Prof. Asoc. Ilia Larti: Me internetin rinia është bërë më e mbyllur, më indiferente, brenda kafeneve, larg librit dhe marrëdhënieve miqësore

61
Sigal

-Interneti ka hapur një derë të madhe për rininë, por ka shuar mundësimin e komunikimit, dhe ballë për ballë

Platformat e mediave sociale shpërqëndrojnë individin nga ndërveprimet sociale me përmbajtjet e tyre.

-Temat e bisedave mund të jenë më sipërfaqësore, të drejtojnë drejt përgjigjeve të shkurtra dhe pa substancë.

-Shenjat joverbale janë më të vështira për t’u dalluar, të cilat mund të çojnë në mosmarrëveshje dhe keqkuptime.

Njerëzit brendësisht janë qenie sociale, qenie, të cilat kanë nevojë të shoqërizohen me njerëz të tjerë dhe të qëndrojnë në komunitet. Komunikimi është një nga shtyllat më të rëndësishme në socializimin midis njerëzve, por dekadat e fundit kanë sjellë ndryshime të reja në këtë pjesë. Tashmë, komunikimi mund të bëhet nëpërmjet internetit dhe distanca nuk përbën më problem. Edhe pse interneti ka hapur një derë të madh për mundësimin e komunikimit, ka disa ndryshime rrënjësore midis komunikimit online dhe ballë për ballë, çka ndikojnë në kualitetin e jetës. Ato përfshijnë: socializimi online merr kohë nga socializimi ballë për ballë, çka mund të çojë në degjenerimin e aftësive sociale për t’u përfshirë në ndërveprime me të tjerët; ndërveprimet online mund të promovojnë angazhimin pasiv, ku platformat e mediave sociale shpërqëndrojnë individin nga ndërveprimet sociale me përmbajtjet e tyre; temat e bisedave mund të jenë më sipërfaqësore, të drejtojnë drejt përgjigjeve të shkurtra dhe pa substancë; shenjat joverbale janë më të vështira për t’u dalluar, të cilat mund të çojnë në mosmarrëveshje dhe keqkuptime; dhe shumë të tjera. (Plumridge, 2020).

Në një studim të kryer mbi studentët e një universiteti në Malajzi, u kërkua të konfirmohej nëse përdorimi i mediave sociale ndikonte mbi aftësitë e komunikimit të tyre. Me ndihmën e një pyetësori, 93 studentë u pyetën mbi orët që kalonin në media sociale dhe aftësitë e tyre komunikative, dhe u pa që sa më shumë të rritej koha e kaluar në internet, aq më shumë uleshin aftësitë për të komunikuar. (Rahman, 2014, fq. 213-219). Kjo përbën shqetësim për brezin e ri, që është i rrethuar nga platforma të ndryshme mediash, të cilët në të ardhmen do të jenë në pozicione të veshtira në ambiente profesionale por dhe personale.

Identiteti dhe perceptimi i vetes

Mediat sociale nuk ndikojnë vetëm në aftësitë komunikative, por gjithashtu dhe në mënyrën se si perceptohet vetvetja dhe imazhi i trupit. Platformat e mediave sociale promovojnë një perfekte të përdoruesve të tyre, me ndihmën e mjeteve filtruese të cilat krijojnë një iluzion për konsumatorët e tyre. Këto mjete filtruese ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin vetjak të individit, çka sjell dëmtim të imazhit dhe identitetit të formuar për veten. Disa efekte negative përfshijnë: krahasimi konstant mes vetes dhe të tjerëve, standarde të bukurisë të paarritshme natyralisht, dhe bullizmi virtual ose cyberbullying nëse vlerësohesh ndryshe nga standardi. (Lim et al., 2023).

Formimi i identitetit online dhe presioni për t’u përshtatur janë çështje të rëndësishme më të cilat brezi i ri përballet, përfshirë studentët. Ndërkohë që studentët angazhohen me platformat e mediave sociale, ata shpesh formojnë personalitete, ose “online persona”, në mënyë që tu përshtaten normave dhe pritshmërive sociale. Një studim ka zbuluar se nevoja për të mbajtur një identitet tërheqës në internet mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin mendor, duke çuar në probleme të tilla si vetëvlerësim i ulët dhe rritja e vulnerabilitetit ndaj presionit të të tjerëve.

Dëshira për pranim në internet mund t’i shtyjë personat të portretizojnë veten në mënyra që të

mbledhin ndjekës dhe komente, ndonjëherë duke shpërfillur identitetin e tyre të vërtetë

Shpesh, në platforma online që kanë si qëllim bisedimin me të tjerët, njerëzit mund të krijojnë një identitet tjetër duke përfituar nga anonimiteti që ofron platforma. Për shembull, një person i cili është më introvert në jetën e tij të përditshme, mund të marrë përsipër një identitet ekstroverti kur është online. Këto mospërputhje midis çka tregohet në internet dhe çka tregohet jashtë tij mund të krijojë konfuzion mbi personalitetin vetjak. Shumë studime kanë treguar se individet të cilët janë të varur ndaj lojërave në internet e vlerësojnë veten më negativisht se bashkëmoshatarët e tyre.

