KATEGORIA E PARË/ Në fundjavë nis kampionati, trajneri i Erzenit tregon objektivin e sezonit
Agron KAJA
Skuadra e Erzenit u organizua me vonesë për nisjen e përgatitjeve. Rënia nga Kategoria Superiore në Kategorinë e Parë solli shpërbërjen e skuadrës së sezonit të dështuar, e drejtuesit shijakas u detyruan që ta nisnin nga bankina. Drejtimi iu besua një emri të njohur në futbollin shqiptar, Justin Bespallës, pjesë e një “Dinastie” me emër të madh në futbollin shqiptar. Në bisedën e djeshme për gazetën “Telegraf”, tekniku i ri i Erzenit tregoi për situatën në skuadër para nisjes së kampionatit më 24 gusht. “Gjatë kësaj periudhe të shkurtër që kemi nisur përgatitjet, jemi munduar që ta fusim në lojë skuadrën, sepse u mblodhëm shumë vonë. Në ekip kemi lojtarë që e njohin Kategorinë e Parë, sepse buxheti nuk na lejon për më shumë. Por deri tani ndjehemi të plotësuar, edhe pse presim këtë javë një mesfushor dhe një sulmues. Synojmë që të bëjmë një ekip simpatik e konkurrues”, kështu e nisi bisedën tekniku i Erzenit, i cili i referohet edhe ndeshjes miqësore me Lushnjën, që sipas tij, skuadra iu përgjigj mirë. “Në ndeshjen miqësore që zhvilluam ditë më parë me Lushnjën dhe e fituam 1-0, ekipi u përgjigj mirë. Më shumë unë pres që të kolaudohemi pas tre apo katër javëve në kampionat, ndoshta edhe më shumë. Sepse duhet që lojtarët të kenë kapur gjëndjen optimale të tyre, pasi kampionati është i gjatë dhe këto përgatitje janë bazë”. Në javën e parë të kampionatit që nis më 24 gusht, Erzeni ndeshet në transfertë me Kukësin, skuadër e cila edhe ajo zbriti nga Kategoria Superiore së bashku me shijakasit. Bespalla e quan këtë kalendar kapriçioz, edhe fat të keq, por edhe fat të mirë. “Ndeshja e parë në transfertë me Kukësin, për ne është edhe fat i mirë, por edhe fat i keq. Të themi si një thikë me dy presa. Fat i mirë është, sepse me Kukësin jemi të dy që filluam vonë përgatitjet, dhe fati i keq se kushdo ekip që do humbasë, do ta ketë më të vështirë vazhdimësinë me ekipet e tjera. Unë e mora këtë skuadër me një shekull histori që të mos humbiste, dhe e gjithë puna në këtë hapësirë përgatitore të shkurtër këtu është përqëndruar, në harmonisimin e vlerave të lojtarëve në fushën e lojës. Gjithsesi, unë kam besim se skuadra do të japë më të mirën në këtë premierë të kampionatit, sepse edhe tifozët shijakas e meritojnë një ndeshje të mirë”, kështu e mbylli bisedën trajneri i Erzenit, Justin Bespalla, i cili njëherësh uroi një garë të mbarë për të gjitha skuadrat e Kategorisë së Parë të sezonit 2024-2025. Kampionati në këtë kategori nis më 24 gusht, ku të gjashtë ndeshjet nisin nga ora 17:00.
