Suplementi Pena Shqiptare/ “Mjeshtri i Madh” Kujtim Gjonaj: Ju tregoj për Rilindësin, Josif Bagerin

761
Albert Z. ZHOLI
INTERVISTA/ Flet “Mjeshtri i Madh”, Kujtim Gjonaj: Jeta e Bagerit si e Isa Boletinit, Muço Qullit, Çerçiz Topulli që vriten pabesisht nga forcat malazeze
Filmi dokumentar për rilindësin Josif Bageri
Josif Bageri u lind më 15 gusht të vitit 1870 në Nistrovë të Rekës së Madhe, (asokohe Malësia e Dibrës se Madhe, kurse tani i takon komunës së Mavrovës dhe Radushës) në kohën kur lëvizjet e mëdha çlirimtare kishin marrë hovin e zhvillimit, kur popullit i nevojiteshin intelektualë dhe atdhetarë të tillë. Vitet e rinisë se hershme i kaloi në vendlindje, i angazhuar si bari i varfër. Për shkak te rrethanave të prapambetura ekonomike, sociale e arsimore, Josifi nuk pati mundësi që të vijojë ndonjë shkollë, edhe pse, qysh në fëmijëri shfaqte interesim, dashuri e dhunti për arsimim. Në vitin 1887, në moshën 17 vjeçare, për shkak të varfërisë së rëndë, emigroi në Sofje të Bullgarisë. Krahas punës se rëndë fizike, u angazhua edhe në lëvizjen kombëtare çlirimtare kundër pushtuesit. Frymëzimet e para për të zënë dituri krijuese i kishte nga Dhimitër Mole i Korçës. Dhimitrin e takonte në dyqanin e tij në Sofje. Ai dyqan, njëherësh shërbente edhe si pikë takimi dhe organizimi e patriotëve shqiptarë. Ndodhte kështu sepse Dhimitri sillte libra dhe gazeta nga Bukureshti dhe mbrëmjeve u mësonte mërgimtareve të interesuar shkrim dhe lexim të gjuhës shqipe. Pra, Josifi, për herë të parë, vullnetarisht, në moshë 17 vjeçare, mëson shkrim e lexim nga Dhimitër Mole.
Josif Bageri

-Kush ishte shtysa që të merrje një nismë të tillë për një film të një figure kaq të humbur në Maqedoninë shqiptare?
Josif Bageri me të vërtetë është një figurë që nuk është përmendur aq sa duhet, por motive nga më të ndryshmet. Është larguar nga kjo jetë 100 vjet e më parë. Por nuk mund të thuhet në kuptimin klasik të fjalës të harruar, se në vitin 1982 një autor shqiptar Rruzhdi Mata ka bërë një libër për të. Më pas rreth viteve 1985-86 regjisori i televizionit shqiptar Xhelil Aliu ka bërë një emision me titull “Heroizmi i popullit tonë ndër shekuj”. Ndaj nuk mund të themi fjalën i harruar, por nuk është kujtuar me vlerësimin dhe përkushtimin e duhur ndaj kësaj figure. Ishte një rastësi e pranueshme dhe e këndëshme takimi me shkrimtaren dhe me poeteshën Miradie Maliqi gjatë xhirimeve të filmit “Margarita”, ku zë fill miqësia jonë, dhe po aty zë fill edhe dëshira e saj dhe dëshira ime për të bërë një film për këtë figurë. Këtu zë fill mendimi për të realizuar një dokumentar për këtë figurë ortodokse shqiptare të Maqedonisë. Është një figurë sa komplekse aq edhe interesante. Një figurë me jetë mbushur plot sakrifica. Një figurë mbushur plot dëshpërime dhe hidhërime. I vritet djali në moshën 16-vjeç në luftë kundër osmanëve, turqve nuk është e pakët, apo vështirësi të tjera që sillte jeta e trazuar e asaj kohe. Zanafilla për ta realizuar këtë film e ka te znj. Meridie në bashkëpunim dhe me një kolegen tonë skenaristen Angjelina Xhara, ku të tre u bashkuam dhe filluam hap mbas hapi të hulumtojmë dhe të kërkojmë materiale dhe të dhëna për këtë figurë të ndritur të Rilindjes sonë Kombëtare.

-Kush janë të veçantat e figurës?
E veçanta e figurës së Josif Bagerit, duhet thënë se është një patriot, rilindës, autodidakt që me shumë vështirësi në moshë madhore mëson gjuhën shqipe, në moshën 16-17 vjeç. Kishte shumë dëshirë të shkonte në shkollë edhe pse me shumë vështirësi ekonomike dhe të zonës ku familja e tij nuk pati mundësi që ta shkollojë. Ai arrin që të shkollohet në moshën 16-17 vjeç. Me këtë shkollim autodidakt ai arrin që të bëhet një nga figurat më qendrore të shtypit të rilindjes kombëtare, në një gazetë shqipe në Sofje. Gazeta quhej “Shqipja e Shqipnisë”, ose gegërisht “Shqype e Shqypnisë” në vitin 1909 deri në vitin 1912. Në kohën kur të gjitha territoret shqiptare ishin të gjitha të zëna nga perandoria osmane. Të arrish të nxjerrësh një gazetë pa asnjë lloj ndihme ekonomike ishte e vështirë. Ai ditën punonte si këpucar fitonte lekë për të mbajtur familjen dhe ndërkohë fitonte edhe të ardhura për të botuar dhe për të nxjerrë gazetën. Ai kishte 6 fëmijë.