Komuniteti dhe Përkatësia 

Siç u përmend më parë, njerëzit brendësisht janë qenie sociale, të cilët kërkojnë komunitete për aspekte të ndryshme të ekzistencës së tyre. Në këtë epokë dixhitale, studentët të cilët kërkojnë një komunitet tjetër nga ai familjar, i kthehen internetit për të gjetur atë që dëshirojnë. Në shumë mënyra, gjetja e grupeve me të njëjtat interesa online është diçka e thjeshtë dhe e shpejtë, që tregon arsyen pse studentët preferojnë këtë mënyrë. Në një studim të bërë në Dubai, u gjet se studentët kërkonin më shumë përgjigje për pyetjet e tyre akademike nga komunitetet online se sa në librat e ofruar të bibliotekave të shkollave. Ata vëzhguan se si studentët kërkonin një zgjidhje të shpejtë të problemeve të tyre dhe në të njëjtën kohë mësonin nga eksperiencat e anëtarëve të tjerë në komunitetet që merrnin pjesë. (Akre et al., n.d., fq. 570- 583). Por, ndjenja e përkatësisë në komunitetet virtuale kundrejt atyre fizike mund të ndryshojë shumë, duke ndikuar në mirëqenien sociale dhe emocionale të studentëve. Në komunitetet online, studentët mund të lidhen me bashkëmoshatarët e tyre që kanë interesa dhe eksperienca të ngjashme, duke kapërcyer kufijtë gjeografikë. Megjithatë, këtyre lidhjeve mund t’u mungojë thellësia dhe autenciteti i ndërveprimeve ballë për ballë. Komunitetet fizike, si mjediset shkollore ose klubet e ndryshme studentore, ofrojnë më shumë mundësi për komunikim spontan, shenja joverbale, dhe lidhje më të thella emocionale. Prania fizike në një hapësirë të përbashkët shpesh nxit një ndjenjë më të forte përkatësie dhe mbështetje të komunitetit.

Ndërhyrja Edukative

Në epokën dixhitale, përfshirja e ndërgjegjësimit dixhital në programin mësimor universitar është thelbësore për të përgatitur studentët për kompleksitetin dhe mundësitë që jep bota moderne. Ndërgjegjësimi dixhital përfshin një gamë të gjerë kompetencash, duke përfshirë aftësinë për të përdorur mjetet dixhitale në mënyrë efektive dhe të kuptuarit e privatësisë dhe sigurisë së të dhënave. Për t’ju qasur kësaj nevoje, universitetet mund të zhvillojnë programe gjithëpërfshirëse të ndërgjegjësimit dixhital, që të integrohen në programin mësimor bazë. Këto programe mund të fillojnë me tema hyrëse, si aftësitë bazë kompjuterike, navigimit në internet, etj., dhe më pas tema më të avancuara, si siguria kibernetike, gjurma dixhitale, dhe përdorimi etik i teknologjisë. Kjo qasje siguron që studentët jo vetëm të jenë të aftë në përdorimin e mjeteve dixhitale, por gjithashtu të njohin dhe të jenë të vetëdijshëm mbi ndikimet që mund të kenë veprimet e tyre dixhitale. Duke futur arsimimin dixhital në programin mësimor, universitetet mund të krijojnë një kulturë të të mësuarit dhe përshtatjes së vazhdueshme, duke i përgatitur studentët për këtë epokë të re. Mbështetja e studentëve gjatë kësaj kohe mund të jepet nëpërmjet menaxhimit efektiv të kohës dhe promovimit të zakoneve të shëndetshme dixhitale. Përfshirja në pajisjet dixhitale dhe burimeve të shumta të internetit, megjithëse është shumë e dobishme, mund të çojë në shpërqëndrime dhe menaxhim të dobët të kohës nëse nuk merret seriozisht. Universitetet mund të luajnë një rol kyç në mësimin e studentëve se si të balancojnë përgjegjësitë e tyre akademike me jetën e tyre dixhitale. “Workshop”-et apo leksione dhe seminare të fokusuara në menaxhimin e kohës mund t’i ndihmojnë studentët t’i japin përparësi detyrave, te vendosin qëllime realiste, dhe te zhvillojnë rutina ndihmuese të studimit. Mjete të tilla si kalendarët dixhitalë dhe aplikacione për produktivitetin mund të futen për të ndihmuar studentët me mbingarkesën me të cilën përballen. Për më tepër, promovimi i zakoneve të shëndetshme dixhitale është thelbësor për ruajtjen e mirëqenies të studentëve. Kjo përfshin edukimin e tyre për rëndësinë e marrjes së pushimeve të rregulta nga koha që kalojnë para ekranit dhe praktikimin e ndërgjegjshëm të teknologjisë.