullit tim që të provojë dhe të jetojë ato mbresa të pranverës së paharruar 1999. Vërtet kosovarët vërshuan këtu të ndjekur nga serbi, por Kosova na erdhi këtu e përballë kësaj gjëme kemi shtrënguar fort zemrën, muskujt e nervat. Sikur jemi zbutur. Tek ne nuk po ndodhin as vrasje, as vetëvrasje. Ngjan sikur jemi lidhur pak më fort me njëri tjetrin, jemi bërë paksa më të kujdesshëm, njësoj sikur të gdhinim netët pranë një foshnje me temperaturë të lartë të përhumbur në kllapi e ne mundohemi që t’i japim grimca prej shpirtit tonë vetëm e vetëm që ta kthejmë përsëri në jetë.

Shpresojmë që të bëhet më mirë. Po ndoshta Evropa, Amerika do të tallen me fatin tonë, atëherë nuk ia vlen të jetojmë më. Vërtet ndodhi një tragjedi e tmerrshme, por së paku ne u përballëm me njëri tjetrin: shqiptarë e kosovarë si kurrë më parë. U pamë sy ndër sy, dëgjuam zërat e shoku-shokut, tokëm duart e biseduam për hallet. Ata që aq shumë e patën ëndërruar Tiranën dhe ne që aq shumë e patëm ëndërruar Prishtinën. Sa më pranë tmerrit të jesh aq më i forte bëhesh. Çudi. Kurrë nuk do e besoja.

1 prill 1999

Në ora 12 të drekës u takova me artisten tonë të mirënjohur Roza Anagnosti dhe biologen Mira Pirdeni, të tria vajtëm tek Hotel “Arbëria” ku janë vendosur kosovarët e dëbuar. Sapo futemi brenda, aty tek salla e madhe e hyrjes, më del përpara një vogëlushe e brishtë me dy sy të hapur fort. E pyes: -Si të quajnë? –Vesa – më përgjigjet duke më vështruar ngultas. –Sa vjeç je, Vesa? (Vogëlushja ngre para fytyrës dhe më tund katër gishtërinj të veckël). “O Zot, mendoj, qenka katër vjeçe njësoj sa mbesa ime Vanessa”. Takohemi dhe bisedojmë me shumë të ardhur dhe miqësohemi me katër motra mësuese nga një fshat pranë Suharekës (Therandës), ato janë: Ajshe, Sinavere, Feridja, Afërdita Kryeziu. Vajzat patën fat që të miqësohen me Roza Anagnostin. Ua pata dhënë fjalën se pas luftës do të shkoja t’i takoja gjë që ende nuk e kam bërë. Aty në hotel ishin strehuar më se 300 njerëz dhe gati gjysma qenë fëmijë të vegjël. Një djalë 12-vjeçar e shtruan në spital me depresion nervor, kushedi se çfarë kanë parë sytë e tij? Aty asaj dite u takova rastësisht me Sebastian Gricourt, që shërben në Kryqin e Kuq të Gjenevës, iu drejtova anglisht, por ai fliste shumë mirë shqip dhe ndihmonte kosovarët për të gjetur njëri tjetrin. Kam takuar dhe kam dëgjuar shumë histori të dhimbshme të ndarjes së familjeve: nëna me tre fëmijët këtej, kurse babai me dy të tjerë mbetur në mal, gjyshër me nipër e mbesa, por pa bijtë pranë e kështu me radhë.

Aziz Veliqi më telefonoi nga Gjermania e më tha se dajat e tij Bali dhe Ramadan Osmani ndodhen në Tiranë. U takova me Xhonin që punon përkthyes për Gjykatën e Lartë të Hagës, të dy shkuam në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, i gjetëm dajat e Azizit e të nesërmen i ndihmuam që të gjenin një shtëpi me qira. Atje në Pallatin e Sportit qe një tmerr: përmbi dysheme kishin shtruar dyshekë sfungjeri radhë-radhë e njerëzit shtrirë sërë-sërë. Shpërndahej bukë dhe supë.

Tanimë nëpër rrugët e Tiranës djemtë e rinj nuk përdorin më aq fjalë të ndyra si më parë teksa flasin me njëri tjetrin, madje edhe toni i të folurit është më i ulët.

Rrugëve të Tiranës nëpër oborre shtëpiash janë varur e sajuar tela ku të ardhurit nderin rrobat e lara, ndoshta ato tesha nuk kanë qenë të pluhurosura e të përbaltura vetëm nga udhëtimi i gjatë e i mundimshëm, por edhe të përgjakura nga plagët e marra prej plumbave të serbit kobzi.

