Bashkim Aliraj/ Shoqatat sportive dhe shqetësimet e tyre 

546
Sigal

  Mungesa e fondeve dhe sponsorizimit po varfëron notin shqiptar.

     Në vitin 1995 më thotë shefi i klubit të “Flamurtarit” , që do të shkosh në aktivitet kombëtar me 3-4 notarë, sepse nuk kemi fonde. Jo, – i thashë se me 3-4 notarë nuk del dot kampion në not. Gjeta donatorë , shokë dhe miq që më ndihmuan dhe shkova me ekip të plotë dhe zura vendin e parë me të rinjtë. Në vitin 1996 krijova Shoqatën  “Jon Vlorë”. Ishte e para Shoqatë në not për të mos thënë në sport. Më vonë dola dhe 2-3 vite kampion me të rinjtë dhe në vitin 1998 kampion kombëtar edhe me të rriturit. Disa nga notarët janë grumbulluar dhe në ekipet kombëtare. Por në këtë shkrim nuk  kam për qëllim që të evidentoj arritjet e sukseset e Shoqatës , problemi është se Shoqata Sportive dhe ekipet në not nuk nxiten e  nuk mbështeten sa duhet. Madje, do të thosha që ndonjëherë ndaj tyre ka xhelozi dhe në vend që të ndihmohen, ato pengohen.  Më vonë në not u ngritën dhe Shoqata të tjera si “Ada” ose “Tirana Delfin Sport” me trajner S.Poda dhe Sh.Hoxha të cilët kanë nxjerrë notarë shumë të mirë  e të talentuar si S.Hoxha , A.Reci , J.Pepa etj. Sot në not funksionojnë dhe shoqata të tjera si  “Stela” , “S.N.S” , “Vlora –Not” , “Not – Bodo” , “Teuta Swims” etj.

  Pozitiv është fakti që Shoqatat ose ekipet e tyre, në përgjithësi veprimtaritë i kanë vlerësuar e kanë marrë pjesë rregullisht. Për 18 vjet rresht , shoqata  “Jon” është përfaqësuar në të gjitha veprimtaritë Kombëtare , kupat dhe maratonat e notit që janë organizuar në qytetin e Pogradecit e Sarandës. Në mjaft raste, shoqata ka nxitur e stimuluar notarët e vet që kanë qenë të përkushtuar në sport dhe kanë arritur rezultate të mira , duke i çuar në aktivitetet kombëtare ose ndërkombëtare me sponsor ose shpenzimet e veta.  Por problemi është që shpesh notarët dhe trajnerët shkojnë në këto veprimtari në të shumtën e rasteve me shpenzimet e tyre.  Natyrisht kjo është e vështirë sepse nuk janë 1 ose 2 aktivitete në vit , por 3-4 e më shumë.  Dhe kjo është me vite të tëra.  Është një sakrificë e madhe dhe një sfide për Shoqatën dhe notarët.   Më përpara ( para 20-24 vitesh ) , notarët shkonin në aktivitetet kombëtare me shpenzimet e shtetit. Ata kishin dhe një trajtim ushqimor 6-7 muaj në vit , ndërsa tani duhet që të gjitha shpenzimet ti mbulojnë vetë prindërit e tyre, duke filluar nga udhëtimi , fjetja , ushqimi etj.  Kjo është shumë e rëndë dhe më e keqja është se kjo ndodh edhe me ekipet e klubeve sportive të qytetit.

