Sot zgjidhet kreu i ri i Kuvendit të Kosovës, mediat paralajmërojnë “përplasje”

473
Kuvendi i Kosovës mban sot seancën konstituive. Përbërja e re e Kuvendit, ka dalë si rezultat i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor.
Në seancën e sotme, fillimisht pritet formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Deputetët e zgjedhur gjithashtu do të votojnë për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Pas konstituimit të Kuvendit, fillon edhe periudha prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë së re.
Tri pikat e rendit të ditës
Në agjendën zyrtare të publikuar nga Kuvendi i Kosovës për seancën e sotme janë tri pika të rendit të ditës:
1. Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
2. Dhënia e betimit të deputetëve,
3. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.

KUVENDI PRITET TË NISË PUNËN ME PËRPLASJET E PARA RRETH KRYETARIT
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do të jetë sfida e parë, me të cilën do të përballen deputetët e legjislaturës së gjashtë të vendit, e cila pritet të konstituohet të enjten, më 3 gusht.

Propozimi i kandidatit për kryetarin e Kuvendit do të bëhet nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, i cili radhitet si subjekti i parë politik me më së shumti ulëse të fituara në Kuvend.

Përderisa përfaqësuesit e koalicionit PAN ende nuk e kanë sqaruar nëse i propozuari i tyre do të jetë lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, thonë se do të votojnë kundër zotit Veseli për postin e të parit të Kuvendit. Paralajmërime të ngjashme ka bërë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka thënë se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit e as të nominuarin e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, për kryeministër të Kosovës.

Memli Krasniqi, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar përfundimtar nëse Veseli do të propozohet për kryetar të Kuvendit.

Por, Albulena Haxhiu, deputete e zgjedhur e Lëvizje Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e këtij subjekti politik, i cili është i dyti me radhë për kah numri i ulëseve në Kuvendin e Kosovës, do të marrë pjesë në mbledhjen konstituive të Kuvendit. Ajo ka ripërsëritur se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, do të votojnë kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit.

Por, Haxhiu ka shtuar se , marrë parasysh aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i cili i jep të drejtën subjektit politik me më së shumti ulëse në Kuvendin e Kosovës që ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në këtë rast koalicionit PAN, atëherë, siç thotë ajo, propozimi i një emri tjetër nga ky koalicion ka mundësi ta marrë përkrahjen e deputetëve të Kuvendit.

Sidoqoftë, konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit të tij, i hapë rrugë krijimit të Qeverisë së re të vendit. Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, formimi i Qeverisë i takon koalicionit PAN, por kërkohet që ky koalicion të sigurojë minimumin prej 61 votave. Përfaqësuesit e këtij koalicioni, kanë thënë se pas konstituimit të Kuvendit, brenda një kohë shumë të shkurtë do të mbahet edhe seanca e dytë e Kuvendit, ku do të votohet për Qeverinë e re.
Sigal