Rrahman Hallaçi: Futbolli shqiptar ka patur rrugëtim me sfida të luftuara

60
Sigal

INTERVISTA/ Ish-futbollisti i Partizanit, Tiranës e Kukësit, Rrahman Hallaçi analizon kampionatin e 86-të

Agron KAJA

Agron Kaja

Abissnet Superiore e mbylli të hënën sezonin 2024-2025, si e përshkruan rrugëtimin 36 javor dhe “Final 4”?

Ishte një kampionat i luftuar, ku pritej se do ishte i tillë. Disa bënë merkato, të tjerat edhe me historitë, sollën nivel të mirë. Risi ishin Elbasani e Dinamo me projektin e tyre. Rënia e Laçit e Skënderbeut tregoi problematikat, Shkëmbi te Tirana ishte bast i fituar.

Në cilën fazë të tij kampionati ishte më interesant, apo edhe me rival?

Kuptohet që në fazën e fundit ishte më interesante. Sepse as skuadra e Final 4 dhe ato poshtë në renditje nuk e kishin të sigurtë vëndin. Befasuese më duket Bylisi, një skuadër tjetër dhe me projekt serioz. Për Laçin ishte momenti më i vështirë.

Cilët janë treguesit që sipas jush, Superiorja tregoi nivel e cilësi, por edhe ku zhgënjeu?

Futbolli shqiptar ka patur sfida shumë të luftuara, kishte lojtarë me karakter e luftë sportive, që këtë herë treguan edhe cilësi. Por nuk mund të them ndonjë zhgënjim gjatë garës, sepse i vlerësoj për rrugëtimin e tyre, me gjithë ulje-ngritjet që treguan.

Një kampione e mbivendosur e kanë quajtur disa specialistë futbolli, ju e mendoni kështu me këtë skemë?

Unë kam qënë PRO skemës me “Final 4”, sepse e ka lënë në “ethe” futbollin tonë, ka sjellë shumë risi duke spikatur disa skuadra. Vëndi i parë duket sikur penalizohet pak, por në fund të fundit është një skemë që sjell cilësi.

Përjashtuar ndeshje të veçanta, si finalja e “Final 4”, pse tifozeria dukej e braktisur nga stadiumet e këtij sezoni?

Për tifozerinë, e kanë dorë edhe klubet për ta menaxhuar më mirë skuadrën. Por tifozët që e ndjejnë, duhet të “zgjohen”, sado futboll është prodhuar nga skuadra e tyre. Unë kështu mendoj, tifozët duhet ta mbështetin skuadrën që të krijojnë atmosferë. Pa tifozerinë, futbolli nuk mund të jetë i bukur.

Gjatë garës kishte shumë largime trajnerësh, si ndikuan këto në ecurinë e skuadrave respektive?

Presidentët e skuadrave duhet të jenë më të kujdesshëm me trajnerët, mos marrin vendime të nxituara, Nuk mund të heqësh një trajner për një apo dy ndeshje jo të mira. Nuk duhen veprime për momentin, sepse puna e trajnerit është delikate.

Ishin arbitrat faktorë në ndeshjet, apo kishte përmirësim në gjykimet e këtij sezoni?

Arbitrat tani e kanë më të thjeshtë gjykimin. Me sistemi VAR e kanë përmirësuar nivelin e tyre, dhe ata nuk duhen vënë në presion. Ka patur ekipe që nuk kanë qënë të kënaqur me gjykimet, por nuk duhet marrë si dobësi apo njëanshmëri.

Çfarë risie mendoni se sjell skema “Final 4” për Abissnet Superioren, jeni dakord me të?

Unë e përmënda më sipër se skema “Final 4” i ka dhënë bukuri kampionatit të Superiores. Kjo skemë e mbajti të ndezur luftën sportive mes skuadrave, pavarësisht renditjes së tyre në tabelë. Është një skemë që vlen në futbollin tonë.

Skuadrat që do luajnë në Europë, çfarë duhet të përmirësojnë për paraqitje dinjitoze?

