Sot luhet “El Classico”, spektakël apo gola?! Sfida po “tundon” globin

717
Nga Agron KAJA
REAL MADRID-BARCELONA/ Në “Santiago Bernabeu” të Madridit, bota “mban frymën”, ja historia, bilancet, yjet në fushë e jashtë saj
Ka ditë që “El Clasico” ka filluar nxehjen jashtë fushe. Në Spanjë dhe jo vetëm, këtë javë është harruar pavarësia e Barcelonës, e tashmë sy e veshë janë nga dita e shtunë, ku në orën 13:00 do të luhet sfida e 232-të në historinë e përballjes Real Madrid-Barcelona, e 123-ta që luhet në Madrid. Është tërheqëse kjo ndeshje, jo vetëm se janë dy skuadra nga më të mëdhatë në futbollin spanjoll dhe atë botëror, por edhe për faktin se në përbërjen e tyre kanë qenë yjet më të mëdhenj të topkëmbës botërore. Dhe pritja soset sot, në orën 13:00, ku Kristiano Ronaldo do të jetë përballë Mesit, në betejën e madhe që këta dy lojtarë të mëdhenj do ta mbyllin luftën mes tyre për vitin 2017, të cilit i kanë mbetur vetëm pak ditë që zyrtarisht të mbyllë fletën e fundit të kalendarit të tij. Përballja Real Madrid-Barcelona, dhe anasjelltas, është një garë maratonë mes tyre, e cila nesër do të ketë sprintin e fundit në stadiumin “Santiago Bernabeu”, por edhe për faktin se vijnë në kuotë të barabartë golash gjatë vitit 2017, 53 të shënuar. Por shenja e barazimit në këtë “El Clasico” mbetet edhe për trofeun “Topi i Artë”, për “Këpuca e Artë”, pa harruar dhe trofetë e Ligës së Kampioneve. Tashmë këto dy skuadra duket se fati i ka lidhur pashmangshmërisht bashkë, dhe beteja për të mposhtur njëri-tjetrin vazhdon, këtë herë edhe më e fortë. Nga ana e tij Kristiano Ronaldo ka pasur një vit më të suksesshëm se argjentinasi Lionel Mesi, në planin e trofeve me klubin dhe ata individualë, ndaj ky mund të quhet si prioriteti i tij nga sfidantit kryesor në fushën e lojës. Gjithçka që këta dy futbollistë të mëdhenj kanë treguar në dekadën e fundit, kanë bërë që pa ata të mos kuptohet një “El Clasico” e madhe. Ronaldo dhe Mesi, janë përballë tyre që nga viti 2009, me një rivalitet që ka sjellë duele të mëdha, por edhe pse klasikja e së shtunës do të ketë shumë yje, sërish fokusi i kamerave do të jetë tek ata të dy. Ndërkohë që shifrat tregojnë se sa të rëndësishëm janë Ronaldo për Realin në “Camp Nou”, dhe Mesi për Barçën në “Bernabeu”. Sepse kur Ronaldo luan, Reali fiton 75.36% të ndeshjeve, dhe kur Mesi është në fushë në anën tjetër, përqindja e fitores së katalanasve është 75.63. Kur Kristiano shënon, Reali fiton në 89.53% të rasteve. Sa herë e bën rivali i tij, Barcelona del me 3 pikët në 88.94% të ndeshjeve, e nga ana tjetër, Ronaldo ka dalë fitimtar 10 herë, ndërsa Mesi ndaj tij 15 herë. Në gjithë historinë e përballjeve mes tyre, kjo është hera e parë që ata vijnë në një barazi të tillë që prej nisjes së betejës së përjetshme një dekadë më parë.