Po sytë e të gjithëve kanë ndryshuar. Edhe sytë tanë. Edhe sytë e atyre që kanë ardhur prej Kosove, ata sikur kanë një vështrim paksa përdhe, sikur të kërkonin diç gjë të humbur, por edhe në sytë tanë nuk ka gëzim megjithëse po vjen pranvera. Kam qarë me zë e me gulçim tek pashë në lajmet në TV një vogëlush nja pesë vjeç në fushën e Kukësit tek çapitej i vetmuar e kokën prapa e kishte të mbështjellë me fasha të bardha e me leukoplast. Një nëne ia kishin djegur serbët të pesë fëmijët, ajo nuk fliste fare, asnjë fjalë, rrinte gojëkyçur. Po përse i duhej më jeta kur ia kanë vrarë të gjitha jetët.

Thonë se është në modë ngjyra e kuqe, shoh shumë femra veshur kuq e zi, edhe Manjola më tha në telefon se kur shkon mbrëmjeve në lokale vishet kuq e zi.

Në kampin e Çegranit: Diellëza, Njomëza, Vesa…

 

Më 4 qershor 1999 nisem për në Tetovë me një autobus nga Tirana. Në kufirin e Qafë-Thanës na zbresin për kontroll. Na rreshtuan në kolonë për një dhe na shihnin sikur do të hynim në Maqedoni për të bërë hatanë. Teksa qëndroja aty përballë me rojat maqedonase përsëritja me mend fjalët e Himnit tonë të Flamurit.

Takimi poetik i Tetovës iu kushtua plotësisht Kosovës, luftës të saj për liri. Pas mitingut takova Ramiz Kelmendin dhe Zejnullah Halilin, të cilët janë të strehuar në Maqedoni për kohën e luftës. Të nesërmen afër mesditës vajtëm në kampin e Çegranit. Atje janë strehuar 45 mijë a më shumë të dëbuar nga Kosova. Ky kamp është i vendosur në një pllajë, janë ngritur qindra tenda sërë-sërë. Në rrugën që gjarpëron përtej përmes pluhurit të kuqërremtë, syri të rrok lëvizje njerëzish, radhë tezgash që shesin perime dhe lëngje frutash, makina ambulance, tanke, njerëz që zbresin për të mbushur ujë, sepse në kamp uji mungon. Ujin aty e sjellin me çisterna. Drejtori i kampit është zoti Fadil Xhelili. Në ndryshim nga kampet e tjerë të ngritur në Maqedoni për të dëbuarit e luftës, në këtë kamp nuk shërbejnë maqedonas, por vetëm shqiptarë si edhe të huaj nga organizatat si “Mjeku pa kufi”, gjithashtu aty është ngritur një spital norvegjez me të gjitha pajisjet për urgjencat kirurgjikale.

Futemi në njërën nga tendat e rregulluara me ndenjëse plastike. Aty bisedojmë me një pjesë fare të vogël të të strehuarve në këtë kamp, kështu mund të përmend emra: Adem Bejta, mësues i shkollës fillore dhe vëllai i Murat Bejtës, Skënder Idrizi, mësues i gjuhës shqipe, Mexhit Havolli, mësues gjuhë-letërsie nga Podujeva, i cili në vitin 1997 ka botuar edhe një libër “Vdekja e Panit”; Hakiu nga Ujmiri është vullnetar dhe punon si berber. Takoj Merita Krasniqin nga Drenica, Vjollca Gërgurin, Lule Aliu-Kabashi studente, Fatbardhën, e cila përgatit një recital poetik me fëmijët, që na përshëndesin nga skena e sajuar aty për aty. Shohim se ka një fushë volejbolli dhe një basketbolli ku luajnë të rinjtë. Ndërsa kalojmë përmes çadrave, syri na zë burra të ulur, që luajnë shah, apo me radion në dorë duke dëgjuar lajmet nga: Dojçe Vele”. Poeti Zeqir Krasniqi pasi dëgjon recitimin e një djalit të vogël e ngre hopa në krahë duke i thënë: “Dëgjo, Ylli, ti do ta takosh edhe Adelina Mamaqin… edhe Rifat Kukajn… (duke përmendur disa emra shkrimtarësh për fëmijë) … se ata janë gjallë dhe do të shkruajnë libra për ty.”