Natyrisht që duhet të afrojnë lojtarë shumë më cilësorë se ata aktualë. Sepse në Europë ka tjetër nivel, dhe të mos mendojnë që të jenë kalimtarë. Mendoj se  duhet të bëjnë përmirësime në repartet ku kanë patur mangësi gjatë sezonit.

E keni një apel për futbollin shqiptar në sezonin e ardhshëm 2025-2026?

Apeli im është që vit pas viti, të kemi ndeshje me nivel e cilësi, tregues këto që duke e bashkuar me infrastrukturën e mirë e në përmirësim, të kemi një futboll plot dinjitet dhe me tifozë të shumtë në shkallët e tyre.

 

FORMACIONI I SEZONIT 2024-2025

Trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave kanë përzgjedhur formacionin më të mirë të sezonit 2024-2025 në “Abissnet Superiore”. Në top 11-shen e këtij sezoni janë përzgjedhur: Mario Dajsinani (Egnatia); Arsid Kruja (Teuta), Marçelino Preka (Partizani), Nasër Aliji (Dinamo City), Emiljano Musta (AF Elbasani); Esat Mala (Vllaznia), Regi Lushkja (Egnatia), Serxho Ujka (Egnatia); Bekim Balaj (Vllaznia), Baton Zabërgja (Dinamo City), Kevin Dodaj (Vllaznia). Trajner: Edlir Tetova (Egnatia).

LIBRI ARTË/ SKUADRAT KAMPIONE

Tirana 26 herë/ Dinamo 18 herë/ Partizani 17 herë/ Vllaznia 9 herë/ Skënderbeu 8 herë/ Elbasani 2 herë/ Teuta 2 herë/ Egnatia 2 herë/ Flamurtari 1 herë/ Kukësi 1 herë.

ABISSNET SUPERIORE

    SEZONI 2025-2026

Skuadrat pjesëmarrëse

1.Egnatia                     Rrogozhinë

2.Vllaznia                    Shkodër

3.Partizani                   Tiranë

4.Dinamo City             Tiranë

5.AF Elbasani              Elbasan

6.Teuta                        Durrës

7.Bylis                         Ballsh

8.Tirana                       Tiranë

9.Vora                         Vorë

10.Flamurtari               Vlorë

    VERDIKTET

SEZONI 2024-2025

Kampione                    Egnatia

N/Kampione              Vllaznia

Kryegolashënues

Bekim Balaj                19 gola

Dinamo fitoi Kupën

Luajnë në Europë

Egnatia, Vllaznia,

Partizani, Dinamo City

Zbritën në Kat. e Parë

Skënderbeu dhe Laçi

U ngjitën në Superiore

Vora dhe Flamurtari

 

Vllaznia po “vetëpastrohet”, afrimet i nisi nga bankina.

Drejtori teknik Tefik Osmani dhe trajneri Tomas Bërdariç, ishin dy emrat e parë që “gërvishtën” rrugën e largimeve te skuadra e Vllaznisë pas humbjes 0-4 në finalen e “Final 4”, 0-4 ndaj Egnatias. Kjo humbje turpëruese për skuadrën shkodrane, për historinë dhe realitetin e saj, nuk u prit mirë nga drejtuesit, të cilët vetëm 48 orë më pas nisën nga “spastrimet”. Ato filluan me Drejtorin Teknik, u pasuan me trajnerin dhe ndalën në momentin që në bankinë u vendos një emër i njohur në futbollin shkodran dhe atë shqiptar, Edi Martini. Në ambinetin sportiv shkodran ka zëra edhe për një tërheqje të Bekim Balajt nga futbolli i luajtur në moshën 34 vjeçare, por që pas uljes në bankinë të Martinit, ndoshta do kemi një qëndrim të “sforcuar” të goleadorit të Superiores në dy sezone radhazi. Ndërkohë, burime pranë skuadrës shkodranë kanë konfirmuar dje mediatikishtë se ka lojtarë, të cilëve u përfundon kontrata dhe nuk do negociohet për rinovimin e tyre. Kroati Marko Juriç, Milosh Stojanoviç dhe Amir Kahrimanoviç janë emrat thuajse të larguar. Kjo situatë tregon se Vllaznia po përgatitet me seriozitet për në Europë dhe për sezonin e ri.