-Pas mbylljes së gazetës ku u vendos?
Më pas shtyp gazetën “Oshëtima e Krujës”, ku në atë gazetë ai ishte kryeredaktor (në vitin 1914 në Shqipëri). Josifi ka banuar kudo në Sofje, Shkup, Tetovë në vendlindje ku kishte një pjesë të vendlindjes. Një moment shumë interesant në jetën e Bagerit është takimi dhe dashuria e tij sublime për Naim Frashërin. Ai kishte dëgjuar shumë për Naim Frashërin, ishte frymëzuar nga vepra e Naim Frashërit, dhe në prag të vdekjes së Naim Frashërit, ku Naimi ishte shumë i sëmurë ai shkon në Stamboll për ta takuar. Takimi i tyre ishte shumë mbresëlënës dhe tepër i dhimbshëm dhe tepër emocional. Nga ky takim kur ikën nga kjo jetë mendje ndrituri Naim, ai bën vjershën e famshme “Para fytyrës së Naim Frashërit”. Bëhet fjalë nga viti 1899. Frymëzuesi i tij i veçantë është Naim Frashëri dhe sidomos poezia e tij “Lulet e verës”. Është një lëvrues siç del edhe gjatë filmit, një lëvrues i shquar i gjuhës shqipe, një njeri i pasionuar për mësimin e gjuhës shqipe ku vrapoi në krahinën e Tetovës, Kumanovës, Shkupit, Strugës deri afër Dibrës për të hapur shkolla shqipe. Ai hapi edhe shkollën e parë shqipe edhe në fshatin e tij në Nistrovë afërsisht nga viti 1910.

-Si ishte përfundimi i jetës së tij?
Ai është zhdukur çuditërisht në vitin 1915, një vit shumë i keq për historinë shqiptare dhe shumë i tmerrshëm për fatet e shumë patriotëve të shquar shqiptarë. Në këtë vit ku lufta e Parë Botërore kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme. territoret shqiptare ishin të pushtuar nga ushtritë e huaja, patriotët shqiptarë ishin të grumbulluar në Mal të Zi, Podgoricë dhe për fatin tonë të keq dhe atyre të patriotëve si Isa Boletibni, Mnuço Qulli, Çerçiz Topulli vriten pabesisht nga forcat malazeze. Në këtë vit Jusifi sapo kishte marrë porosi që të shkonte dhe të takonte ( mbas një bisede që kishte pasur me Fan Nolin dhe me Faik Konicën) të shkonte të takonte Hasan Prishtinën në Prishtinë, zhduket pa lënë gjurmë, nuk arrin të takojë. Ai humbet diku në Prishtinë (vrarë, helmuar, nuk i dihet). Është i vetmi patriot shqiptarë që nuk i gjendet varri. Ky është motivi i filmit tonë “Në kërkim të një varri” kjo ishte ideja jonë e brendshme. Kjo ishte një figurë madhore e humbur në vitin e keq 1915 që nuk dihet as varri as ku ka përfunduar. Ai ishte gazetar, publicist, poet, tregimtar, gjuhëtar dhe mbi të gjitha luftëtar i çështjes kombëtare. Ka një moment shumë tragjik siç është vrasja e të birit, Kristit 16 vjeç. Është tragjedi e madhe për një baba, për një familje i cili lufton me trupat maqedonase dhe turke dhe bie në krye të detyrës. Bageri i kushton një himn të tërë të birit që bie në krye të detyrës. Është një figurë që ia vlente që ta bënim këtë film, që ta vinim në një monument artistik figurën e këtij njeriu.

Çfarë vendi zë në krijimtarinë tuaj të filmit dokumentar kjo figurë?
Në vijimësinë e filmave historikë që kam realizuar për historinë e Shqipërisë dhe të figurave historike të saj, pa asnjë mëdyshje filmi për Josif Bagerin-Rilindësi i fundit, zë një vend të veçantë në krijimtarinë time. Pse e them këtë? Të gjithë dokumentarët që kam realizuar për figurat e shquara historike kanë vlerat e tyre, por me bashkëpunimin e fundit të prodhuar me kolegë shqiptarë të Maqedonisë dhe me një financim serioz nga Qendra e Filmit të Republikës së Maqedonisë, unë si kineast plotësova një boshllëk të krijimtarisë sime.
Sigal