Elvis Plori: Shkodra pret titullin e Vllaznisë, renditja e trazuar deri në fund

65
Sigal

INTERVISTA/ Specialisti i futbollit, Elvis Plori, skanon Superioren e parashikon ndryshime në tabelë

Agron KAJA

Pas ndeshjeve të javës së 34-t të Superiores, një përshkrim i juaji cili është për rezultatet që u arritën dhe renditjen?

Mund të them se ne mendojmë apo hamendësojmë për kompromise, por unë mendoj se skuadrat ndodhen aty ku e meritojnë. Mund të ketë gjëra të vogla, por çfarë kanë dhënë e kanë marrë. Tabela është faktori i pasqyrimit të drejtë.

Cila nga ndeshjet e javës së 34-t doli nga pritshmëritë, dhe cila mund të quhet rezultat surprizë?

Nëse bëjmë një analizë të shkurtër, mendoj se surprizë ishte ndeshja e Partizani-Egnatia 1-0, duke ditur se rrogozhinasit kanë skuadër të fortë e bindëse e pritej kthesë e saj. Ndërsa fitorja e Vllaznisë me Dinamon, diferenca e golave nuk pritej.

Duke e parë renditjen në të dy kahjet e saj, ku ndryshoi dukshëm pas këtyre ndeshjeve?

Ndryshim i dukshëm është Laçi, i cili në vitet e fundit ka qënë faktor në kampionatin shqiptar. Me problemet e tij, ka një përqindje të avancuar për rënien. Ka treguar se është e vështirë që në Superiore të konkurosh me elementë të rinj.

Skuadrat e zonës “Final 4” sikur kanë probleme mes tyre për renditjen, do ta mbajnë garën në emocion?

Unë mendoj se po, sepse është AF Elbasani që i ka trazuar ujrat e zonës “Final 4” për momentin. Kjo skuadër duket si e “pa dëshiruara” në këtë zonë, që po i trazon vëndet në renditje për kupat e Europës në këtë sezon.

Në ndeshjet e kësaj jave, AF Elbasani e “kërcënon” Partizanin për zonën “Final 4”, si e pret Vllazninë ?

Do jetë një ndeshje e fortë për të dyja skuadrat. Në Shkodër këtë sezon kërkohet titulli kampion, ndërsa për AF Elbasanin janë dy ndeshjet e sprintit për zonën “Final 4”. AF Elbasani është në avantazh ndaj Vllaznisë këtë javë.

Nga pesë skuadrat e zonës së mbijetesës, cila prej tyre e ka më shumë mundësinë e fitores në këtë javë të 35-të?

Duke i parë të gjitha ndeshjet, ky ekuacion nuk zgjidhet këtë javë. Por vendimtare do jetë java e fundit, ku veçohet ndeshja Skënderbeu-Bylis. Duke e lexuar mirë kalendarin, të gjitha skuadrat e tjera janë më pak të kërcënuara në atë fund.

Janë 180 minutat e fundit të kampionatit, ku e presim ndryshimin në tabelën e renditjes?

Unë e pres këtë ndryshim tek zona “Final 4”, sepse pritet luftë e madhe për dy vëndet e para, një luftë që do vendosë shumë për Europën. Po ashtu, edhe në fundin e renditjes do kemi ndryshime, pasi luhen ndeshje përcaktuese.

Dy javë para mbylljes, cili është verdikti juaj paraprak për renditjen përfundimtare?

Ndoshta, fundi i tabelës do jetë një mundësi reale për pesë skuadra që të kapin synimin e sezonit, ti shpëtojnë rënies. Ato duhet të tregojnë cilësitë e gjithë kampionatit dhe eksperiencën. Janë dy javët ku nuk duhet të ndikojë presioni psikologjik.

90 minutat e dilemës ju përfundimtare

Duke qënë se sot luhen ndeshjet e javës së 35-të të Abissnet Superiore, skuadrat do kenë 90 minutat e zgjidhjes së dilemave në renditje, por jo përfundmitare. Skuadrat e zonës “Final 4” do ta trazojnë mes tyre renditjen, ndërsa Tirana e Teuta do “testojnë” njëra-tjerën për mbijetesë. Bylsi e Laçi ndoshta kanë 90 minutat përfundimtare të mbijetesës. Të gjitha janë në lojë në këto 180 minuta, të cilat duken si të largëta në një kohë të afërt.

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java 35

Të shtunën, 19 prill 2025

Bylis-Partizani                         15:30

Egnatia-Skënderbeu    15:30

Tirana-Teuta                15:30

(Në “Arena Kombëtare”)

Laçi-Dinamo               15:30

AF Elbasani-Vllaznia  15:30

RENDITJA       

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Egnatia                     34        58

2.Vllaznia                    34        55

3.Dinamo City             34        55

4.Partizani                   34        50

5.AF Elbasani              34        49

6.Teuta                        34        38

7.Skënderbeu              34        37

8.Tirana                       34        36

9.Bylis                         34        36

10.Laçi                        34        33

FSHF-KOKSH dhe Mosrespektimi i drejtësisë!

Në fakt, duhet thënë që në krye të këtyre rradhëve, se për KOKSH-in shqiptar, KAS-i ndërkombëtar në Lozanë nuk ekziston. Midis tyre, KOKSH dhe FSHF kanë hyrë në një debat pas ankimimit nga FSHF-ja sa u përket ndryshimeve statutore që kishin lidhje Asamblenë Zgjedhore të disa viteve më parë, KAS i Lozanës e vlerësoi të paligjshme Asamblenë e KOKSH-it, nga e cila doli bordi i ri drejtues i tij. Por kjo nuk e ka ndalur Komitetin Olimpik që të vazhdojë qetësisht punën, duke injoruar plotësisht FSHF-në. Si pasojë, kjo e fundit e ka bërë të ditur publikisht vendimin e saj për të bojkotuar Asamblenë e radhës të KOKSH-it që zhvillohet më 25 prill 2025. Por drejtësia shqiptare ka dalë mbi atë ndërkombëtare sportive, dhe ndaj mes këtyre institucioneve, drejtësia e munguar mban të ndezuar luftën dhe jo paqen. Tashmë mbetet të deklarohet zyrtarisht nga KOKSH-i se nuk e njeh KAS-in e Lozanës, i cili është institucion i drejtësisë sportive që respektohet në mbarë kontinentin tone, dhe më gjërë.

FIFA+ transmeton ndeshjet e Superiores pa pagesë

Tashmë është bërë publik lajmi se FIFA+ është platforma digjitale e FIFA-s e cila do të transmetojë sot të gjitha ndeshjet e Abissnet Superiore. Ata do të vijnë të gjitha pa pagesë për ndjekësit e elitës së futbollit shqiptar. Ndërkohë që FSHF-ja e njoftoi këtë që më 15 prill, duke bërë të ditur njëherësh për marrëveshjen e arritur me FIFA+. Tashmë të gjithë do të kenë mundësinë për të ndjekur sot javën e 35-të të Superiores shqiptare, ku llogaria që nevojitet për të përdorur FIFA+ nuk ka nevojë për kosto. Të gjitha takimet do të nisin sot në orën 15:30.