Sot Real Madrid-Barcelona, do të jetë përballja e 34-ët mes Kristiano Ronaldos që i ka shënuar katalanasve 18 herë, ndërsa Mesi u ka shënuar madrilenëve 20 herë. Njëherësh, Klasikja e sotme do të shikohet në të gjithë botën, edhe sepse ato kanë në gjirin e tyre dy lojtarët më të mirë të planetit, dominues të kësaj epoke
REAL MADRID DJE
Në prag të sfidës së sotme me Barcelonën, Ronaldo alarmon Realin, pasi sulmuesi portugez nuk është stërvitur me skuadrën për gati tri ditë. Diçka që ka ngritur pikëpyetje të mëdha në mediat spanjolle për prezencën e tij në këtë duel vendimtar për fatin e sezonit. Por telashet për Realin nuk përfundojnë këtu. Edhe Luka Modriç nuk është stërvitur me grupin, ndërsa mjekët e skuadrës janë optimistë.
BARCELONA DJE
Ditën e djeshme, skuadra e Barcelonës u rikthye në stërvitje për të përgatitur ndeshjen kundër Realit të Madridit në qendrën stërvitore “Sant Joan Despi”. Ernesto Valverde drejtoi një stërvitje me dyert të mbyllura për të gjithë skuadrën me përjashtim të të dëmtuarve Umtiti, Deulofeu, Alkaser, Arda Turan dhe Hordi Alba. Ky i fundit ishte risia e ditës, pasi ka bërë stërvitje i veçuar dhe jo me skuadrën.
Në “El Clasico”, janë nëntë më të mirët e shekullit
Para disa ditësh, si për ta bërë edhe më të afërt sfidën Real Madrid-barcelona, UEFA ka publikuar formacionin më të mirë të shekullit. Duke iu referuar këtij formacioni, natyrisht që Real Madrid dhe Barcelona dominojnë futbollin Evropian këto vitet e fundit, ndaj dhe UEFA i ka “shpërblyer” duke vendosur shumë yje te El Clasico-s. Formacioni sipas UEFA-s është në renditjen taktike 1-4-3-3: Kasijas, Lahm, Pyjol, Pike, Ramos, Ksavi, Iniesta, Zherard, Henri, Mesi, Ronaldo. Portugezi është radhitur 11 herë në formacionin e UEFA-s, i ndjekur nga Mesi 8 herë, e më pas vijnë Kasijas, Pyol, Ramos dhe Iniesta me nga 6 herë.

GOLASHËNUES NË “EL CLASICO”
Lojtari Skuadra Gola
1. Lionel Mesi Barcelona 24
2. Di Stefano Real Mdrid 18
3. K. Ronaldo Real Madrid 17
4. R. Gonzales Real Madrid 15
5. Ç. Rodrigue Real Madrid 17
6. F. Puskash Real Madrid 14
7. Paco Gento Real Madrid 14
8. Karlo Alonso Real Madrid 12
9. J. Samitier Barcelona 10
10. H. Sançez Real Madrid 10
Fitoret Ronaldo-Mesi
Fitoret Ronal. Mesi
Champions 3 2
Kupa 2 5
Superkupa Sp. 2 5
Superkupa Eu. 3 3
Botëror Klube 3 3
10 yje në “El Clasico”, kanë veshur të dyja fanellat
Përtej rivalitetit që kanë mes tyre Real Madrid-Barcelona, ka shumë lojtarë që i kanë veshur të dyja fanellat, duke i përjetuar emocionet nga dy krahë të ndryshëm. Në Top Listën, ka “Topa të Artë”, ka fitues të Ligës së Kampioneve, të Ligës së Evropës, ndërsa sot ka përfaqësues nga 4 kontinente (Evropa 38, Amerika e Jugut 6, Amerika e Veriut 1 dhe Afrika 1). Futbollistët që sot janë në përbërje të skuadrave që do të luajnë “El Clasico”-n e 232-të, vijnë nga 14 shtete të Botës, por lista e atyre që i kanë veshur të dyja fanellat, tregon se aty yjet e Botës kanë bërë karrierën e jetës sportive.
Sigal