Turqit ngrenë flamurin në Vlorë

639
Sigal

Kompanitë turke “TRK” dhe “Atlas Jet” do të administrojnë skuadrën e famshme të Flamurtarit

Flamurtari i sezonit 2014-2015 do të ketë aromë turke. Dy kompanitë “TRK” dhe “Atlas Jet”, me përfaqësues Murat Ersoy dhe Nerve Kokmaz, të cilat dhanë një kontribut të respektueshëm gjatë edicionit të kaluar, të kurorëzuar me fitimin për herë të katërt të Kupës së Shqipërisë dhe rikthimin në Europë pas dy vitesh mungesë, kanë arritur marrëveshjen me Bashkinë e Vlorës për marrjen në administrim të Flamurtarit. Kështu, pas 81 vjetësh – klubi vlonjat është themeluar në vitin 1923 – administratorë të Kuqezinjve nuk do të jenë më shqiptarët,  por turqit! Marrëveshja pritet të zyrtarizohet në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të qytetit të Vlorës, e cila është parashikuar të mbahet më 12 qershor. Gjatë një prononcimi para disa ditësh për mediat, numri dy i Bashkisë së Vlorës, Ilir Banushaj, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i bordit të klubit, kishte thënë se deri më tani vetëm turqit kanë shfaqur interesim për të privatizuar klubin. Kompanitë “TRK” dhe “AtlasJet” janë të vetmet që zyrtarisht kanë kërkuar ta marrin në pronësi klubin, madje ato kanë kërkuar 100% të aksioneve. Gjatë festës “Gala” të organizuar nga klubi vlonjat, më 23 qershor, me rastin e fitimit të Kupës së Shqipërisë në futboll dhe basketboll, dy përfaqësuesit e kompanive turke, Murat Ersoy dhe Nerve Kokmaz, deklaruan se ata presin fitimin e titullit kampion nga Flamurtari. Në mënyrë figurative do të thoshim se, nëse Ismail Qemali e ngrit flamurin në Vlorë më 28 nëntor 1912, për ta shpallur Shqipërinë shtet të pavarur nga sundimi pesëshekullor otoman, më 12 qershor 2014, klubi i futbollit i qytetit të Flamurtarit do të jetë sërish i “pushtuar” nga turqit. Dhe sa për histori, klubi i Flamurtarit në vitet 1935-1945 quhej Klubi Sportiv Ismail Qemali! Flamurtari, apo “Vlora” e viteve të paraçlirimit ka marrë pjesë qysh në kampionatin e parë futbollistik, atë të vitit 1930, nën emrin Shoqata Sportive “Vlora”. Flamurtari ka dalë një herë kampion (1990-1991) dhe  pesë herë nënkampion (1981/82 1985/86 1986/87 1987/88 2010/11). Flamurtari e ka fituar katër herë Kupën e Shqipërisë (1985, 1988, 2009 dhe 2014) si dhe dy herë Superkupën e Shqipërisë (1990 dhe 1992).

FINANCA TË SIGURTA

Prania e kompanive turke te Flamurtari nisi fuqishëm qysh në fazën përgatitore dimërore të zhvilluar në Antalia të Turqisë. Madje klubi bëri dhe një foto zyrtare me fanellat e reja me logon e kompanive turke. Këto të fundit ofruan si premio 50 milionë lekë të vjetër për të eliminuar Skënderbeun në gjysmëfinale, ndërsa për fitimin e Kupës së Shqipërisë e dyfishuan në 100 milionë lekë. Kompanitë “TRK” dhe “Atlas Jet” gjatë kësaj periudhe përveçse do të garantojnë financat, do të kenë fuqi të plota vendimmarrjeje në skuadër, por kjo nuk do të thotë se do të jenë të avantazhuar në momentin e privatizimit të klubit. Në fakt, duke qenë se procedura e privatizimit të klubit kërkon një kohë relativisht të gjatë, ekspertët ligjorë të bashkisë bregdetare kanë gjetur rrugën ligjorë që sponsorët turq të jenë administratorë të skuadrës deri në momentin e privatizimit.

Kur të zhvillohet ankandi sponsorët aktualë do të futen në garë si çdo kompani tjetër që do të jetë e interesuar për të blerë aksionet e Flamurtarit.

