Skandali/ Futbolli shqiptar në gjunjë para mafies. Fushat e blerta gjatë kalendarit futbollistik 2022-2023 do ti kishte zili

130

Tentakulat e dhunës shtrihen në fushën e blertë

Kërcënohen me jetë arbitrat e ndeshjes. Anulohet ndeshja Kastrioti- Bylis

Sigal

 

“Padyshim jemi në kushtet e një skandali, pasi vetëm në Shqipëri mund të ndodhë të kërcënohen me jetë arbitrat. Të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla.”

Shqipëria aktualisht është në pushtetin e krimit dhe bandave, qytetarët ndihen të pasigurt pas javëve të ngarkuar me ngjarje kriminale, duke përfshirë vrasje, plagosje e atentate në disa qytete të vendit. Sikur të mos mjaftonin këto tashmë dhuna ka shtrirë tentakulat e saj dhe në fushën e blertë të futbollit. Pazaret e atyre që e shohin futbollin, si mjet për të përfituar, me gjasë bëjnë sehir teksa ndeshjet e futbollit kthehen në arena dhune. Njoftimet rutinë të FSHF nuk fshehin dot realitetin e hidhur të sagës së dhunës në futboll. As emërimet në instanca ndërkombëtare si vendosja  e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka në krye të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për herë të dytë me një mandat 4-vjeçar. As kjo nuk u hedh dot hi syve, sportdashësve për suksesin e supozuar të futbollit shqiptar, ndërkohë që pazaret në futboll, bëjnë protagonist dhunën. Le ta theksojmë që dhuna është histori e përsëritur ndër vite, gjithashu siç flitet për shitjet e ndeshjeve. Më poshtë do paraqesim disa nga rastet e dhunës që kanë tronditur futbollin kohëve të fundit.

Skandali/ Kërcënohen me jetë arbritrat, FSHF anulon ndeshjen e Kategorisë Superiore.

Një skandal ka ndodhur në f utbollin shqiptar. Fderata Shqiptare e Futbollit ka marrë një vendim të paprecedentë duke anuluar sfidën Kastrioti- Bylis e programuar për t’u luajtur në Kamëz për llogari të javës së 28 të Kategorisë Superiore. Nëpërmjet një komunikate, FSHF bën me dije se nuk merr përsipër organizimin e ndeshjes pasi gjyqtarët e sfidës janë kërcënuar me jetë një ditë më parë. FSHF bën me dije se në ndeshjen Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. “Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të informojë komunitetin e futbollit dhe opinionin publik se ndeshja Kastrioti-Bylis e planifikuar për t’u zhvilluar ditën e sotme në stadiumin e Kamzës nuk do të zhvillohet. Arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar dhe kjo ngjarje është duke u hetuar nga organet kompetente. Federata e Futbollit është njohur me vendimin e të gjithë klasës arbitrale, që nuk pranon të marrë përsipër drejtimin e ndeshjeve të Klubit Kastrioti për shkak të presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme. Një javë më parë, në ndeshjen Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla. Të gjendur në këtë situatë, FSHF bën me dije se do të presë deri në fund zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme dhe do të marrë vendimet e duhura për të siguruar ambientin e sigurt në panoramën futbollistike shqiptare“,- thekson njoftimi. Padyshim jemi në kushte e një skandali, pasi vetëm në Shqipëri mund të ndodhë të kërcënohen me jetë arbitrat. Deri më tani kishim parë dhunë fizike, por si duket tifozët dhe përfaqësues të ekipeve kanë shkuar deri te kërcënimet me jetë.

Dhunohet arbitri në Gramsh, ndërpritet ndeshja ndaj Valbonës


Një tifoz ka zbritur në fushë dhe ka goditur arbitrin kryesor Anxhi Lushi. Episodi i rëndë është regjistruar teksa luhej minuta e 54-t e ndeshjes mes Gramshit dhe Valbonës. Shkak u bë një penallti e akorduar nga kryesori kryeqytetas për skuadrën tropojane, teksa vendimi shkaktoi protesta të shumta. Më pas gjyqtari urdhëroi kthimin e skuadrave në dhomat e zhveshjes dhe ndërprerjen e takimit për të mos rinisur më. Ky është një tjetër rast i rëndë dhune në kategoritë e ulëta të futbollit shqiptar, teksa këtë herë ndodh në një fushë të qetë si ajo e Gramshit.

Disiplina përjashton Tërbunin nga Kategoria e Parë, shkak bëhet dhuna e përsëritur


Goditja e gjyqtarit anësor në ndeshjen Tërbuni-Turbina i kushton shtrenjtë klubit pukjan që përjashtohet nga Kategoria e Parë, ndërsa miqtë nga Cerriku fitojnë 3-0 në tavolinë ndeshjen. Vendimi është marrë nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës që e gjobit edhe me 300 mijë lekë klubin verior. Ngjarja u regjistrua të shtunën kur anësori Xhuljo Mani u godit me sende të forta nga tifozët dhe u sulmua gjithashtu edhe nga lojtarët pukjanë ndërsa drejtuesit e ndërprenë sfidën e fiksuar në rezultatin 1-1 në kohën shtesë.

Vendi i Disiplinës në lidhje me ngjarjet e Pukës;

FK Tërbuni, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në mënyrë të përsëritur, duke shkaktuar akte dhune dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes në bazë të Neneve 30/1, 30/4/a, 31, 39/1, 65/1 dhe 65/3/c të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 kundër KF Turbina dhe dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Sipas nenit 116/1/a të KDS, gjoba të aplikohet në masën 50%. Në zbatim të Neneve 27, 28, 63, 64/2, 65/4/d dhe 114/2 të KDS, FK Tërbuni përjashtohet nga aktiviteti futbollistik për sezonin 2022-2023 dhe zbritet në një kategori më të ulët”.

I morën barazim Elbasanit me nëntë lojtarë, sulmohet autobusi i Pogradecit


Ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave në Grupin B të Kategorisë së Dytë ka qenë padyshim ajo mes Elbasanit dhe Pogradecit që u luajt në “Elbasan Arena”. Një sfidë e cila u mbyll mes tensionit me shifrat 1-1 pasi pogradecarët ia dolën që t’i merrnin pikë vendasve në këtë sfidë edhe pse mbetën me 9 lojtarë. Pas ndeshjes, pogradecarët kanë festuar këtë arritje që i mban përsëri në vendin e parë në renditjen e kampionatit dhe i sheh si favoritë për ngjitjen më lart në edicionin e ardhshëm. Por këtë festë e ka prishur një incident shumë i shëmtuar teksa ekipi po kthehej për në Pogradec. Në dalje të Librazhdit, një makinë në ecje e sipër ka kaluar pranë autobusit të pogradecarëve dhe i ka gjuajtur me gurë. Për fat të mirë, incidenti ka përfunduar me xhama të thyer, por jo me lëndime të lojtarëve apo pjesëtarëve të stafit që gjendeshin në autobus dhe po ktheheshin në shtëpitë e tyre, Një ngjarje e rëndë që shëmton një sfidë mes dy pretendentësh, ku duket se tifozeria e kaloi paksa cakun me këto akte të rënda.