SPECIALE/ Sot sfida e dytë në Grupin E të eliminatoreve të “Euro 2024”, flet për “Telegraf” ish-mesfushori kuqezi Gilman Lika. Gjithçka në bilance e deklarata
Nga Agron Kaja
“Kombëtarja duhet të jetë shumë e motivuar në të dyja ndeshjet, me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, të marrë maksimumin. Mënyrën e lojës dhe vendosjen në fushë do ta bëjë trajneri, lojtarëve u bëhen detyrim fitoret”

Si një ish-futbollist i Kombëtares, si ndjeheni sot kur ju pyesin për skuadrën Kuqezi?
Natyrisht që është një ndjenjë në dukje e çuditshme, por në shpirt mbetet shumë e fortë. Tani që po më pyesni, njëherësh unë po ndjehem edhe krenar, që kam qenë e Kombëtares. Mendoj se ky është maksimumi për çdo futbollist.
Keni 10 vite i larguar nga Kombëtarja, sa i ndiqni zhvillimet e Kombëtares?
Pa diskutim që i ndjek zhvillimet e Kombëtares, edhe pse jo si dikur, por çdo ndeshje që zhvillon. Në Tiranë e shoh, ndërkohë që ndeshjet jashtë nëpërmjet ekranit të televizionit. Është emocion i veçantë.
Shqipëria ka luajtur vetëm një ndeshje në grupin E të Europianit, çfarë tregon kjo situatë?
Ne kemi luajtur vetëm një ndeshje me Poloninë dhe unë mendoj se nuk morrëm atë që merituam. Nga Varshava ne duhet të kishim dalë me barazim, sepse me lojën që zhvilluam, e meritonim një pikë, pse jo edhe fitoren.
Do të luajmë ndeshjen e dytë për Euro 2004, si ju duket skuadra para përballjes me Moldavinë?
Që në listën e paraqitur nga trajneri Sylvinjo, unë kisha besim se janë futbollistë që japin garanci. Luajnë në shtete me futboll të mirë, dhe me formën që kanë treguar duhet të luajnë si superiorë. Optimizmi i trajnerit është kurajo për lojtarët.
Nëse i referohemi ndeshjes me Poloninë, si mund të luajë Kombëtarja jonë?
Mendoj se në radhë të parë duhet të jetë shumë e motivuar që në ndeshjen me Moldavinë dhe në Ishujt Faroe, për të marrë maksimumin. Mënyrën e lojës dhe vendosjen në fushë do ta bëjë trajneri, lojtarëve fitorja u bëhet detyrim.
Mendoni se lojtarët e grumbulluar do garantojnë gjashtë pikë në dy ndeshje?
Unë nuk do t’i ndaj të dyja ndeshjet, sepse ato janë sfida që duhen vlerësuar si çdo ndeshje tjetër. Dhe nëse do të japin maksimumin, do të marrin padyshim gjashtë pikë. Kjo mbetet detyrim, ndryshe dalim nga loja e pretendimeve.
Pas Moldavisë luajmë në transfertë me ishujt Faroe, si e shikoni këtë sfidë?
Në fakt, ndeshjet duhen marrë me rradhë. Duhet të marrim fillimisht fitore me Moldavinë dhe pas saj shikohet situata në skuadër. Unë mendoj se trajneri ka grumbulluar lojtarë që japin garanci për të fituar edhe me Ishujt Faroe.
Nëse Kombëtarja merr gjashtë pikë në dy ndeshje, mund të hyjmë si pretendentë në Grupin E?
Pa diskutim që me dy fitore Shqipëria do të futet si skuadër pretendente në grupin E të këtij Europiani. Për kualifikim mendoj se duhet të marrim katër pikë me Çekinë dhe të fitojmë me Poloninë këtu në Tiranë.
Cili është parashikimi juaj për Shqipërinë më 20 nëntor 2023?
Dëshira ime është shumë e madhe, madje unë dua që të jemi të parët e grupit. Të kualifikohemi do të jetë një mrrekulli, jo vetëm për Kombëtaren, por për të gjithë shqiptarët.
EURO 2024
Ndeshjet-Grupi E
Janë luajtur
Datë 24 mars 2023
Rep. Çeke-Poloni 3-1
Moldavi-Ishujt Faroe 1-1
Datë 27 mars 2023
Poloni-Shqipëri 1-0
Moldavi-Rep. Çeke 1-1
Renditja
Skuadrat Nd Pikë
1.Rep. Çeke 2 4
2.Polonia 2 3
3.Moldavia 2 2
4.Ishujt Faroe 1 1
5.Shqipëria 1 0
Do të luhen
Ndeshjet e radhës
Datë 17 qershor 2023
Shqipëri-Moldavi 20:45
Ishujt Faroe-Rep. Çeke 20:45
Datë 20 qershor 2023
Ishujt Faroe-Shqipëri 20:45
Moldavi-Poloni 20:45
Ndeshjet e Shqipërisë
Datë 7 shtator 2023
Rep. Çeke-Shqipëri 20:45
Datë 10 shtator 2023
Shqipëri-Poloni 20:45
Datë 12 tetor 2023
Shqipëri-Rep. Çeke 20:45
Datë 17 nëntor 2023
Moldavi-Shqipëri 20:45
Datë 20 nëntor 2023
Shqipëri-Ishujt Faroe 20:45
DEKLARATA TË TRAJNERËVE
Sylvinjo (Shqipëria)
Do na shihni në fushë me 100 në orë
Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri i Kombëtares sonë, Sylvinjo, tregoi për mediat idetë e tij për sfidën me Moldavinë. “Jemi të mësuar me presionin, kemi 7 finale dhe nesër (sot) është e para me Moldavinë, ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Kemi një ndihmë të mirë, tifozët tanë dhe do ta kemi stadiumin e mbushur. Skuadra është mirë. Moldavia është e fortë, kanë lojtarë të mirë, por ne jemi të përgatitur, të karrikuar e nesër (sot) nuk do shihni ekipin tim, por Shqipërinë. Do na shihni në fushë me 100 në orë. Shumë faleminderit çuna!”.
Serghei Cleșcenco (Moldavia): Nuk erdhëm si të humbur në Tiranë
Një ditë para nisjes për në Shqipëri, trajneri i Moldavisë Serghei Cleșcenco, është shprehur se skuadra e drejtuar prej tij është e karikuar për sfidën në Tiranë, pasi e kanë studiuar mirë kombëtaren shqiptare dhe i njohin pikat e dobëta. Ai është shprehur se skuadra e tij mund të bëjë surprizën ndaj Shqipërisë. “Lojtarët vijnë në këtë grumbullim pak të lodhur, por janë të karikuar. E kam analizuar ndeshjen e Shqipërisë në Poloni dhe them se ka pika të dobëta ku ne mund t’i godasim dhe të fitojmë. Nuk shkojmë si të humbur në Tiranë”.