Xhani De Biazi: “Dua vendin e dytë”

548
Sigal

Trajneri i Kombëtares flet “IlSussidario.net”: “Mezi po e presin në Shqipëri ndeshjen me Norvegjinë”

Midis trajnerëve italianë, që janë “duke ndriçuar” jashtë është edhe Xhani De Biazi, i cili po e çon Kombëtaren e futbollit të Shqipërisë, në ato që ka të ngjarë të jenë rezultatet më të mira në historinë e “Shqiponjës” ballkanike. Shqipëria, në fakt, aktualisht ndodhet në vendin e dytë të klasifikimit në grupin E, me nëntë pikë pas pesë ndeshjesh, fryt i tre fitoreve dhe dy humbjeve. Shikoni klasifikimin: Zvicra 11 pikë, më pas e ndjekin me pikë të barabarta, dy surpriza si Islanda dhe Shqipëria, që për momentin lënë pas skuadra më të kuotuara si Norvegjia dhe Sllovenia. Në veçanti, për Shqipërinë ishte historike fitorja e marrë 22 marsin e kaluar në Norvegji, dhe të ëndërrojë kualifikimin e bujshëm për në fazën finale të Kampionatit Botëror në Brazil – apo të paktën një vend në ‘play-off’ – nuk është e ndaluar. Në qershor, Shqipëria do të presë pikërisht Norvegjinë, e nëse do të bëjë ‘bis’ mund të fillojë të ëndërrojë projekte ambicioze. Midis lojtarëve më të famshëm të Tiranës janë shumë protagonistë të kampionatit italian, si portieri i Kievos, Samir Ujkani; mesfushori i Lacios, Lorik Cana dhe i Torinos, Migjen Basha, sulmuesi i Sienës, Erjon Bogdani. Duke folur për portalin italian “IlSussidario.net”, Xhani De Biazi, i konsideroi pozitive rezultatet e deritanishme. Në dispozicion të Kombëtares janë dhe pesë ndeshje: dy në Shqipëri (me Norvegjinë dhe Zvicrën) dhe tre jashtë, në Islandë, Slloveni dhe Qipro

 – Si po shkon eksperienca juaj si trajneri i Shqipërisë?

– Rezultatet janë të mira. Kemi nëntë pikë, po aq sa Islanda, surpriza tjetër e grupit. Janë luajtur pesë ndeshje dhe janë për t’u luajtur po aq. Jemi në gjysmën e ndeshjeve në grup. Do t’i luajmë deri në fund mundësitë tona për të shkuar në Botëror.

– A është Zvicra skuadra më e fortë e grupit?

– Sigurisht është formacioni teknikisht më i vlerësuar, favorite për kualifikim direkt. Ne do të jemi të kënaqur nëse do të arrinim në “play-off” si vendi i dytë.

– Keni një ndeshje thuajse vendimtare, më 7 qershor në shtëpi kundër Norvegjisë…

– Të fitonim do të ishte shumë e rëndësishme, po e presin me padurim atë ndeshje në Shqipëri. Në çdo rast njerëzit janë të kënaqur me rezultatet e ekipit Kombëtar. Ka shumë entuziazëm.

– Si keni mundur të ndërtoni një Kombëtare në nivel të mirë teknik?

– Kemi shkuar të kërkojmë lojtarët më të mirë shqiptarë në të gjithë Europën dhe i kemi bërë bashkë.

– A mund të na tregoni një lojtar të nivelit të lartë në Shqipëri?

-Jo, nuk do të kishte kuptim. Preferoj të mos them emra.

Eliminatoret “Brazil 2014”

GRUPI E

RENDITJA

Ekipi           N         P

1. Zvicra       5         11

2. Shqipëria    5         9

3. Islanda      5          9

4. Norvegjia    5         7

5. Qipro        5         4

6. Sllovenia    5         3

NDESHJET E SHQIPËRISË

2012

Shqipëri-Qipro       3-1

Zvicër-Shqipëri            2-0

Shqipëri-Islandë           1-2

Shqipëri-Slloveni    1-0

2013

Norvegji-Shqipëri    0-1

Shqipëri-Norvegji    07.06

Slloveni-Shqipëri    06.09

Islandë-Shqipëri           10.09

Shqipëri-Zvicër      11.10

Qipro-Shqipëri       15.10

TRI FITORET E DE BIAZIT

 Shqipëri-Qipro 3-1

Fitorja ndaj Qipros (3-1) ishte para në eliminatoret e Botërorit, e arritur me Xhani De Biazin në bankinë. Ndeshja u luajt, më 7 shtator 2012 dhe ishte e vlefshme për eliminatoret e “Brazil 2014”. Armando Sadiku (36’), Edgar Çani (84’) dhe një supergol i Erjon Bogdanit (87’). Golin e vetëm për qipriotët e shënoi Vinsent Laban (45+5).