   Mendoj që është një sukses i madh që numri i shoqatave sportive në not këto 3-4 vitet e fundit është rritur. Por përvoja po tregon se ato e kanë të vështirë që të mbijetojnë. Në aktivitetin e fundit të notit, në Kampionatin Kombëtar të të rinjve e të rriturve, që u organizua në Tiranë në 3-4 shtator 2014 , pati disa shoqata me emër që nuk morën pjesë ose u përfaqësuan me një apo dy notarë. Pati edhe ekipe që erdhën për tu përfaqësuar ditën e dytë paradite dhe pasdite u larguan. Kjo ndodh se ata nuk  e përballojnë dot aktivitetin me shpenzimet  e nevojshme, por se dhe rezultatet sportive të tyre nuk janë të mira. Mendoj se buxheti i shtetit pranë Bashkive të qytetit duhet të shkojë në drejtim të elementeve të talentuar në not , atyre që kanë rezultate të larta , pavarësisht se janë notarë të ekipeve të klubeve sportive apo shoqatave sportive. Notarja e talentuar Anxhela Kashari nuk përfaqësohet fare në aktivitet (që pas kupës së Republikës në Tiranë) , sepse nga ana financiare ajo nuk përballon dot stërvitjen çdo ditë në pishinë. Kjo është për të ardhur keq pasi ajo është larguar nga noti në një kohë që noti ka shumë nevojë për të. Është notarja më e mirë e vendit , shtatlarte dhe e fuqishme. E para notare  që 100 m stil të lirë në pishinën 25 m e ka ulur nën 1 min, në kohën 59.89 sek. Në 50 m stil të lirë ajo ka rekordin me kohen 27.94 sek ndërsa në 50 m delfin 29.36 sek. Këtë vit është larguar nga vendi jonë edhe një notare tjetër e ekipit të Partizanit Patricia Cani ,kampione dhe rekordmene e vendit në 50 , 100 , 200 m në stilin bretkosë. Menjëherë ajo u inkuadrua në ekipin e Marsejës në Francë. Kemi edhe rastin e notarit Edmond Cane që doli kampion kombëtar në garat 50 e 100 m stil të lirë në Kupën e Republikës në korrik 2014 , është trajner me fëmijët dhe nuk e pranojnë në Akademinë Sportive. Kjo është me të vërtetë për të ardhur keq. Bashkitë e qyteteve duhet të marrin shembull nga ajo e Durrësit , që stimulon e paguan çdo muaj notarë të mirë e fëmijë me perspektivë në not deri në 200 mijë lek. Shoqata  “Jon” ka pasur këto 20-23 vjet disa notarë kampion , me fëmijë , të rinj e të rritur dhe asnjëri nuk ka marrë një shpërblim ose një pagë mujore nga Bashkia e qytetit të Vlorës. Mendoj se edhe biznesmenët duhet të ndihmojnë në këtë drejtim. Të gjithë kemi dëshirë që një notar ose notare të përfaqësojë vendin denjësisht në një Kampionat Botëror ose Evropian të notit dhe kjo është normale , por kur vjen puna konkretisht asnjeri nuk ndihmon e kujdeset për notarët. Notari më i mirë i vendit apo i të gjitha kohërave në Shqipëri, Sidni Hoxha shkoi në Kampionatin Evropian në muajin gusht në Gjermani me shpenzimet e veta. Mendoj se këto në të ardhmen duhet të jenë objekt për Qeverinë , Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve , Ministrinë e Çështjeve Sociale dhe Rinise që të vendosin një ligj për të ndihmuar dhe sponsorizuar notarët e sportistët më të mirë. Duhet të ndryshojë ligji për sponsorizimin në sport, të shoqatave e kompanive të ndryshme. Ne po na ikin notarët një e nga një dhe vetëm heshtim ose bëjmë sikur  nuk dimë gjë. Shteti , Ministria e Arsimit dhe e Sporteve dhe bashkitë e qyteteve jo vetëm që duhet ti ndihmojnë sportistët cilësorë dhe notarët për shkollat e larta  që të shkojnë me bursë shteti por ata duhet të studiojnë në çdo degë që duan, sepse kanë punuar e sakrifikuar për sportin. Për raste të tilla që përmendëm më lart duhet të ndërhyhet urgjentisht nga ministria përkatëse sepse nuk ka kohë për tu menduar e për të thënë: “Dale ta shikojmë njëherë” sidomos kur është fjala për sportiste  e sportistë që nga ana ekonomike vuajnë. Këto janë shembuj konkret që flasin për një rilindje të vërtetë dhe në fushën e sportit.

 *trajner i  merituar

 Shoqata “Jon Vlorë”