Vladimir Gjonaj: Ndryshimi i trajnerëve i ka penalizuar shumë skuadra

KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit Vladimir Gjonaj analizon rrugëtimin e kampionatit

 

Agron KAJA

Sigal


Të dielën, më 20 prill 2025, Kategoria e Parë mbyll fazën e tretë të këtij sezoni. Luhet java e fundit e kampionatit, e cila njëherësh përcakton të gjitha verdiktet, që  i dërgon një pjesë të skuadrave edhe në ndeshjet Play-off dhe Play-out. Ndërsa specialisti i futbollit, Vladimir Gjonaj, dje për gazetën “Telegraf” duke e analizuar gjithë këtë rrugëtim, e quajti një garë të bukur dhe me luftë sportive. “Duke parë se ende nuk është vendosur se cila skuadër do ngjitet bashkë me Vorën në Superiore, dhe se cilat skuadra do të luajnë në Play-off dhe Play-out, kështu kjo ka qënë një garë e bukur dhe me luftë sportive. Kjo tregon njëherësh se të gjitha skuadrat kanë zhvilluar kampionatin e tyre, dhe duke i marrë nga kreu në fund, të gjitha skuadrat kanë luftuar që të arrijnë synimet, por që nuk kanë mundur të gjitha të jenë aty ku kanë kërkuar. Gjithsesi, unë mendoj se është luajtur një kampionat me dinjitet”, kështu e nisi dje analizën e tij specialisti i futbollit Vladimir Gjonaj, i cili ka edhe leximin e tij profesional për tabelën e renditjes në 32 javët e luajtura. “Nga Vora te Erzeni, realisht është një renditje ku skuadrat ndodhen në ato pozicione për sa kanë dhënë në fushën e lojës. Por Vora mbetet ekipi më cilësor, me stabilitet në lojë dhe në rezultate, ndërsa Flamurtari vazhdon të jetë në ujrat e nënvleftësimit të skuadrave të vogla, sepse ka patur oshilacione. Por në këtë javë të fundit them se do jetë në luftë me Besën për vëndin e dytë që e ngjit direkt në Abissnet Superiore. Në futboll, një ekip del kampion kur fiton me skuadrat e vogla, kur trajnerët nuk ndryshohen brënda sezonit. De këtu çaluan vlonjatët. Ndërsa kavajasit kanë patur mundësi për më shumë, sepse është një skuadër që ka shumë vlera”. Për Gjonajn, pritshmëritë më të mëdha kanë qënë te Besa e Flamurtari, sepse Vora nuk pritej të ishte në kreun e renditjes. “Pritshmëria më e madhe ka qënë te Besa, sepse ajo u formatua në mënyrë të shkëlqyer, por harmonia nuk mundi të jepte gjithçka më të mirë, sikundër ishte shpirti i garës dhe profesionalizmi i Josës. Ndërrimi i trajnerit e dobësoi, e po kështu ndodhi me Flamurtarin. Parë kështu, java e fundit do veçohet edhe për disa verdikte në renditjen përfundimtare. Absolutisht që do ketë ndryshime në renditje, ku si kryendeshje do jetë Vora-Flamurtari. Sepse në këtë sfidë Flamurtari ka sezonin në këmbë të e tij, ndërsa Vora e ka si festë dhe fitoren e mendon për prestigj. Do më vinte keq që Flamurtari mos ngjitej në elitën e futbollit shqiptar, sepse kjo është një ndeshje me të treja rezultatet”, ishte kjo analiza e specialistit të futbollit, Vladimir Gjonaj.

KUPA E SHQIPËRISË

Këtë mesjavë luhen gjysmëfinalet e dyta

Dje, FSHF-ja ka caktuar ditët dhe oraret e dy ndeshjeve gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Komisioni i Ligave dhe Garave ka përcaktuar që takimet e dyta të zhvillohen, Partizani-Egnatia dhe Dinamo City-Vllaznia, të luhen të mërkurën, më 23 prill, në orën 19:00, ndërsa dy ekipet finaliste do të përballen më 1 maj. Në “Arenën e Demave” do të zhvillohet sfida Partizani-Egnatia, ku të kuqtë kanë hedhur një hap të sigurt drejt finales, pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë të luajtur në “Egnatia Arena”. Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur në këtë përballje të dytë. Ndërsa takimi tjetër gjysmëfinal, Dinamo City-Vllaznia, do të luhet në “Elbasan Arena” po në ora 19:00. Ndeshja e parë është mbyllur në barazim pa gola 0-0, ç’ka e bën këtë sfidë vendimtare për kualifikimin në finalen e madhe. Në sezonin e kaluar të këtij kompeticioni, Egnatia mundi 1-0 Kukësin dhe e fitoi për herë të dytë trofeun. Ky është edicioni i 73-të i Kukës së Shqipërisë në futboll.

Gjimshiti optimist: Në Milano për tre pikët

Të dielën në mbrëmje, Atalanta e Gjimshit luan në transfertë ndaj Milanit, por kapiteni kuqezi dje në një deklaratë mediatike i ka dhënë zemër skuadrës së tij, ku ai nuk i përjashton tri pikët. “Ndeshja e së dielës është si çdo ndeshje që llogaritet, dhe nuk mendoj se kjo sfidë ndaj Milanit është më e rëndësishme se të tjerat që janë luajtur. Pas humbjes me Interin, humbëm mundësinë që të synojmë titullin, por tani duhet të fokusohemi vetëm te tre pikët e radhës në Milano. Edhe Milani ka kualitete, madje sikundër Interi, ndaj mbetet skuadër e fortë, por jo e pamundur”. Ndeshja Milan-Atalanta mbyll sfidat e ditës së shtunë për javën e 33-të të Serisë A.

 

Nesër ka festë, ka edhe hidhërime!

Të dielën do të luhen ndeshjet e fundit të kampionatit të Kategorisë së Parë 2024-2025, ku java e 33-të do të përcaktojë të gjitha verdiktet e sezonit në këtë kategori. Në krye, Flamurtari e Besa do mësojnë renditjen përfundimtare pas rënies së bilbilit për mbylljen e 90 minutave. Ndërkohë që, Korabi është në dorën e Pogradecit për mbijetesën e tij. Në ndeshjet e tjera, disa skuadra do festojnë, të tjera edhe do hidhërohen. Janë 90 minutat e finishit 2024-2025.

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-Java 33

Të dielën, 20 prill 2025

Apolonia-Lushnja                   15:00

Erzeni-Kastrioti                       15:00

Kukësi-Burreli                                     15:00

Vora-Flamurtari                      15:00

Korabi-Pogradeci                    15:00

Valbona-Besa                          15:00

RENDITJA         

Skuadrat                    Nd       Pikë    

1.Vora                         32        76

2.Flamurtari                 32        72

3.Besa                         32        71

4.Burreli                      32        55

5.Pogradeci                 32        49

6.Apolonia                  32        44

7.Lushnja                    32        43

8.Korabi                      32        38

9.Kastrioti                   32        35

10.Kukësi                    32        28

11.Valbona                  32        16

12.Erzeni                     32        11