MERKATO INTENSIVE

Marrëveshja e arritur mes Bashkisë së Vlorës dhe sponsorëve turq “TRK” dhe “Atlas Jet”, ka sjellë optimizëm në kampion vlonjat, pasi Flamurtari pritet të jetë një nga superfuqitë e futbollit shqiptar vitet e ardhshme. Trajneri Ernest Gjoka, i cili jo vetëm i siguroi mbijetesën skuadrës, por edhe i dha trofeun e katërt të Kupës (mungonte që nga viti 2009), është i bindur se Flamurtari do të jetë nga ekipet më të forta të futbollit shqiptar. Sipas tij, me nisjen e përgatitjeve do të avancojë edhe procesi i rinovimeve, duke garantuar se shtylla e skuadrës që arriti të triumfonte në Kupën e Shqipërisë do të konfirmohet edhe për sezonin e ardhshëm. Me kalimin e Flamurtarit nën administrimin sponsorëve turq të gjithë në Vlorë presin ndërtimin e një grupi të fortë. 85% e grupit që mbylli sezonin do të konfirmohet. Në fakt, lajmi më i bujshëm që vjen nga kampi kuqezi është nisja e tratativave zyrtare për të bërë të vetin mbrojtësin e Kombëtares, kosovarin Debatik Curri (41 ndeshje/1 gol), i cili ka një të kaluar të gjatë futbollistike në Kosovë, Ukrainë dhe Turqi. Në Vlorë presin edhe një lojtar tjetër të kuqezinjve, dhe ky mund të jetë Emiljano Vila, i cili sezonin e kaluar luajti me PAS Janinën në Greqi, ndërsa lojtari durrsak ka luajtur edhe në Kroaci. Flamurtari ka firmosur me Ilion Likën, ndërkohë që, Gilman Lika do të jetë sërish në Vlorë për sezonin e ardhshëm. Mbetet ende e paqartë e ardhmja e mbrojtësit Franc Veliu dhe mesfushorit Hair Zeqiri.

Flamurtari, 26 ndeshje në Europë

 Flamurtari ka zhvilluar 26 ndeshje në kompeticonet europiane. Bilanci i kuqezinjve është 5 fitore, 4 barazime dhe 17 humbje; 22 gola të shënuar dhe 47 të pësuar. Vlonjatët janë skuadra e pestë shqiptare me më shumë ndeshje në Europë, pas Tiranës (76), Partizanit (44), Dinamos (42) dhe Vllaznisë (40). Në renditjen për klube në listën e UEFA-s bëjnë pjesë edhe nëntë ekipe shqiptare nga 453 skuadra: Skënderbeu është skuadra më e mirë shqiptare në Europë: vendi i 276-të. Më pas vijnë Tirana (321), Kukësi (362), Flamurtari (376), Dinamo (377), Vllaznia (391), Teuta (421), Laçi (422) dhe Besa (423).

Kualifikimet e vlonjatëve në Europë

 Në dhjetë pjesëmarrje në Europë, Flamurtari ka mundur ta kalojë vetëm dy herë turin: në edicionin 1987-1988 të Kupës UEFA, Flamurtari eliminoi në turin e parë Partizanin e Beogradit (2-0, 1-2); në turin e dytë eliminoi gjermano-lindorët e Vismute Aue (0-1, 2-0). U eliminua më pas nga spanjollët e Barcelonës. Në edicionin 2010-2011, Flamurtari eliminoi në turin e parë malazezët e Buduçnostit: fitoi 3-1 në Podgoricë, humbi 2-1 në Vlorë. U eliminua më pas nga çekët e Jablonecit.

EKIPET KUNDËRSHTARE

TË FLAMURTARIT

Shkëndija Tet.    Maqedoni

Fola Elsh            Luksemburg

Krusaders           Irl.Veriut

Shirak          Armeni

Veris                   Moldavi

Kabala         Azerbajxhan

Mika                   Armeni

Sioni Bolnisi      Gjeorgji

Hibernians          Maltë

Sliema Underes  Maltë

Astana          Kazakistan

Fram Rejkiavik   Islandë

Vikingu       Ishujt Faroe

Kairat Almati      Kazakistan

Laçi                     Shqipëri

Turnovo              Maqedoni

Deri Siti              Irlandë

Dundalk              Irlandë

VPS Vaasa          Finlandë

Stjarman             Islandë

Banga                 Lituani

Torshvan            Ishujt Faroe

Santa Koloma     Andorra

Silmae Kalev      Estoni

Atlantas       Lituani

Fuglafjodur  Ishujt Faroe

Airbus          Uells

Glenavon            Irl.Veriut

Libertas        San Marino

Aberivistith Uells

Santos Tarto Estoni

Kampionët në fuqi po ndërtojnë një superskuadër për të përballuar Ligën e Kampioneve