Pyes sesi i kanë emrat disa fëmijë e më përgjigjen: “Gafur, Burim, Kreshnik…” e shtojnë se duan të kthehen në vendin e tyre në Kosovë, duan të shkojnë atje sa më parë.

Ndërsa ecim përmes tendave, pranë na kalon një grua me një govatë të madhe të kaltër ku ka futur teshat për t`i larë, si përherë gratë janë tepër praktike dhe shumë të vetëdijshme që çdo aftësi të tyren ta venë në shërbim të familjes. Kështu ato gatuanin në tokë mbi dy gurë ku kishin mbështetur tenxheren dhe diku kishin mbledhur dru e shkarpa e kishin ndezur zjarrin për të zier gjellën. Por zjarrin e sajonin thjesht edhe me copat e letrës apo të kutive prej kartoni, mjafton që të digjeshin e të bënin një filxhan kafe apo çaj. Ndërkaq marr hopa në krahë një vogëlushe pesëvjeçare, e cila, porsi një zog më cicëron duke më recituar një vjershë të bukur. Bëj një fotografi me këtë vogëlushe që e ka emrin Egzona. Edhe vajza të tjera kanë emra shumë të bukur: Diellëza, Njomëza, Vesa, vetëm se fytyrat e fëmijëve janë të menduara. Nuk e dinim se largimi i tyre prej kampit do të ndodhte aq shpejt pas pak ditësh.

Atje asht trolli…  

 

Në ditët e para të ardhjes së kosovarëve këtu, nuk përmendej fjala “kthim”, më vonë duke dëgjuar lajmet e duke hamendësuar nëpër biseda po thuhej se kosovarët do të qëndronin edhe gjatë dimrit. Por ndodhi mrekullia: Politikanët ranë në ujdi që trupat e NATO-s të hyjnë në Kosovë, kjo qenkërka liria. Më pat thënë Albulena: “Dua të jem e para që të hyj në Kosovën e lirë… “ “Jo,” ia pata kthyer, “dua unë të jem e para të shkoj në Kosovë se nuk kam qenë kurrë.” (Tani Albulena ka mall për të ardhur rishtas në Tiranë.)

Në mbrëmjen e 11 qershorit, Xhoni ishte tek unë, po pinim çaj dhe kafe e po ndiqnim lajmet, papritmas CNN njoftoi për fundin e luftës në Kosovë. Kurrë nuk e kam parë Xhonin aq të gëzuar, hidhej përpjetë me këmbë e duar porsi fëmijë. E përsëri lajme për ta besuar plotësisht të vërtetën. Disa studentë nga Presheva, që studiojnë këtu, banojnë në të njëjtin kat me mua, kur dola për të përcjellë Xhonin i pyetëm: “A e dini se Kosova u çlirua?” Nuk e dinin. E ne do të dëshironim ta dërgonim lajmin e mirë deri lart në qiell. Më së fundi Zoti vuri dorë për të mirën e shqiptarëve.

Kosovarët e ardhur këtu u nisën për t`u kthyer në vatrat e tyre. Më pat thënë një nuse e re kosovare: “Ani se janë kall shpijat, trolli atje asht!” Dhe u nisën ata me vetura, traktorë, furgona, kamionë. Të gjitha rrugët e botës të shpien për në Kosovë, edhe qiejt janë hapur (jo më për avionët bombardues), por për të transportuar fëmijët, të sëmurët, pleqtë me helikopter dhe aeroplanë. Xhoni nuk mundi të më marrë sepse u nis me ushtarakët dhe hetuesit e Gjykatës së Lartë të Hagës. Ai ishte ndër të parët, që shkeli në Kosovën e djegur e të shkrumbuar me trupa njerëzish të varrosur e të pavarrosur. Kosovarët kthehen në dheun e tyre, disa shoqërohen nga pritësit tek të cilët kanë bujtur, të tjerët lenë pas dashuri të filluara, miq, kafene, marrin me vete fëmijë të lindur këtu dhe të pagëzuar me emra kuptimplotë, por lenë pas edhe varre: njerëz të dashur të familjes vdekur nga sëmundjet, por edhe të vrarë nga dora e të paudhëve… Dhimbja mbulohet me heshtje… Hasmi mbetet po ai: shkjau. Janë ditë e net të ngrohta vere, e ata të ardhurit ngrihen me yllin e mëngjesit që agu i ditës t`i gjejë atje në Kosovën e shtrenjtë.