 Shqipëri-Slloveni 1-0

Pas dy humbjeve rresht: 2-0 me Zvicrën në Gjenevë dhe 2-1 me Islandën në Tiranë, Kombëtarja u rikthye te fitorja, duke mposhtur 1-0 Slloveninë në “Qemal Stafa”. Gjithçka u vendos nga një gol i bukur i mesfushorit të FSV Frankfurtit, Odise Roshit në minutën e 37-të të takimit. Një fitore nën siglën e trajnerit Xhani De Biazi.

 Norvegji-Shqipëri 0-1

Fitorja 1-0 ndaj Norvegjisë në “Uleval” të Oslos, falë një supergoli të realizuar nga Hamdi Salihi në minutën e 67-të, bëri bujë në Europë dhe e çoi Shqipërinë në vendin e dytë në grup. Kjo ishte dhe fitorja  e dytë që Shqipëria ka arritur në transfertë, pas asaj 1-0 kundër Kazakistanit në Almaty (trajner Hans-Peter Brigel).

Prodani: “Kompleksi i Partizanit, gati pas tre muajsh”

 Partizani do të ketë kompleksin e tij stërvitor, në parametrat e klubeve europiane. Në sezonin e ardhshëm kategorisë superiore do t’i shtohet një emër i madh i futbollit shqiptar, Partizani, që prej katër vitesh është rropatur mes peripecish të shumta në kategoritë më të ulëta. Projekti që kanë aksionarët e skuadrës së kuqe, Lulzim Sallaku dhe Gazmend Demi, për ta ngritur Partizanin në nivelet më të larta është shumë ambicioz, dhe bazohet në ndërtimin e një klubi bashkëkohor, ku gjithçka nis me ndërtimin e një infrastrukture moderne disa kilometra në periferi të Tiranës, pikërisht në Bërzhitë. Trualli ku do të ketë shtëpinë Partizani i së ardhmes, edhe pse për momentin është thjesht një kantier ndërtimi, sipas drejtorit të përgjithshëm të të kuqve, Eduard Prodani, do të jetë funksional pas tre muajsh, pasi lidhet edhe me ecurinë e punimeve të rrugës Tirana–Elbasan.

 “Rruga” për në Europë e Teutës kalon nga Laçi

 Java e parafundit e Kategorisë Superiore ngre siparin këtë sot me sfidën Teuta-Laçi, që do të zhvillohet në orën 17:00 në “Niko Dovana”, ku vendasit do të kenë si objektiv vetëm fitoren, për siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm. Formacioni i Gugash Maganit mbetet ndjeshëm i favorizuar për të marrë maksimumin e pikëve pasi do të ketë përballë një kundërshtar pa synime në kampionat dhe që e ka përqendruar vëmendjen vetëm në finale e Kupës së Shqipërisë. Përtej këtij fakti, mesfushori Emiljano Veliaj, thekson se futbollistët e Teutës nuk e kanë ulur aspak ritmin, për të mos i lejuar vetes një rezultat të pakënaqshëm. Sipas Veliajt, takimi vendimtar që i dha Kukësit vendin e dytë është përplasja direkte në Niko Dovana, që përfundoi në barazim 1-1. Në takimin e fundit të sezonit, Teuta do të luajë në transfertë me Tomorin, skuadër që ka rënë matematikisht në Kategorinë e Parë.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA 25

Sot, 03.05.2013

Teuta-Laçi

Nesër, 04.05.2013

Skënderbeu-Luftëtari

Kastrioti-Kukësi

Flamurtari-Vllaznia

Besa-Apolonia

Tirana-Bylis

Shkumbini-Tomori

RENDITJA

1    Skënderbeu      24   +29  55

2    Kukësi          24   +20  46

3    Teuta           24   +10  45

4    Flamurtari      24   +14  42

5    Tirana          24   +6   39

6    Laçi            24   +2   37

7    Vllaznia        24   +4   35

8    Kastrioti       24   -5   34

9    Besa            24   -3   30

10   Bylis           24   +4   29

11   Shkumbini       24   -17  23

12   Luftëtari       24   -18  19

13   Tomori          24   -22  16

14   Apolonia        24   -24  11

Gjatë zborit stërvitor një javor në Zvicër mund të luhet edhe një ndeshje miqësore kundër Turqisë