 Elis Bakaj firmos me Skënderbeun

 Elis Bakaj është blerja më e re e Skënderbeut. Kampionët e Superligës arritën marrëveshjen me një ndër lojtarët më të spikatur që ka nxjerrë futbolli shqiptar. Ish-lojtari i Partizanit e Dinamos, por dhe me një të kaluar futbollistike në Rumani me Dinamon e Bukureshtit dhe në Ukrainë me Çernomerets Odesën do të luajë për 5 herë kampionët e Shqipërisë deri në 31 maj të vitit 2015. Në fakt, edhe pse 26-vjeçari mendohej se do të ishte pjesë e Kukësit për aventurën europiane, madje u fol edhe për një paramarrëveshje Gjici-Bakaj, mesfushori i Kombëtares (25 ndeshje/1 gol) vendosi të veshë fanellën bardhëkuqe. Kështu, pas firmosjes së dielën me mbrojtësin Tefik Osmani, presidenti i Skënderbeut, Adrian Takaj, u bën kështu një dhuratë të bukur tifozëve korçarë që tashmë besojnë për një paraqitje të denjë në Ligës së Kampioneve ku synim mbetet kalimi i disa raundeve.

Korçarët marrin pjesë për herë të katërt rresht në Ligën e Kampioneve, dhe vetëm sezonin e kaluar mundën të kalonin një tur, kur eliminuan Neftçi Baku të Azerbajxhanit. Skënderbeu ndodhet në vazon e të dobëtëve, me koeficient 4,600 dhe do të përballen me ekipet më të forta të turit të dytë kualifikues. Lista e 16 ekipeve, që do të jenë në vazon e parë dhe që njëri prej tyre do përzgjidhet për t’u përballur me kampionët e Shqipërisë, përbëhet nga skuadra me traditë në Ligën e Kampioneve. Ekipe që koeficientin e UEFAs e kanë shumë herë më të lartë se ai i Skënderbeut dhe mbi të gjitha kanë buxhete marramendëse krahasuar me atë të bardhekuqve. Sëlltiku do të dhuronte një duel të paharrueshëm për korçarët (fitimprurës gjithashtu), duke u pasuar nga klube si Dinamo e Zagrebit. Steaua Bukuresht është kundërshtari me koeficientin më të lartë, i ndikuar edhe nga paraqitja mbresëlënëse në Europë edicionin e kaluar. Një listë me klube mjaft të fortë, të cilët në letër nuk e “diskutojnë” kualifikimin për në raundin tjetër: Steaua Bukuresht (Rumani, me koeficientin më të lartë 39,451),  Sëlltik (Skoci), Bate Borisov (Bjellorusi), Sparta Pragë (Çeki), Dinamo Zagreb (Kroaci), Ludogorec (Bullgari), Crevna Zvezda (Serbi), Legia Varshava (Poloni), Makabi Tel Aviv (Izrael), Sherif (Moldavi), Maribor (Slloveni), Slovan Bratislava (Sllovaki), Aktobe (Kazakistan), Ventpilis (Letoni), Karabag (Azerjabaxhan), Helsinki (Finlandë), Dinamo Tbilis (Gjeorgji, me koeficientin më të ulër 6,975)

Nëse arrin të kalojë një raund të Ligës së Kampioneve, Skënderbeu ka mundësinë të ketë një aventurë të gjatë në Europë. Rregullorja e re e UEFA-s u jep mundësinë skuadrave që, nëse shkojnë deri në raundin e tretë kualifikues (korçarët e nisin nga raundi i dytë) dhe eliminohen, atëherë ata do të marrin pjesë në fazën “play-off” të Ligës së Europës

Tirana konfirmon Gugash Maganin

 Tirana e sezonit të ardhshëm nis me konfirmimin e Gugash Maganit. Trajneri peqinas pritet të nënshkruajë kontratën e re me klubin bardheblu për të nisur më pas rinovimin me pjesën më të madhe të lojtarëve që mbyllën sezonin, por edhe me afrimin e lojtarëve cilësorë të merkatos. Magani konfirmoi se në planet e tij është 60% e futbollistëve që mbyllën sezonin, ndërsa lojtarë të tjerë cilësorë janë gati të firmosin për bardheblutë, thjesht kërkojnë garanci për projektin që kanë drejtuesit.

Progni në qendër të merkatos

 Gerhard Progni kthehet në çështje te Kukësi. Mesfushorit i ka përfunduar kontrata me nënkampinoët e Shqipërisë dhe nuk ka dalë në stërvitje me skuadrën, pasi pret të më parë të zgjidhë të ardhmen. Burime pranë klubit kuksian raportojnë se presidenti Safet Gjici i ka ofruar rinovimin, fillimisht për Kupat e Europës, por palët ende nuk kanë rënë dakord për detajet e kontratës. Në rast të kundërt, Progni mund të transferohet te Skënderbeu, Partizani ose Tirana.