 

 

Shtëpitë do t`i ngremë edhe ma të mira

 

            Prizrenin e kam takuar nëpër librat e historisë që në fëmijëri, por nuk mund ta përfytyroja dot se ku mund të ndodhej, gjithashtu kam lexuar nga Mitrush Kuteli “Në Prizren midis të gjallëve dhe të vdekurve”; dhe kurrë nuk do të ma kishte marrë mendja të vija në Prizren teksa historia po përsëritej në mënyrë kaq të përsosur. Bashkë me Hidën jemi ndalur në një mëngjesore dhe kemi porositur për të ngrënë. Sheshi i Prizrenit është i shtruar me kalldrëm dhe më kujton Korçën. Është një ditë e mrekullueshme posi pranverë, zogjtë sillen rreth e qark tërë gëzim, përballë meje çatia e rrëzuar e një shtëpie të sakatuar nga bombat. Pashë shumë shtëpi të bombarduara, shkela mbi gërmadha, por edhe vura re se shumë shtëpi ishin rimëkëmbur nga fillimi ose pjesërisht sipas plagëve që kanë marrë. “Ani, kur po kthehena në Kosovë, shtëpijat do t`i ngremë edhe ma t`mira!” Kështu më pat thënë një nuse e re, ardhur këtu në Tiranë gjatë kohës së bombardimeve.

Te Monumenti i Skënderbeut në Tiranë

Ato ditë Kosova ndodhej në kryelajmet e botës. Vërtet ngjau një gjëmë e stërmadhe sepse gati një milion kosovarë erdhën tek ne, vetëm kështu, në këtë mënyrë mundëm të shihemi sy në sy, e të flasim zemërhapur për hallet tona. Mbaj mend sesi ishin të mbushura rrugët e Tiranës plot e përplot me kosovarë. Një nga gjërat që më bënte më shumë përshtypje në ato ditë pranvere të përgjakur ishte se të gjithë kosovarët, ata të vendosurit në Tiranë, por ndoshta edhe ata të qyteteve të tjera dhe të rrethinave i linin të gjitha pikëpjekjet e tyre tek monumenti i Skënderbeut në Tiranë. Në të gjitha orët e ditës, por edhe të mbrëmjes rreth e rrotull Skënderbeut gumëzhinte një turmë, më së shumti burra të moshuar, të mbështetur pas murit mbajtës të monumentit e duke dredhur cigaret rrinin aty dhe prisnin me orë të tëra për të marrë ndonjë lajm për të afërmit e tyre a për katundin. E mua më bëhej se ata heshturazi pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja, vetëm me sy e me zemër fillonin e bisedonin dhe qanin hallet me heroin tonë të dashur:

Fal me shndet po t’çon Kosova. Boll kena andrrue sall me t’pa njiktu n’Tiranë. E kena ardh njishtu si po na shikon durzbrazt paj veç me teshat n’trup. E nuk mujtëm me ta pru nji lule Kosove, a nji dor taxhi për njat kal, o i madhi Skanderbeg… Çetnikët serbë anmik të tan jetës tonë, e kupton…” Por Skënderbeu veç i vështronte nga lart, ashtu i ngrirë në bronz, sepse nuk u del dot për Zot shqiptarëve. Vallë si do të vinte fati i Shqipërisë po të kishim pasur një tjetër Skënderbej? Dhe posa agonte dita ata vinin sërish aty tek monumenti i Skënderbeut për të takuar babën, axhën, vëllain, shokun, mikun, të dashurën… Thuajse në të gjithë qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë ishin strehuar kosovarë. Ata erdhën dhe panë Shqipërinë, atë të vërtetën, jo atë që patën ëndërruar përmes emisioneve televizive. Ani, ky ishte kombi i tyre. Komb që të mbërthen fort për shpirti e për zemre. A mund të shahet AtDheu? A mund të shahet MëmëDheu?

Po atje në dheun e përgjakur e të përflakur çfarë po ndodhte? Vallë a kishte mbetur dikush atje në Kosovë, për ta mbrojtur truallin? A u kish dalë dikush për zot fëmijëve dhe pleqve mbetur nëpër male? Po, atje ishin luftëtarët e UÇK-së dhe lufta që bënin ata si të thuash na vuri nderin në vend edhe ne shqiptarëve për të shlyer disi turpin e vitit nëntëdhjetë e shtatë. Çdo pasdite dëgjonim dhe i jetonim me ankth lajmet, të cilat vinin drejtpërdrejt nga fronti i luftës.

Shkëputur nga libri “Romeo dhe Xhulieta takohen”