 Kuqezinjtë, grumbullim në Zvicër

 Në FSHF prej ditësh, drejtuesit e ekipeve kombëtare, po merren me detajet e përgatitjeve për sfidën kyçe të eliminatoreve të botërorit Brazilian kundër Norvegjisë. Ndeshja e parashikuar për tu luajtur me 7 qershor në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” do të vendosë në një masë të konsiderueshme për objektivat e kuqezinjve në këtë edicion. Fitorja e fundit në Oslo ka rritur në maksimum optimizmin e tifozerisë shqiptare, por njëkohësisht edhe përgjegjësinë e stafit teknik dhe futbollistëve për një paraqitje pozitive. Nisur nga të gjitha këto dhe të diktuar nga fakti, se pjesa më e madhe e futbollistëve kandidatë për tu grumbulluar për këtë ndeshje, e përfundojnë sezonin në mesin e muajit Maj, është menduar zhvillimi i një zbori stërvitor një javor në Zvicër, si dhe janë në tratativa për një miqësore kundër Turqisë për datën 1 Qershor. Për këto plane pritet një konfirmim zyrtar, por një kompani e specializuar, e njëjta që mundësoi zhvillimin e miqësores me Kamerunin, po merret me detajet e këtyre marrëveshjeve. Ndërkohë i sigurt është fakti se java e fundit e përgatitjeve do të zhvillohet do të zhvillohet si zakonisht në kompleksin “Tropikal”. Për ndeshjen ndaj Norvegjisë kanë menduar gjithashtu edhe një pjesë e madhe e tifozerisë, të cilët të organizuar në grupime, apo si pjesë e institucioneve prej ditësh kanë prenotuar biletat për një prezencë në stadiumin “Qemal Stafa”

   Alban Meha: “Nder i madh të luaj për Kombëtaren!”

 Mesfushori i Paderbonit dhe i Kombëtares shqiptare, Alban Meha, ishte i ftuari i faqes zyrtare të klubit gjerman, Dinamo e Drezdenit, para sfidës së sotme të vlefshme për Bundesligën 2. Natyrshëm, që nuk mund të mungonin pyetjet për 27-vjeçarin edhe për Kombëtaren shqiptare, si dhe për golin e tij të rrallë nga 35 metra në fitoren 4-1 kundër Lituanisë. Meha është në listën e të grumbulluarve të Xhani De Biazit për ndeshjen shumë të rëndësishme me Norvegjinë. Albani është specialist i goditjeve standarde.

 – Alban, në shtatorin e vitit të kaluar ti bërë debutimin me ekipin Kombëtar të Shqipërisë dhe menjëherë shkëlqeve me pasimet e tua. Çfarë mendove kur more telefonatën nga trajneri Xhovani De Biazi, dhe ai të tha që ti do të ftoheshe në Përfaqësuese?

– Unë isha shumë krenar dhe jam gëzuar si i çmendur. Veçanërisht, për faktin se nuk ishte edhe shumë e vetëkuptueshme, që në moshën thuajse 26-vjeçare të thirresha ende në Kombëtare.

– Në ndeshjen e fundit me Kombëtaren ti munde të shënosh edhe golin tënd të parë, me një gjuajte të lirë, çka është dhe specialiteti tënd. A ka nevojë për shumë ushtrime, që të tilla gjuajtje standarde të përfundojnë gjithmonë në portë?

– Po këtë mund ta them. Qysh në rininë time e kam ushtruar shpesh në stërvitje goditjet e lira dhe teknika ime e gjuajtjeve u përmirësua. Nga kjo unë po përfitoj shumë sot.

– Nga Tobias Kembe kemi mësuar që, ju te Padeborni jeni ushtruar shpesh së bashku. Atëherë kush është goditësi më i mirë?

– Pyetja është natyrisht paksa ngacmuese. Këtë do ta shohim të premten në mbrëmje.

Ekipi tënd ka tri javë përpara përfundimit të kampionatit tetë pikë larg vendit që bie nga kategoria. Si mendon ti për ecurinë tënde me Padebornin?

– Ne kemi pasur ngritje dhe ulje në këtë sezon. Nëse do të kishim marrë gjashtë apo shtatë pikë më shumë, çfarë ishte dhe e mundur, atëherë do të ishte shumë bukur.

– Të premten stadiumi i Drezdenit do të jetë sërish plotësisht i shitur. Çfarë pret ti nga ndeshja kundër Dinamos?

– Gëzohem shumë që ndeshja do të zhvillohet në një atmosferë të mrekullueshme. Besoj se do të jetë një ndeshje e mirë, pasi Dinamo ka nevojë patjetër për pikë, por dhe ne duam të marrim diçka nga ky udhëtim.