Luiza Gega: Po, do synoj të shkoj deri në finale

811
Nga Agron KAJA
DEKLARATA/ Gjatë një bisede telefonike me gazetën “Telegraf”, atletja shqiptare ka konfirmuar objektivin për Botërorin e Londrës
Nëse një lajm të tillë, se, Luiza Gega synon të shkojë deri në finale në garat e Kampionatit Botëror të Atletikës që do të zhvillohet në Londër nga dita e premte 4 gusht 2017, e deri në datën 14 gusht 2017, do ta kishim dëgjuar nga njerëz të zakonshëm, ndoshta nuk do të besohej. Por, kur dje në ekranin e TV News24, ajo deklaroi se ka synim të shkojë deri në finalen e garës së 3000 m/p, natyrisht që interesi bëhet edhe më i madh. Duke qenë se atletja shqiptare do të marrë pjesë vetëm në garën e 3000 m/p, ku ajo mendon se i ka të gjitha shanset që ta arrijë këtë synim, këtë e pohoi mbrëmë vonë nëpërmjet linjës telefonike edhe për gazetën “Telegraf”. “Unë i kam kapur normat e kualifikimit për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Londrës, në dy disiplina: 1500 m dhe 3000 m/p. Në garën e dytë ndjehem më e sigurt për sukses, ndaj do të garoj vetëm aty”, ky ishte konfirmimi i parë që Luiza së bashku me trajnerin e saj Taulant Stërmasi, bënë dje, sa i përket garimit të saj në Kampionatin Botëror të Atletikës. Ky event botëror nis nesër më 4 gusht, dhe i përfundon garat më 13 gusht. Ndërkohë që, Luiza tregoi se, përgatitjet së bashku me trajnerin e saj, kanë qenë intensive gjatë kësaj periudhe përgatitore në Korçë, duke alternuar ushtrimet nga Dardha në pistën me tartan të stadiumit “Skënderbeu”. “Unë jam përgatitur për dy muaj në Korçë, pasi aty janë kushtet më optimale në këtë stinë. Jam mësuar tashmë me këto kushte, madje edhe me financa të pakta, por rezultati që unë kam arritur në garën ku do të marr pjesë, janë për finale në këtë Botëror. Ndaj dua që t’i sfidoj të gjitha ato mangësi që më kanë shoqëruar gjatë përgatitjeve të mia, dhe të mendoj vetëm për garën”, kështu deklaroi dje Luiza Gega, e cila në këtë Botëror do të garojë ditën e mërkurë, datë 9 gusht 2017, ora 20:05, garë e cila do të zhvillohet në stadiumin “Queen Elizabeth Olympic Park”,

London. Në mbështetje të Luizës, dje për gazetën “Telegraf” ishte edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, i cili nga ana e tij, veç besimit, kërkoi edhe pak fat që atletja jonë të arrijë synimin e saj në këtë event të madh të atletikës botërore.
Luiza Gega
Datëlindja: 5 nëntor 1988
Vendlindja: Dibër
Sporti që ushtron: Atletikë
Gara e preferuar: 3000 m/p
Gjatësia trupore: 159 cm
Pesha trupore: 45 kg
Periudha që garon: Nga viti 2003
Rezultatet më të mira në garën 3000 m/p: Amsterdam 2016 9:28,52; në salla të mbyllura, Ebone 2017 8:52,53.
KAMPIONATET BOTËRORË TË ATLETIKËS
Nr. Data Vendi
18 shtator 1976 Malmo, Suedi
14-16 gusht 1980 Sitard
1 7-14 gusht 1983 Helsini, Finlandë
2 28gusht-6shtator ’87 Romë, Itali
3 23gusht-1 shtator ’91 Tokio, Japoni
4 13-22 gusht 1993 Shtutgard, Gjermani
5 5-13 gusht 1995 Goteborg, Suedi
6 1-10 gusht 1997 Athinë, Greqi
7 21-29 gusht 1999 Sevilja, Spanjë
8 3-12 gusht 2001 Edmonton, Kanada
9 23-31 gusht 2003 Paris, Francë
10 6-14 gusht 2005 Helsinki, Finlandë
11 25gusht-2shtator ’07 Osaka, Japoni
12 15-23 gusht 2009 Berlin, Gjermani
13 27gusht-4shtator ’11 Daegu, Korea J
14 10-18 gusht 2013 Moskë, Rusi
15 22-30 gusht 2015 Bejing, Kinë
16 4-13 gusht 2017 Londër, Angli
DISPLINAT E GARIMIT
(FEMRA-MESHKUJ)
GARAT E SHPEJTËSISË
100 m, 200 m dhe 400 m
GARAT E MESME
800 m dhe 1500 m 
GARAT E THELLËSISË
5000 m, 10,000 m, 3000 m/p 
GARAT ME PENGESA
100 m, 110 m, 400 
GARAT E GJATA
Maratona 40 km
HEDHJET
Disku, gjyle, çekiçi
KËRCIMET
Së larti, së gjati, tre hapësh, me shkop
TË KOMBINUARA
10 garësh (dekalton)
ECJE SPORTIVE
20 km dhe 50 km 
STAFETA
4×100 m, 4×400 m 
KROSET
Kros në natyrë
Kros malor
Kros i përzjerë
Sigal