TË FUNDIT NGA KOMBËTARJA
UEFA Nations Ligë risjell Kombëtaren me biletat
Shqipëria-Grupi B1
Datë 7 shtator 2024
Ukrainë-Shqipëri 20:45
Datë 10 shtator 2024
Shqipëri- Gjeorgji 20:45
Datë 11 tetor 2024
Çeki-Shqipëri 20:45
Datë 14 tetor 2024
Gjeorgji-Shqipëri 18:00
Datë 16 nëntor 2024
Shqipëri-Çeki 20:45
Datë 19 nëntor 2024
Shqipëri-Ukrainë 20:45
Në datën 7 shtator 2024, Kombëtarja jonë do të nisë ndeshjet e UEFA Nations Ligë, dhe kur duhen më shumë se tre javë nga kjo sfidë, FSHF-ja ka nxjerrë në shitje biletat e ndeshjes Ukrainë-Shqipëri, e cila do të luhet në stadiumin “Epet Arena” të Çekisë, nisur nga ora 20:45. Kështu që nga dita e djeshme, të gjithë futbolldashësit dhe tifozët e Kombëtares do të kenë mundësi që të blejnë biletat e tyre edhe për sfidën e parë në grupin B1 të UEFA Nations Ligë, në fshf.org në linkun https://fshf.org/shop/. Biletat janë elektronike dhe dërgohen në “email” 3 ditë përpara ndeshjes, më 4 shtator, ndërsa çmimi i biletës në “fans aëay sector” është 1.200 lekë. Procesi i shitjes së biletave vijon edhe për ndeshjen e dytë të Shqipërisë në grupin B1 ndaj Gjeorgjisë, që luhet më 10 shtator në stadiumin “Air Albania”, nisur nga ora 20:45.
Silvinjo bëhet i “gjallë”, sytë nga Ukraina
Përpara rrugëtimit që Kombëtarja shqiptare do të nisë në UEFA Nations Ligë, trajneri i Kombëtares sonë, Silvinjo, është “zgjuar” nga “gjumi” i pushimeve. Dje tekniku kuqezi është shprehur në një intervistë të mediatike shqiptare, se eksperienca e Euro 2024 ishte e bukur, por fokusi mbetet në UEFA Nations Ligë.
“Kemi mësuar shumë, eksperiencë e shkëlqyer në Europian me nivel të lartë. Luajtëm kundër lojtarëve dhe skuadrave shumë të forta, dhe me këtë skuadër të re kjo është e bukura. Por tashmë kemi një kompeticion të rëndësishëm si Liga e Kombeve, një moment kalimtar për të marrë eksperiencë tjetër europiane. Objektivi i parë është të përmirësojmë skuadrën, të gjejmë lojtarë të rinj. Kjo është Kombëtare, dhe si e tillë është e hapur. Nëse ka një lojtar që na shërben, atëherë ai do të vijë”. Shqipëria është një grup me Ukrainën, Gjeorgjinë e Çekinë.
Kukësi lëviz në merkato, dy huazime para Erzenit
Te skuadra e Kukësit po lëvizin me shpejtësi në merkato. Drejtuesit e rinj po mundohen të plotësojnë organikën me lojtarët që kanë janë në qarkullim, dhe afrimi i parë është sulmuesi Luis Birçaj që vjen nga Partizani. Por edhe dy futbollistë nga Skënderbeu, portieri Amarildo Dervishi dhe mesfushori Erest Lamellari. Të tre këta lojtarë u provuan në fushë nga trajneri Ilir Spahiu gjatë miqësores me Partizanin U-19.
KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java 1
Datë 24 gusht 2024
AF Vora-Apolonia 17:00
Stadiumi i Vorës
Kukësi-Erzeni 17:00
Stadiumi “Kukës Arena”
Flamurtari-Burreli 17:00
Stadiumi “Flamurtari”
Valbona-Besa 17:00
Stadiumi “Vëllezërit Gega”
Korabi-Lushnja 17:00
Stadiumi i Korabit
Pogradec-Kastrioti 17:00
Stadiumi “Gjorgji Kyçyku”
SEZONI 2024-2025
Kategoria e Parë nis ndeshjet e kampionatit më 28 gusht 2024 dhe i mbyll më 19 prill 2025. Do të luhet në tre faza, dy fazat e para sipas kalendarit, faza e tretë sipas renditjes në dy fazat e para.